> Faqja pare > Ora > Kur u krijua llogaritja e orës

Kur u krijua llogaritja e orës

LLOGARITJA E ORËS TE ROMAKËT E LASHTË
ORA

Romakët trashëguan nga etruskët agrimensurën, shkencën e matjes gjeometrike të kufijve, praktika shumë të dobishme për të vendosur kufijtë e pronave dhe të tokave të pushtura. Nga agrimensura vjen në fakt termi groma, instrumenti matës, instrument tjetër që vjen nga greqishtja ‘gnomon’ (orë diellore që formon hije).
Në fillim romakët vrojtonin kohën ditore mbi fenomenet e dukshme të agimit dhe muzgut, dhe ditën e quanin “dies”, ndërsa natën “noks”. Dita e nesërme quhej ‘postridie’ dhe e pasnesërmja ‘post diem tertium eius diei’ (dita e tretë pas asaj dite). Dita e djeshme apo pragu quhej “pridie” dhe dita para saj quhej (e pardjeshmja) “ante diem tertium”. Kjo ndodhte deri rreth 460 vjet nga themelimi i Romës (Urbes).
Ndërsa babilonasit kishin caktuar fillimin e ditës (24 orëshe) nga lindja e diellit dhe grekët nga muzgu (perëndimi i diellit), për romakët, sikurse dhe sot, fillimi i ditës nis nga mesi i natës, domethënë në mesnatë.
Metoni i Athinës shpiku në vitin 432 pr.e.s ciklin metonik, një cikël nëntëmbëdhjete që i korrespondon 235 muajve hënorë në të cilët bazoheshin kalendarët e ndryshëm aritmetikë hëno-diellorë, si ai hebraik (çifut) që mbajnë sinkroni si me udhën e Diellit ashtu dhe me të Hënës.
Kuadranti (matësi) diellor krijuar nga Metoni përbëhej nga një kapak guri që kishte në qendër një majë apo gnomon që shënonte hijen e diellit në gurin gjysëm-sferik (konkav). Kështu lindi ora si kohë, dhe ora e parë si objekt tek romakët.
Është sistemi i orëve të ashtuquajtura “tempo-rarie” (të përkohshme) apo “të pabarabarta” , me kohëzgjatje sipas stinëve. Në kohën kur Jeruzalemi u pushtua nga Pompeo, domethënë 63 vjet pr.e.s, ishte në përdorim sistemi “katër-palësh”, në të cilin si dita ashtu edhe nata ndaheshin në katër pjesë të barabarta me nga tre orë secila pjesë, por duke bërë në mënyrë që çdo periudhë e vitit, si nata ashtu dhe dita të ndahej gjithmonë në 12 orë.
Pika kryesore e referimit të tërë ditës, domethënë mesdita (meridies), do të zyrtarizohej vetëm në vitin 338 pr.e.s. Rreth vitit 274 pr.e.s. romakët adoptuan përfundimisht ndarjen e ditë-natës në 24 pjesë të barabarta me nënndarjen dymbëdhjetëshe të ditës-dritë.
Ja si i përshkruante Makrobi ndarjet e ditës:
“Koha e parë e ditës quhet rënia e mesnatës; pastaj vjen Gallicinio (pjesa e fundit e natës, kur fillojnë të këndojnë gjelat) dhe më pas Conticinio, kur gjelat heshtin dhe njerëzit atëherë pushojnë. Pastaj vjen diluculo (para-agimi), domethënë kur nis të dallohet dita, pastaj mëngjesi kur dita është e qartë. Nga mëngjesi vijmë të Mesdita nga ku fillon “tempus occiduum” domethënë koha që shkon deri në muzg (perëndimin e diellit). Më pas vjen momenti suprem “suprema tempestas” (koha e fundit), domethënë koha e fundit e ditës e cila do të shprehej kështu në 12 Tabelat: “Perëndimi i diellit do të jetë momenti suprem”; pastaj janë Vesprat (Mbrëmjet) emri i të cilave është marrë nga grekët që ishin frymëzuar nga ylli Hespero (Mbrëmje), prej të cilit Italia quhej Hesperia meqë ishte afër perëndimit. Nga ky moment thuhet “prima fax” (flaka e parë), domethënë pjesa e parë e natës kur ndizen pishtarët e parë. Pastaj vjen nata “Concubia”, domethënë nata e thellë dhe pastaj “Intempesta”, meqë nuk është e favorshme të kryesh veprime.
Në fund të shekullit IV pr.e.s. romakët e ndanin ende ditën-dritë në dy pjesë: para dhe pas mesdite.
Në kohën e luftës me Pirron (280-279 pr.e.s) nisën të ndahen dy pjesët e ditës në dy seksione të tjera:
– Mëngjesi – mane
– Pasmesdita – ante meridium
– Pasditja – de meredie
– Mbrëmja – suprema
Por kohët ndryshonin dhe romakët e ndanë ditën në çerekë. Në vitin 290 pr.e.s., u vendos në tempullin e Kuirinios nga Lucio Papirio Cursore një orë diellore marrë nga Sanitët (popull i hershëm italik). Secila nga katër pjesët e ditës u quajt “Vigjilje”. Një natë ishte formuar nga katër vigjilje me nga tre orë secila që fillonin në perëndim të diellit (muzg) dhe përfundonin në agim.
E para quhej “Vespera” (mbrëmje) , e dyta “Media-nox” (mesnatë), fundi i së tretës quhej “Galicinium”, për shkak të këndimit të gjelit (galo=gjel), dhe e fundit “Conticinium”, e cila llogaritej nga koha e qetësisë, domethënë nga heshtja e gjelit.
M.M. Valerio Messalla, në 263 pr.e.s. vendosi në sheshin e qytetit një orë diellore (Solarium) transportuar nga Catania, e cila nuk ishte shumë e saktë, sepse gjerësia gjeografike e atij qyteti ndryshonte 5 gradë nga ajo e Romës.
Një orë e graduar mbi gjerësinë gjeografike të Romës e gjejmë vetëm në vitin 56 pr.e.s. kur njerku i Augustit, Q. Marcio Filippo, bëri të ndërtohej ora e parë diellore e bërë qëllimisht për Romën.
Në fillim të luftës së parë kartagjenase 263 pr.e.s. konsulli Mario Valerio Massimo Messalla kishte grabitur si plaçkë lufte matësin e orës diellore të Katanias dhe e kishte mbajtur në Comitium (hapësirë publike në Romë).
Plini Plak konfirmon që qysh nga ajo kohë romakët ndiqnin përreth një shekull orën e katanasve por ndoshta vazhdonin ta llogarisnin orën duke u bazuar në pozicionin e diellit në qiell.
Më pas në vitin 164 pr.e.s. siç na tregon Plini Plak, mbikëqyrësi Q. Marcio Filippo bëri të instalohej një orë e përgatitur posaçërisht për Romën atëherë shumë të saktë që vlerësohej shumë nga romakët.
Pas kësaj mbikëqyrësi Publio Cornelio Scipione Nasica dhe Marco Popilio Lenate shtuan pranë dhuratës së Q. Marcio Filippo-s instalimin në 159 pr.e.s. të një ore me ujë që furnizonte matësin e orës diellore kur qielli kishte re apo kur ishte natë.
Orët më të përhapura ishin ato diellore, meridianet, që gjendeshin kudo, si në vendet publike ashtu dhe në ato private, shpesh mbi vargun e kolonave ku binte dielli. Vitruvio përshkruante të tjera prej tyre, me fushë formë luge apo piate. Të tjera dolën në Pompei, shumë të sakta, duke treguar orët stinore, solsticet dhe ekuinokset.
Gjatë shekujve të ndryshëm, përveç orëve diellore ka pasur orë ujorë, hidraulike, orë me rërë etj.
Ja lista e Vitruvios për orët e ndryshme:
Hemicyclium, Scaphem apo Hemisphaerium, Discum in Planitia, Arachnen, Plinthium, Pros ta Istoroumena, Pros pan clima, Pelecinon, Conum, Pharetram, Gonarchen, Engonaton, Antiboraeum, Viatoria Pensilia.

Tags:

  • Twitter
  • Facebook

Komento