> Faqja pare > HISTORIKU I KALENDARIT > Kalendari diellor persian

Kalendari diellor persian

KALENDARI IRANIAN – më i sakti në botëastrolab

Kalendari Diellor Persian i quajtur Hixhri (Hijri) është kalendari zyrtar i Iranit dhe Afganistanit. Hixhri ka kuptimin që i fillon vitet që nga koha e Muhamedit në vitin 622. Ky kalendar fillon në ekuinoksin e pranverës, siç përcaktohet nga llogaritja astronomike për meridianin e zonës kohore të Iranit (52.5 ° L ose GMT + 3.5 orë). Ky përcaktim i momentit fillestar është më i saktë se kalendari Gregorian për parashikimin e datës së ekuinoksit të pranverës, sepse ai përdor më shumë vrojtimet astronomike sesa rregullat matematikore.
Secili prej dymbëdhjetë muajve korrespondon me një shenjë të zodiakut. Gjashtë muajt e parë kanë nga 31 ditë, pesë të tjerët kanë nga 30 ditë, dhe muaji i fundit ka 29 ditë në vitet e zakonshme, dhe 30 ditë në vitet e brishtë. Dita e Vitit të Ri gjithmonë bie në ekuinoksin pranveror (21 mars) dhe quhet Novruz që ka kuptimin “ditë e re”.

Mbishkrimet dhe tabelat e vjetra persiane tregojnë se iranianët e hershëm përdornin një kalendar 360-ditor bazuar në vëzhgimin diellor direkt dhe të modifikuar për besimet e tyre. Ditët nuk kishin emra. Muajt kishin dy ose tre ndarje në varësi të fazave hënore. Dymbëdhjetë muaj me nga 30 ditë mbanin emrat e festave apo aktiviteteve të vitit pastoral. Një muaj i 13-të shtohej çdo gjashtë vjet për ta mbajtur kalendarin të sinkronizuar me stinët.
Në vitin 538 pr.e.s Kiri i Madh pushtoi Babiloninë dhe kalendari babilonas hëno-diellor hyri në përdorim për qëllime civile. Kambisi pushtoi Egjiptin në vitin 525 pr.e.s. Ai shoqërohej nga Dariusi, një zoroastrian i cili u bë sundimtar i Perandorisë Perse në vitin 517 pr.e.s. Zoroastrianët miratuan kalendarin diellor egjiptian i cili kishte dymbëdhjetë muaj me nga 30 ditë secili plus pesë ditët shtesë. Meqë viti i tyre fillonte në pranverë (me festën e Novruzit) pesë ditët shtesë ishin vendosur pikërisht para Novruzit.
Në Egjipt ylli Sirius kishte rëndësi të madhe meqënëse çdo 1460 vjet (cikli Sothik) lindja e tij heliakale (pak para lindjes së diellit) shënonte vitin e ri egjiptian dhe përmbytjen e Nilit. Edhe në Persi ky yll kishte domethënie, meqë lindja e tij heliakale kishte përkuar edhe me ardhjen e shiut. Muaji i katërt persian mbante emrin Tishtrya (Sirius, ylli i shiut). Muaji i katërt përfshin 20 korrikun, datën e lindjes heliakale të Siriusit. Në vitin e parë njerëzit vazhdonin të përdornin kalendarin e vjetër, duke llogaritur datat festive për pesë ditët shtesë. Secila prej këtyre ditëve festë mbante emrin e një perëndie. Në të gjitha vendet ku përdoret kalendari persian, pesë ditët shtesë u vendosën në fund të vitit.
Një historian romak, Quintus Curtius Rufus, duke përshkruar një ceremoni në vitin 333 pr.e.s, shkruan:
“Priftërinjtë (Magi) ndjekur nga 365 të rinj të veshur me rroba të purpurta, të barabartë në numër me ditët e një viti të tërë; sepse edhe persët e ndanë vitin në atë numër ditësh”.
Gjatë historisë në Iran janë përdorur kalendarë të ndryshëm. Kalendari iranian është modifikuar herë pas here për qëllime administrative, klimatike dhe fetare.
Kalendari modern iranian është tani kalendari zyrtar në Iran. Ai fillon në mesnatën më të afërt me çastin e ekuinoksit të pranverës, sipas llogaritjeve astronomike për zonën kohore të Iranit. Prandaj, është një kalendar i bazuar në vrojtim, ndryshe nga ai Gregorian, i cili është i bazuar në rregulla.
Kalendarit iranian diellor hixhri, viti i ri i të cilit zakonisht fillon me 21 mars të kalendarit gregorian, për sa i përket viteve, është 621 apo 622 vjet mbrapa atij Gregorian.
Megjithëse dëshmia më e hershme e traditës kalendarike iraniane është që nga mijëvjeçari i dytë pr.e.s, para shfaqjes së profetit iranian Zoroaster, kalendari i parë i ruajtur plotësisht është ai i Akemenidëve. Gjatë gjithë historisë së dokumentuar, persët e kanë pasur merak idenë dhe rëndësinë e kalendarit. Ata ishin ndër kulturat e para që kanë përdorur një kalendar diellor dhe për një kohë të gjatë favorizuan më shumë kalendarin diellor sesa metodat hënore. Dielli ka qenë gjithmonë një simbol në kulturën iraniane dhe lidhet ngushtë me folklorin e lidhur me Kirin e Madh.

Më 21 shkurt 1911, parlamenti i dytë iranian miratoi si kalendarin zyrtar të Iranit kalendarin sideral Xhalal (Jalali), me muajt që mbanin emrat e dymbëdhjetë yjesive të zodiakut dhe vitet e emërtuara sipas kafshëve të ciklit dyvjeçar; ky kalendar mbeti në përdorim deri në vitin 1925. Kalendari aktual iranian u miratua ligjërisht më 31 mars 1925, nën dinastinë e hershme Pahlavi. Ligji thotë se dita e parë e vitit duhet të jetë dita e parë e pranverës në “vitin e vërtetë diellor”, “ashtu siç ka qenë” gjithmonë. Ai gjithashtu fiksoi numrin e ditëve në çdo muaj, të cilat më parë ndryshonin sipas vitit me zodiakun sidereal (yjor). U rikthyen përsëri emrat e lashtë persianë, të cilët janë ende të përdorim.
Gjashtë muajt e parë kanë 31 ditë, pesë të tjerët kanë nga 30 ditë dhe muaji i fundit ka 29 ditë ose 30 ditë në vitet e brishtë. Ky është një thjeshtësim i kalendarit Xhalal (Jalali), në të cilin fillimi i muajit lidhet me kalimin e diellit nga njëra shenjë zodiakale në tjetrën. Dielli udhëton më shpejt përmes shenjave në fillim të janarit dhe më ngadalë në fillim të korrikut. Koha e tanishme midis ekuinoksit të pranverës dhe ekuinoksit të vjeshtës është rreth 186 ditë e 10 orë, kohëzgjatja e kundërt rreth 178 ditë e 20 orë.
Në vitin 1976, Shahu Mohammad Reza Pahlavi ndryshoi fillimin e kalendarit, duke përdorur fillimin e mbretërimit të Kirit të Madh si vitin e parë, në vend të Hixhra (Hegira) Muhammedit (viti 622). Gjatë natës, viti ndryshoi nga 1355 në 2535. Ndryshimi vazhdoi deri në Revolucionin Islamik në Iran, 1979, në të cilën kalendari u kthye në Diellor Hixhri dhe viti 622 u rikthye si viti i parë i këtij kalendari.
Afganistani e miratoi ligjërisht kalendarin zyrtar të Xhalalit në 1922, por me emra të ndryshëm të muajve. Afganistani përdor emra arabë të shenjave zodiakale; për shembull Revolucioni Saur i vitit 1978 u zhvillua në muajin e dytë të kalendarit diellor Hixhri (Saur është shenja e Demit). Kalendari dielllor Hixhri është kalendari zyrtar i qeverisë së Afganistanit dhe të gjitha festat kombëtare dhe çështjet administrative janë fiksuar sipas kalendarit këtij kalendari diellor.
Pra, viti kalendarik diellor Hixhri nis në fillim të pranverës (me 21 mars) në hemisferën veriore: në mesnatën midis dy mesditave diellore të njëpasnjëshme, të cilat përfshijnë momentin e ekuinoksit të marsit, kur Dielli hyn në hemisferën veriore, në shenjën e parë zodiakale. Prandaj, mesdita e parë është në ditën e fundit të një viti kalendarik dhe mesdita e dytë është në ditën e parë (Novruz) të vitit të ardhshëm.
Muajt janë: Dashi (31 ditë), Demi (31 ditë), Binjakët (31 ditë), Gaforrja (31 ditë), Luani (31 ditë), Virgjëresha (31 ditë), Peshorja (30 ditë), Akrepi (30 ditë), Shigjetari (30 ditë), Bricjapi (30 ditë), Ujori (30 ditë), Peshqit (29/30 ditë).
Dita e parë e vitit kalendarik, Novruzi (“Dita e re”), është festa më e madhe i vitit në Iran, Afganistan dhe rajonet përreth. Kremtimi mbushet me shumë festime dhe festa vazhdon për 13 ditë me radhë, dita e fundit e të cilës quhet ‘siz-dah bedar’ (“13 në natyrë”).
Emrat e muajve janë shenjat e Zodiakut. Ato nisen të përdoreshin në Iran në fillim të shekullit të 20-të, kur kalendari diellor u fut në përdorim. Emrat janë në fakt arabisht për shenjat e zodiakut.
Në kalendarin iranian, çdo javë fillon të shtunën dhe përfundon të premten. Në disa vende islamike, e premtja është ditë pushimi çdo javë.

  • Twitter
  • Facebook

Komento