> Faqja pare >Archive for the ‘Horoskopi në vargje’ Category

Shenjat flasin

Horoskopi në vargje

dredhka

(Dashi)
Unë jam Dashi, shënja e parë,
tip sportiv dhe guximtar,
përvëloj e djeg si zjarr,
Më pëlqen të rrezikoj,
garat fort i dëshiroj,
vështirësive u rezistoj.
Jam plot jetë e gjallëri,
Marsi më jep energji.

(Demi)
Thotë Demi jam punëtor,
mjaft korrekt si në çdo orë,
shumë besnik, konservator.
Jam i ndershëm e xheloz,
i duruar dhe kurioz,
dhe i vendosur sidomos.
Vishem bukur se kam shije,
Afërdita më bën hije.

(Binjakët)
Por Binjakët mjaft të zgjuar,
nuk lënë gjë pa e dëgjuar,
edhe lajm pa transportuar.
Oratorë kur bisedojnë,
mendjen shpesh e ndërrojnë,
sa më shumë jetën shijojnë.
Se Merkuri i drejton,
plot mendime u dhuron.

(Gaforrja)
Romantike dhe e sjellshme,
Jam e butë dhe e vëmendshme,
E përzemërt dhe e këndshme.
Komplimentat i pëlqej,
Emocionet shumë i ndjej,
Në krijimtari shkëlqej.
Hëna është drejtuesja ime.
Më fal ndjenja e kujtime.

(Luani)
I vendosur dhe i fortë jam,
më kanë frikë se jam Luan,
jam krenar, ekstravagant.
Rrezatoj unë në çdo vend,
gjykoj drejt sepse kam mend,
s’mbaj inatin me askënd.
E mbaj veten si një mbret,
Dielli i zjarrtë më jep jetë.

(Virgjëresha)
Jam punëtore e organizuar,
mjaft praktike dhe e zgjuar,
gjithmonë gati për të ndihmuar.
Mësoj shpejt dhe me cilësi,
çdo gjë e bëj me llogari,
Virgjëreshë me kokëfortësi.
Kritikoj shpesh padrejtesitë
ndaj Merkuri më bën dritë.

(Peshorja)
Mua askush nuk ma hedh dot,
nuk më thonë Peshore kot,
dua paqe në këtë botë.
Jam e drejtë dhe më e mira
hijeshi më ka dhënë natyra,
e shoh jetën plot me ngjyra.
Me Venerën perëndeshë,
buza ime vetëm qesh.

(Akrepi)
Jam i këndshëm dhe besnik,
për të gjithë jam magnetik,
nga armiqtë nuk kam frikë.
Këmbëngulës e kundërshtar,
t’i them fjalët ballë për ballë,
Jam Akrep, mister i rrallë.
Veten nuk e përmbaj dot,
se Plutonin kam për zot.

(Shigjetari)
Liridashës dhe bujar,
thotë i zgjuari Shigjetar,
jam nevrik e autoritar.
Optimist dhe i sinqertë,
për mendime jam i shpejtë,
filozof dhe shumë i drejtë.
Aventura më tërheq,
Jupiteri më udhëheq.

(Bricjapi)
Jam Bricjap me mend në kokë,
shumë serioz dhe pak i ftohtë
Kërkoj shumë, s’kënaqem dot.
nuk flas kot, vetëm punoj,
rregullat shumë i respektoj,
ambicioz dhe shumë duroj.
I marr gjërat me ngadalë,
se Saturni nuk më fal.

(Ujori)
Thotë Ujori rrallë zemërohem,
më pëlqen të rebelohem,
kur veproj, para mendohem.
Kam një tip origjinal,
miqësor dhe liberal,
jam human e di të fal.
Me Uranin sundimtar,
mund të bëhem shkencëtar.

(Peshqit)
Misteriozë dhe romantikë,
nga natyra artistikë,
emotivë e simpatikë.
Jemi të drejtë dhe bujarë,
idealistë dhe ëndërrimtarë,
Peshq me shpirt humanitar.
Ne si shenja më e fundit,
i shërbejmë vetëm Neptunit.

 

separatori_16

Krijuar nga N. Herceku (në mars 2001)

Tags: , , ,

  • Twitter
  • Facebook