> Faqja pare > Zotat e mitologjisë > Festat në Greqinë e lashtë

Festat në Greqinë e lashtë

Festat apo lojrat dedikuar 12 perëndive të OlimpitAncient_Olympia,_Greece2

*Për nder të Zeusit – Lojrat Olimpike ishin nje festë dedikuar Zeusit. Ato zhvilloheshin çdo katër vjet në Olimpia, Peloponez, duke filluar që nga viti 776 pr.e.s. Pjesa më e rëndësishme e kësaj feste ishin garat sportive. Meshkuj nga e gjithë bota greke garonin në lloje të ndryshme sportesh. Fituesit e lojrave trajtoheshin si heronj.

*Për nder të Herës – Heraia ishte festa që i dedikohej Herës. Ashtu si Lojrat Olimpike kjo festë përfshinte gara sportive dhe zhvillohej në Olimpia. Mirëpo, vetëm femrat lejoheshin të garonin në këtë festival.

*Për nder të Athinës – Panathenaia ishte një festë e madhe në qytetin e Athinës që zhvillohej për nder të perëndeshës Athina. Çdo lagje e shoqërisë athiniote kishte përfaqësues të saj: meshkuj, femra, qytetarë, skllevër dhe të huaj që jetonin në Athinë. Festa përbëhej nga flijime, gara dhe një paradë e madhe për t’i dhuruar një veshje të re statujës së lashtë të perëndeshës Athina në Akropolis. Panathenaia ka kuptimin “Mbarë Athina” (Të gjithë athinasit).

*Për nder të Apollonit – Lojrat Pitiane që zhvilloheshin në Delfi. Ndryshe nga festivalet e tjera sportive, lojrat Pitiane përfshinin gjithashtu gara muzikore dhe poetike. Apolloni ishte perëndi që lidhjej me artet. Fituesit e garave paraqiteshin me kurora dafinash – një pemë e shenjtë dedikuar Apollonit.

*Për nder të Demetrës – Thesmoforia ishte një festë që i dedikohej Demetrës. Festa kremtohej kudo në Greqi. Gratë thernin gica (derra të vegjël) për nder të perëndeshës. Në ditën e dytë të festës ato agjëronin, dhe në ditën e fundit ato shtronin një banket të madh për festë.

*Për nder të Poseidonit – Lojrat Isthmiane i dedikoheshin Poseidonit dhe zhvilloheshin çdo dy vjet në faltoren e perëndisë Poseidon në Isthmia. Ato ishin lojrat e dyta më të rëndësishme në Greqi pas atyre Olimpike.

*Për nder të Afërditës – Adonia, kjo ishte një festë vetëm për femra. Festa përkujtonte vdekjen e Adonisit, të dashurit të Afërditës. Gjatë festës, gratë këndonin këngë zie (vajtuese) dhe ri-luanin skenën e funeralit të Adonisit. Ato krijonin gjithashtu kopshte (lulishte) mbi strehat e shtëpive.

*Për nder të Hermesit – Në ditën e tretë të Anthesterias, ‘ditën e vazove’, bëhej një vakt ushqimi dhe i jepej Hermesit për Botën e Nëndheshme, në vend të të vdekurve. Kjo ishte një ditë kur shpirtrat e të vdekurve endeshin përreth tokës. Njerëzit lyenin anësoret e dyerve me pika zifti, për të ndaluar fantazmat të hynin në shtëpitë e tyre. Kur dita përfundonte, zoti i shtëpisë sillej përreth shtëpisë së tij duke thënë “Dilni jashtë shpirtra të këqinj, Anthesteria mbaroi”.

*Për nder të Artemisës – Brauronia, kjo festë kremtohej çdo vit në Brauron pranë Athinës. Një veçori e pazakonshme e festës përfshinte vajza të vogla ndërmjet moshës 5 dhe 10 vjeçe. Vajzat maskoheshin dhe aktronin si arinj për t’i bërë qejfin perëndeshës së gjuetisë, Artemisës.

*Për nder të Aresit – Në nderim të perëndisë së luftës, Aresit, bëheshin flijime kafshësh në prag të çdo beteje. Kishte shumë pak festa që i dedikoheshin Aresit. Megjithatë, ishte traditë që ushtarët t’i bënin atij flijime para një beteje.

*Për nder të Hefestit – Khalkeia ishte një festë e veçantë për punuesit e bronzit. Hefesti, si një mbrojtës i mjeshtërve të bronzit, ishte një nga perënditë e nderuara në festë. Hefesteia ishte një tjetër festë dedikuar Hefestit. Një nga veçoritë kryesore të festës ishte një garë vrapimi me pishtarë. Garat me pishtarë zhvilloheshin në shumë festa por këtu ato janë kuptimplota për Hefestin për shkak të lidhjes së tij me zjarrin.

*Për nder të Dionisit – Dionisia e Madhe zhvillohej çdo vit në Athinë. Veçoria kryesore e festës ishte gara teatrale. Aty performoheshin shumë drama nga aktorë të ndryshëm dhe fituesi zgjidhej në fund të festivalit. Anthesteria ishte gjithashtu një festë që zhvillohej për nder të Dionisit ku hapeshin vorba të reja me verë të vitit. Gjatë kësaj feste ishin fëmijët e moshës tre vjeç që shijonin të parët verën e re.

Tags: ,

  • Twitter
  • Facebook

Komento