> Faqja pare >Archive for the ‘Dielli krijues i jetës’ Category

Dielli krijues i jetës në Tokë

Dielli i adhuruar si perëndi nga popuj të ndryshëm të antikitetit

<Kulti i Diellit>

imagesUniversi dhe sistemi Diellor lindën nga shpërthimi i quajtur Big-bëng.
Elementet që krijuan jetën në Tokë (njerëz, kafshë dhe bimë) erdhen nga distanca e largët në hapësirën ndërmjet Marsit dhe Jupiterit, por disa edhe nga skajet e sistemit tonë diellor. Këta elementë jetësorë kanë ardhur në meteorë dhe asteroide rreth 3 miliard vite më parë. Toka ka rreth 4, 46 miliard vjet që ka lindur ashtu si edhe planetët e tjerë të sistemit diellor.
Kur meteorët goditën Tokën ata sollen me vete edhe të gjithë elementët e jetës të cilat nën nxitjen e Diellit dhe reaksioneve kimike krijuan jetën dhe ne evoluam dhe u bëmë specie të gjalla përmes energjisë së Diellit. Ne kemi nevojë për dritën e Diellit që të zhvillohemi, të rritemi e të jetojmë. Që Dielli është zoti i vërtetë nuk është thjesht mendim, por një fakt real. Po të vlerësojmë anën konkrete të gjërave Dielli është i vetmi zot për jetën mbi Tokë. Ishte ai i pari që nxiti gjallërinë, sepse nga të gjithë planetët e tjerë Toka ndodhet në largësinë e duhur me të për të krijuar kushtet e jetës. Ndaj, nxehtësia e Diellit është normale në planetin tonë të gjallë. Në fillim Toka ishte plot vullkane, me kalimin e viteve asteroidet dhe meteorët goditën Tokën. Forca e rëndesës së Diellit i sistemoi meteorët në Tokë dhe u formuan malet. Kometat e akullta sollen ujin, i cili u shkri nga Dielli dhe u krijuan detet e oqeanet. Uji duke kombinuar me dheun formuan barin, bimët, pemët…ajrin. Nga vullkanet nëndetare nisen të krijoheshin qelizat e para jetësore derisa evoluan duke pësuar ndryshime ndër vite….kafshë pas kafshe deri tek njeriu. Por kjo u desh për miliona vjet. Ky proçes quhet evolucion. Dielli jo vetëm që nxiti dhe krijoi jetën, por dhe ndikon në punët e përditshme: nga ai vjen shiu sepse Dielli ngroh oqeanet e detet, avulli i oqeaneve dhe i akujve ngrihet në qiell dhe bëhet re dhe reja lëshon shi (ashtu siç ndodh tek tenxherja në zjarr që po t’i heqim kapakun avulli kullon si shi). Në këtë rast Dielli (babai ynë) duket sikur fekondon nënën Tokë. Dielli rrit bimët dhe nga bimët vijnë ushqimet, ushqehemi ne dhe kafshët të cilat na shërbejnë neve për punë dhe si ushqim; nga bimët bëhen edhe ilaçet dhe barnat e ndryshme që na ndihmojnë të shërohemi. Pra, nga Dielli marrim jetë, energji, marrim dritën dhe natën (sepse Toka duke i kthyer shpinën Diellit krijon natën)…Ai na bën të zhvishemi sepse na sjell vapën, na than rrobat, na shëron plagët, krijon ngjyrat; Dielli na bën të bukur duke na nxirë trupin në plazh. Por ai ka dhe veti negative: ai provokon edhe nxehtësi përvëluese edhe shkatërrim. Asgjë në botë nuk ndikon më shumë se Dielli. Ne e ndjejmë energjinë e tij, rrezet e tij të shndritshme që na bien në fytyrë sapo zgjohemi në mëngjes. Shumë autorë janë frymëzuar nga Dielli duke e ndërthurur atë me vargjet e tyre poetike dhe muzikore.
Në kohët e lashta, Dielli u quajt zot, pikërisht sepse ishte ai që mundësonte jetën, simbolizonte natyrën, dritën, ditën. E kundërta e Diellit ishte errësira, që nënkuptonte të keqen, të zezën, të ftohtin, djallin. Natën njerëzit primitivë ishin shumë të ekspozuar ndaj rreziqeve, sulmeve të kafshëve të egra, të ftohtit etj., dhe ishin të varur plotësisht ndaj kushteve të natyrës. Për këtë arsye “priftërinjtë e parë” ndërtuan tempujt e Diellit në shenjë kulti në malet më të larta, atje ku rrezet e Diellit preknin më parë dhe me anë të daulleve, lajmëronin popullsinë për lindjen e diellit, që presupozonte lindjen e jetës. Duke studiuar Diellin, si ylli më i afërt i planetit Tokë, lindi interesi ndaj astrologjisë dhe fenomeneve të ndryshme astronomike. Njerëzit e lashtë i përcaktonin kohën dhe stinët në bazë të lëvizjes së Diellit, duke caktuar në këtë mënyrë ditë, muaj, vite; instrumenti i përdorur ishte ora diellore. Dita kryesore, e diela, që mban emrin e Diellit në disa gjuhë, është mbajtur pushim për nder të këtij zoti. Vetë fjala’ hyjnor’, nuk presupozon diçka të shenjtë, më shumë se diçka që ka të bëjë me yjet: hylli, hyje, hyjnor..
Dielli (ylli ynë) gjendet i pikturuar në shpella që datojnë 10 mijë vjet më parë, apo dhe 6 mijë vjet tek sumerët. Ky besim pagan dominoi, madje u përhap në të gjithë shoqërinë njerëzore të asaj periudhe. Më pas evoluoi dhe u përshtat në shumë kultura, derisa këto dije astronomike u keqpërdorën qëllimisht apo jo, për të arritur judaizmi që nxori besimin e parë monoteist, që vinte në qendër vetëm një zot. E gjithë Dhiata e Vjetër apo e Re, nuk është asgjë tjetër veçse një dije astronomike, me në qendër Diellin. Më pas këtë histori e kopjoi thuajse totalisht Bibla dhe më pas biblën Kurani, sigurisht duke bërë dhe ndryshime.

Në shkrimet kuneiformë të Mesopotamisë së lashtë shkronja e parë e alfabetit kishte formën e Diellit, ndërsa në disa versione të tjera shkronja me formë diellore nënkuptonte fjalën ‘zot’.
Që nga lashtësia e largët deri në shekullin e XIII Dielli adhurohej nga shumë fise e popuj të ndryshëm, nga mbretër e perandorë. Amen-Ra ishte perëndia-Diell në Egjiptin e lashtë, i njohur gjithashtu me emrin Horus. Kur njerëzit luteshin në tempullin e tij në fund thonin “Amen”, e cila që prej asaj kohe është kthyer në fjalë të shenjtë duke u adoptuar nga fetë monoteiste ku sot përdoret në tempujt modernë të kultit (kishat dhe xhamitë). “Faraon” është emri që i jepej perandorëve egjiptianë dhe që në gjuhën egjiptiane do të thotë “Diell”. Kur Dielli ishte në pikën më të lartë qiellore, në mesditë dhe piramida nuk projektonte asnjë hije, egjiptianët i faleshin Diellit. Fiset Maja, inkasit dhe aztekët i bënin flijime atij.
Krishtërimi është ngritur mbi paganizmin e kultit të Diellit duke zëvendësuar tempujt e Diellit në majat e maleve me kisha. Jezu Krishti përfaqëson vet Diellin dhe apostujt e tij përfaqësojnë 12 shenjat zodiakale. Për këtë fakt datëlindja e tij (duke zëvendësuar atë të Sol Invictus-it) u vendos nga Papa me 25 dhjetor, kohë kur dita nis e zgjatet, ky proçes quhet Rilindja e Diellit ose Krishtlindja. Në bibël ka fraza të qarta që lidhen me Diellin, ku Jezusi thotë “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.” (Gjn. 14, 5) “Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.” Po ta vini re, Jezusi paraqitet nëpër figura me Diellin pas kokës së tij ose me një rreth mbi kokë që simbolizon Diellin. Tradicionalisht, kur ora shkon 12:00 e mesditës, pra kur Dielli është në pikën e tij më të lartë qiellore (në zenit), bien këmbanat e kishës. Ishte Krishtërimi ai që vendosi që në botë të përdorej kalendari diellor (në bazë të cikleve të Diellit).
Në vitin 274 perandori Aureliano (me origjinë ilire) adoptoi Diellin si perëndi supreme të Perandorisë Romake dhe përveç kësaj, edhe familja e Kostandinit të Madh (me origjinë dardane) nderonte Sol Invictus-in (Diellin e Pamposhtur). Shqiponja ishtë një tjetër simbol i Diellit, ajo është e para që prek rrezet e tij duke ndërtuar foletë në majat më të larta dhe duke fluturuar në lartësitë qiellore. Kostandini i Madh (ndjekës i kultit të Diellit), e bëri shqiponjën me dy kokë që përfaqësonin dy kryeqendrat e perandorisë së tij romako-bizantine, Romën dhe Kostandinopolin (Stambollin e sotëm). Më vonë Skënderbeu, i cili u edukua në Stamboll, e solli këtë simbol me vete duke e vendosur në flamurin e tij.
Statuja e Kostandinit, në Kostandinopoli, mbante kurorë me maja që simbolizonin rrezet e Diellit. Po ashtu, Statuja e Lirisë në Nju Jork mban rrezet diellore mbi kokë. Që prej asaj kohe, mbretërit mbanin kurora me maja që simbolizojnë rrezet e Diellit!
Mbreti i fuqishëm i Francës, Luigji XIV, e quante veten “Mbreti-Diell”.

Napoleon Bonaparti ka thënë: “Nëse do të më duhej të zgjidhja një fe, Dielli dhënësi i jetës, do të ishte zoti im”. Për një filozof si Platoni Dielli simbolizonte autoritetin suprem: ai dhuronte fuqinë e shikimit. Në Rodos të Greqisë, statuja e Helios-it (Ilios =Diell) ishte një ndër simbolet më të madhërishme e adhurimit të Diellit, e njohur me emrin Kolosi i Rodosit, dhe ishte një ndër mrekullitë e botës antike. Në Bosnje Hercegovinë, pranë Sarajevës, gjendet Piramida e Diellit; edhe në Shqipëri (Tiranë) ndodhet Kodra e Diellit; 14 vende sot në botë mbajnë Diellin si simbol në flamurin e tyre; Gazeta e famshme britanike quhet “The Sun” (Dielli), po ashtu edhe një revistë e njohur amerikane.
Populli ynë i Ilirisë së lashtë, përpara ardhjes së krishtërimit, adhuronte dhe nderonte Diellin si perëndinë kryesore ku njerëzit faleshin në tempujt e tij në maje malesh; qyteti i lashtë iliro-romak që shtrihet pranë Fierit mori emrin Apollonia, për nder të Apollonit (perëndisë së Diellit). Fisi ilir i Peonëve e kishte Diellin perëndinë më të adhuruar.
Kulti i Diellit tek shqiptarët (besimi origjinal i të parëve tanë) pasqyrohet edhe në betë e tyre, dmth. kur bëjnë be e betohen për Diellin dhe elementët e natyrës. Madje, betë me Diell e rreze dielli, si “për atë diell” e “për këtë rreze dielli”, “për qiell e për dhé” hasen edhe sot e kësaj dite tek shqipëtarët. Malësorët bënin kryq kur u binin rrezet e para të Diellit në agim. Edhe mallkimet përfshinin Diellin: “mos pafsh Diell me sy” apo “mos të zëntë drita nesër”. Dielli adhurohej si burim jetese, burim shëndeti, burim pjellorie dhe si objekt mbrojtës dobiprurës. Atij i faleshin në mëngjes në të lindur, në disa raste dhe në perëndim të tij. Shumë veprime me karakter bujqësor e blegtoral duhej të fillonin me të lindur të Diellit e jo më parë, se kështu sjell mbarësi e prodhimtari të bollshme. Në disa krahina veriore vajza duhej fejuar në mëngjes në të rënë të Diellit e jo në mbrëmje. Dielli i mëngjesit, sipas besimit popullor, është fat për vajzën në lumturinë e ardhshme bashkëshortore, në trashëgimi, në lindje të djemëve. Martesat bëhen ditën e dielë, në ditën e Diellit. Kur vdiste njeriu, kudo në Malësitë shqiptare ai do të vendosej me fytyrë nga lindja e Diellit dhe kur përmendin të vdekurin thonin ‘pastë dritë’.
Në pelegrinazhe rituale në majat e maleve nuk mungonin asnjëherë adhurimet e Diellit: ndezje zjarresh të mëdha, kurbane, sidomos në Ditën e Verës (14 mars), me 21 mars, apo me 22 qershor, festa që simbolizojnë kultin e Diellit. Ditëlindja dhe Viti i Ri janë një festë tjetër pagane që përfaqësojnë revolucionin e Diellit, dhe janë festat më të festuara në botë. Biologjia dhe Astrologjia vendosin Diellin në qendër të jetës sonë. Dielli është burimi konkret i jetës tokësore, prej tij dhe prej planetëve të sistemit tonë diellor varet fati ynë.

solar-system

Dielli ne krahasim me planetet e tjere. Madheshtia e tij te ben ta quash zot.

 

liberty

Statuja e Lirisë me rrezet e Diellit mbi kokë

 

adhurim-dielli

Dielli i adhuruar ne Stonehenge (Angli) ne diten e solticit te veres

 

 

Tags: ,

  • Twitter
  • Facebook