> Faqja pare > Histori, HISTORIKU I KALENDARIT > Kokino – vendi arkeo-astronomik në trojet ilire

Kokino – vendi arkeo-astronomik në trojet ilire

Kokino, vendi arkeo-astronomik në trojet iliro-thrakeMegalithic_Observatory_Kokino

Vendi arkeo-astronomik, observatori megalitik “Kokino” ndodhet 19 kilometra në verit të qytetit të Kumanovës (Maqedoni) dhe në afërsi të fshatit Kokino. Ky vend u zbulua nga arkeologu maqedonas Jovica Stankovski, drejtor i Muzeumit kombëtar në Kumanovë, në vitin 2001.

Kjo kodër është formuar nga shkëmbinj vullkanik dhe ka një lartësi prej 1013 metra mbi nivelin e detit.

Natyra i ka vendosur këta shkëmbinj në një mënyrë të tillë saqë formojnë pothuajse blloqe ideale kubike shkëmbore të cilët banorët e lashtë parahistorikë mund t’i shndërronin lehtësisht në observatorë për të vrojtuar Diellin dhe Hënën dhe për të kryer rituale fetare. Observatori megalitik “Kokino” paraqet një kompleks origjinal dhe përbërës të formuar 3900 vjet më parë, në një zonë iliro-thrake që para 2500 vitesh mbante emrin Paeonia. 

Të gjitha veçoritë në formë kryqi të observatorit të lashtë janë vendosur në dy platforma, një më sipër dhe një më poshtë, në një diferencë lartësie prej 19 metrash. Format e katër froneve (gur ku ulej sundimtari) të vendosura në një rresht dominojnë anën më të poshtme, perëndimore. Ato janë orientuar në drejtimin veri-jug, duke mundësuar kështu uljen në fron për të vrojtuar shfaqjen në platformën e sipërme, ndërsa majat e shkëmbinjve kishin rolin e një horizonti lindor. Sipas analizave arkeo-astronomike, roli kryesor i froneve ishte kryerja e ritualit për marrëveshjen e perëndisë Diell me “përfaqësuesin” e tij në Tokë – sundimtarin, i cili ulej në  njërin nga fronet (të dytin) gjatë ritualit. Një dëshmi për këtë është blloku i veçuar prej guri me një shenjë (të çarë) të veçantë të bërë në maje, vendosur pikërisht në nivelin më të lartë të vendit.

Rituali kryhej në mesin e verës (sot në ditën e fundit të korrikut) kur Dielli lind pikërisht në të çarën (shenjën) e gurit. Kjo shenjë (formë kanali) ishte bërë me një saktësi të jashtëzakonshme, në një mënyrë të tillë saqë distanca e anëve të saj të jashtme vertikale përputhet plotësisht me diametrin e Diellit, kur vrojtohet nga froni i dytë. Në mënyrë që të mundësojë rrezen e diellit të bie në një nga fronet, njerëzit kishin bërë një kanal (çarje) në shkëmbin vertikal që ndan platformën e sipërme të vendit nga ajo e poshtme. Në ditën e ritualit rrezja e diellit kalon me përpikmëri përmes skajit të djathtë të kanalit dhe bie vetëm në fronin e dytë, domethënë në vendin ku uleshin anëtarët më të pushtetshëm të komunitetit. Dita kur kryhej rituali korrespondonte me kohën e përfundimit të korrjeve – fundin e ciklit vjetor të bimëve, dhe në të njëjtën kohë me mbarimin e energjisë së sundimtarit. Duke u bashkuar me perëndinë Diell, përmes dritës që binte në fytyrën e tij gjatë ceremonisë së ritualit, energjia dhe fuqia e sundimtarit rikthehej. Kjo nënkuptonte shpresë për një jetë plotësisht të qetë për komunitetin dhe për prodhime të bollshme në vitin pasardhës. Njëzet mullinj dore të gjetur në afërsi të vendit bazë të shenjës së ritualit janë një dëshmi për kryerjen e ritit që shënonte përfundimin e të korrave.

Hapësira qendrore e observatorit të lashtë ishte në jug-perëndim të froneve. Kjo përdorej për të vrojtuar horizontin lindor. Të nëntë shenjat (kanalet) në horizontin lindor të përdorur nga “astronomët” e lashtë për shënimet ditore të lindjes së Diellit dhe të Hënës mund të shihen prej aty. Tre nga shenjat (kanalet) shënonin lindjen e Diellit  në ditën e solsticit të verës dhe dimrit, ekuinoksit të vjeshtës dhe pranverës. Gjashtë shenjat (të çarat) e tjera shënonin pikat e lindjes së Hënës së Plotë në ditët kur ajo kishte pjerrësinë më të vogël dhe më të madhe gjatë dimrit dhe verës. Dy shenjat që përdoreshin për të matur kohëzgjatjen e muajve hënorë mund të shiheshin prej aty. Ato përdoreshin për të krijuar një kalendar për një cikël periodik prej 19 vitesh hënore.

Në kalendarin “Kokino” 12 vite hënore kishin nga 12 muaj secili. Gjashtë prej tyre ishin muaj dimrorë prej 29 ditësh dhe gjashtë muajt e verës kishin nga 30 ditë. 7 vitet hënorë që mbeteshin kishin nga 13 muaj hënorë: gjashtë muajt e dimrit prej 29 ditësh dhe shtatë muajt e verës prej 30 ditësh. Këto vite “të tepruara” hënore ishin viti i dytë, i pestë, i tetë, i dhjetë, i 13-të, i 16-të dhe i 18-të në periudhën 19 vjeçare. Ky lloj kalendari paraqet kulmin e mendimit krijues njerëzor të asaj kohe.

Krijimi i kalendarit ishte një nga funksionet bazike të observatorit megalitik “Kokino”. Me shumë mundësi, lajmërimi për ditët kur nisnin ngjarjet më të rëndësishme bëhej me anë të ndezjes së zjarrit në majen e malit vendosur prapa froneve. Kjo pikë hap një pamje në një rreze prej më shumë se 30 km, prandaj zjarri mund të shihej nga banorët e të gjitha vendeve përreth.

Kërkimet arkeologjike në këtë zonë kanë nxjerrë në dritë një nga vendet më të pasura të Epokës së Bronzit në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Kufijtë e saj janë shumë më të gjerë sesa kufijtë observatorit të lashtë që ndodhet në maje të malit. Observatori ka një sipërfaqe prej 0,5 hektarësh, ndërsa vendi arkeologjik mbulon një sipërfaqe prej 30 hektarësh. Zona e investiguar është mjaft e vogël, duke pasur parasysh që aty ka pasur kërkime të vazhdueshme arkeologjike vetëm për pak vite (që prej 2001).

Materiali i shumtë dhe i lëvizshëm arkeologjik përfshihet nga copa enësh prej qeramike, format e të cilave, përcaktojnë periudhën e Epokës së Bronzit në Maqedoni. Më të vjetrat datojnë në Epokën e Hershme të Bronzit (shekujt 19-17 pr.e.s), ndërsa ato të Epokës së Mëvonshme të Bronzit (Shekujt 14-11 pr.e.s) mbizotërojnë. Është gjetur qeramikë monokromatike (njëngjyrëshe) në variante të ndryshme në Ballkanin Perëndimor dhe në zonën e Thrakisë Jugore, por me elemente të zhvillimit vendor. Veçanërisht i rëndësishëm është dheu (materiali) i formimit të akseve prej bronzi dhe një mbajtëse, për herë të parë zbuluar në Maqedoni, por edhe më gjerë.

Artefaktet (sendet) arkeologjike nga ana lindore e pjesës më të lartë të vendit flasin gjithashtu për një nga ritet malore të lidhura me kultin e pjellorisë. Domethënë, pjesë enësh janë zbuluar në disa të çara natyrore në shkëmbinj, nganjëherë rimodeluar në formë pothuajse rrethore në pjesën e sipërme. Gropëzat e vogla të formuara në këtë mënyrë ishin të mbyllura me dhé dhe gurë të vegjël në enët e mbushura me dhurata. Thelbi i kultit është në besimin që maja shkëmbore e malit është trupi i Nënës së Madhe Perëndeshë (Nënës Tokë) dhe të çarat në shkëmbinj –  hapjet e mitrës së saj.

Vendbanimi që ekzistonte që nga periudha parahistorike (Epoka e Bronzit) deri në periudhën protohistorike (kalimi në Epokën e Hekurit), d.m.th. nga shekulli 19 në shekullin 17 pr.e.s ishte formuar në shpatin juglindor të kodrës. Vendndodhja e saktë dhe identifikimi më i plotë do të përcaktohet nga kërkimet arkeologjike në vazhdim.

Observatori megalitik “Kokino” paraqet një vend të fashmëm të veçantë të ruajtur mirë i cili daton nga Epoka e Bronzit në Europën Jug-lindore, dëshmi kjo për aftësitë gjeniale krijuese njerëzore në përdorimin e një burimi specifik natyror për të kënaqur nevojat dhe besimet jetësore. Është i rëndësishëm (1) si observator i lashtë astronomik dhe (2) si mal i shenjtë njëkohësisht.

1) Si observator, kalendari në “Kokino” është në përputhje të plotë me vitin tropikal (diellor), domethënë, me ciklet e bimësisë. Për banorët e asaj epoke paracaktonte datat e sakta të fillimit dhe mbarimit të bujqësisë dhe shtimit të rezervave, duke mundësuar kështu ndërmarrjen e veprimtarive për prodhime të kënaqshme dhe rezultate që mundësonin një jetë të qetë dhe të qendrueshme për komunitetin përreth.

2) Si vend i shenjtë: rrezja që kalonte nëpër kanalin e gurit ndriçonte vetëm udhëheqësin e komunitetit, i cili ulej në një nga katër gurët e froneve, të bërë posaçërisht për nevojat e ritit. Ndriçimi i fytyrës së sundimtarit (udhëheqësit) nënkuptonte bashkimin ceremonial me perëndinë Diell dhe rifitimin e pushtetit të tij mbretëror. Organizimi i veçantë i hapësirës (kozmosit) dhe formimi i disa shenjash guri që shërbenin për kryerjen e ritualeve në lidhje me bujqësinë dhe për lidhjen ceremoniale të sundimtarit me perëndinë Diell, flet për rolin e këtij vendi si një vend i shenjtë.

Përcaktimi i moshës së observatorit, njëtrajtshmëria e strukturës, mënyra e gdhendjes së hapësirës (qiellore) dhe qëllimi i saj i testuar, janë një dëshmi e faktit që është i jashtëzakonshëm dhe i rrallë, dhe sipas disa veçorive – vend unik i të ashtuquaturës kulturë megalitike në botë.

Metodat shkencore të, kryesisht, dy shkencave: astronomia dhe arkeologjia aplikohen në analizat e vlerës së vendit të quajtur “Kokino”. Matjet e sakta dhe përdorimi i metodave astronomike në argumentimin dhe dokumentimin e pozicioneve të vijave (kanaleve) shënuese për lindjen e Diellit dhe Hënës në kohën astronomike saktësisht të përcaktuar, nuk na lejon të dyshojmë për vërtetësinë e shënimit të kanaleve dhe qëllimit të tyre, si edhe për gjithë skicën e observatorit.

Numri i madh i sendeve që tregojnë paprekshmëri në forma, materiali dhe mënyra e prodhimit konfirmon gjithashtu vërtetësi. Ato më të rëndësishmet janë ekspozuar në Institucionin Kombëtar – Muzeu i Kumanovës.

Vendi arkeo-astronomik ruhet në kushte origjinale. “Kokino” si një vend i një rëndësie të jashtëzakonshme hyn në kategorinë më të lartë të pronave të mbrojtura nga shteti, si trashëgimi kulturore. Agjensia Hapsinore e Shteteve të Bashkuara (NASA), në forumin edukativ ‘Lidhja Diell-Tokë’ e ka njohur observatorin megalitik “Kokino” si një trashëgimi e rëndësishme e këtij lloji në projektin e saj “Timeless knowledge”, në 2005. “Kokino” listohet krahpërkrah me observatorët e lashtë si Stonehange (Britani e Madhe), Abu Simbel (Egjipt), Angkor Wat (Kamboxhia), Machu Picchu (Peru), etj.

Arkeologu Jovica Stankovksi, zbuluesi i Kokinos, thotë: “Ne kemi gjetur plot artikuj prej qeramike në këtë vend por ato i përkasin një periudhe të mëvonshme (në krahasim me observatorin). Kjo na na bën të mendojmë se një tjetër qytetërim ka ardhur në këtë vend më vonë, i cili ka shkatërruar qytetërimin që ka zhvilluar observatorin dhe ka ndërtuar koloni të reja pranë tij”.

Emërtimi “Kokino” në gjuhën greke ka kuptimin “i kuq” për shkak të ngjyrës së shkëmbinjve në këtë zonë. Por vendi mund ta ketë marrë këtë emër gjatë periudhës së sundimit të Perandorisë Bizantine në këtë zonë, pasi grekët e lashtë nuk janë shtrirë kurrë deri atje.

 

Përgatiti: Nikolas Herceku (astro-mitolog).

Tags:

  • Twitter
  • Facebook

Komento