> Faqja pare > Perendeshat, Venusi/Afërdita > Miti i krijimit të shiut

Miti i krijimit të shiut

<Afërdita dhe Adonisi>

adonis
Afërdita ishte një nga perëndeshat më të admiruara nga njerëzit. Ajo ishte perëndesha e dashurisë. Njerëzit i luteshin asaj kur ndiheshin të vetmuar dhe kishin nevojë për ngushëllim. Zakonisht Afërdita i ndihmonte prandaj ata e donin shumë. Mirëpo, një ditë ishte vet Afërdita që e ndjeu veten të vetmuar; ishte lodhur duke i ndihmuar të gjithë të gjenin dashurinë e tyre, ndërsa për vete ndihej vetëm. Prandaj ajo vendosi të mos ndihmonte më askënd në jetën e dashurisë derisa ajo vetë të ishte e lumtur me dikë.
Për muaj të tërë ajo endet nëpër tokë e maskuar si një vajzë e bukur njerëzore. Por ajo ishte ende e palumtur dhe një ditë ajo u ul në një gur dhe nisi të qante për veten. Më pas papritmas dëgjon një njeri që i thërret me zë të lartë, “largohu nga rruga, ajo do t’ju godasë”. Afërdita ngriti sytë dhe pa mashkullin më të bukur që kishte parë ndonjëherë. Ai ishte trup i mbushur dhe i gjatë dhe kishte kaçurrela të artë si vet Apolloni. Ajo ishte kaq e hutuar nga pamja e tij saqë nuk e pa karron që po vinte drejt saj. Në çastin e fundit djaloshi u hodh dhe e kapi atë duke e larguar nga vendi ndërsa karroca u përplas në gurin ku ishte ulur Afërdita.
“Faleminderit, më shpëtove jetën”, i tha ajo djaloshit. “S’ka gjë, do ta bëja për gjithkënd”. U përgjigj ai. Më pas ajo mori vesh që ai quhej Adonis. Përfundimisht ata ranë në dashuri me njëri-tjetrin dhe donin të martoheshin. Por Afërdita ishte e pasigurtë për martesën me Adonisin. Ajo e dinte se martesa me një njeri të zakonshëm shihej me përçmim nga perënditë.
Ndërkohë, në Malin Olimp, perënditë ishin tërbuar. Të gjithë kërkonin për Afërditën. Njerëzit nuk besonin më te dashuria dhe ata që luteshin nuk po merrnin më përgjigje. Zeusi ishte ofenduar që Afërdita kishte ikur nga mali Olimp që të kërkonte lumturinë e saj. Nuk mund ta besonte që Afërdita, perëndesha në të cilën besonin shumë njerëz, do t’i braktiste ato për nevojat e saj egoiste. “Do ta ndëshkoj ashpër nëse ajo nuk kthehet në Malin Olimp dhe të përmbushë lutjet dhe ëndrrat e besimtarëve të saj”. – Thoshte Zeusi. Më pas ai dërgon lajmëtarin e tij Hermes për ta gjetur Afërditën menjëherë. “Thuaji që dua të flas me të dhe që duhet të kthehet në kryejë detyrat e saj menjëherë ose përndryshe do ta dënoj”.
Pasi kërkoi kudo nëpër Greqi, Hermesi nuk mundi ta gjente. Ai po ecte përgjatë brigjeve të Kretës kur dëgjoi disa gra që po bisedonin. “A të besohet që Adonisi po martohet?” – Thoshte njëra. “Ai po martohet me një vajzë të bukur që ka takuar në mal. Ajo nuk është nga anët tona; askush nuk e di se nga vjen ajo,” – I thonin njëra-tjetrës gratë.
Duke dërgjuar këtë, Hermesi dyshoi që kjo vajzë që askush s’e njihte mund të ishte Afërdita. Më pas ai shkoi të kërkonte në të gjithë tempujt për të. Pas disa përpjekjesh ai gjeti një vajzë të bukur dhe një djalosh të pashëm të panjohur në tempullin më të madh në Kretë duke bërë ceremoninë e martesës, dhe nuk kishte asnjë dyshim që ajo ishte vetë Afërdita e shndërruar në një femër të thjeshtë.
Hermesi lajmëroi Zeusin për këtë. Zeusi më pas zbriti në Tokë dhe i tha Afërditës të mos martohej me këtë qënie të vdekshme ose përndryshe do ta dënonte. Afërdita nuk deshi ta dëgjonte dhe u martua me Adonisin. Zeusi më pas shumë i egërsuar lëshoi një rrufé mbi Adonisin dhe e dëboi atë në botën e nëndheshme. Më pas ai e syrgjynosi Afërditën në Malin Olimp duke mos i lënë mundësi të largohej kurrë prej aty. Afërdita u dëshpërua shumë dhe nga inati u betua se do t’u thyente zemrat dhe t’u shkaktonte trishtim njerëzve që i luteshin asaj sepse ajo vetë e humbi dashurinë e saj. Nëntë muaj më vonë, ajo lindi Erosin (Kupidin) i cili i kishte ngjarë të atit por ky u bë perëndia i dashurisë. Ndonëse ajo u gëzua se lindi djalin e Adonisit, ajo ishte ende e merzitur për humbjen e dashurisë dhe sa herë që ajo qan lotët e saj bien në tokë duke formuar shiun që ne kemi sot.

Adonisi-aferdita

Afërdita dhe Adonisi

Tags: , ,

  • Twitter
  • Facebook

Komento