> Faqja pare > Histori, Zotat e mitologjisë > Simbolizmi i kurorave të ndryshme dhe ulliri

Simbolizmi i kurorave të ndryshme dhe ulliri

KURORAT DHE LIDHJA E TYRE ME PERENDITË (1)

Kurorat me lule, gjethe apo degë pemësh lidhen ngusht me paganizmin dhe përdoreshin shumë nëpër festa të lashta pagane, sidomos nga priftërinjtë dhe fituesit e garave, veçanërisht kurora me degë ulliri dhe ajo me degë dafine. Sipas mitologjisë, ishte perëndesha Nike (Niki) ajo që lidhej me garat dhe mbante kurorën në dorë për t’ua vendosur në kokë fituesve. Vetë fjala “niki” në greqisht ka kuptimin “fitoj”. Në mitologjinë romake ajo njihet me emrin Viktoria. Por le të njihemi më thellë me kurorat e ndryshme, simbolikën e tyre dhe lidhjen e tyre me perënditë.

kurorat.

1) Kurora me gjethe lisi është simbol i Zeusit, mbretit të perëndive. Lisi simbolizon forcë, jetëgjatësi, ai tërheq vetëtimat që lidhen ngusht me atin qiellor, Zeusin. Përmes gjetheve të lisave të shenjtë në Dodonë jepeshin profeci në Orakullin e Zeusit. Lloje të ndryshme lisash rriten në Greqi: lisi gjetherënës i ashtuquatur real, lisi gjithnjë i gjelbëruar, dhe lisi i shenjtë. Në varrin e Filipit II, mbretit të Maqedonisë së lashtë, është gjetur kurora e tij e cila përbëhet nga degë të argjendta lisi. Kurora qytetare (Corona Civica) ishte përbëhej nga tre lloje të ndryshme lisash. Në disa statuja perandori romak Klaudius paraqitet me kurorë me ndërthurje të ndryshe degësh lisi. Kurora etruske (Corona Etrusca)  imitonte gjethet e lisit, por ishte e përbërë prej ari, shumë e zbukuruar me gurë të çmuar, shirita. Këto përshkrime na vijnë nga shkrimtari romak Plini.

2) Kurora me degë dafine është simbol i dashurisë së Apollonit, perëndisë së Diellit. Thuhet se tempulli i parë i Apollonit u bë prej dafine. Sipas mitit, Dafina ishte e bija e perëndisë së lumit. Apolloni e dashuronte, por ajo nuk i përgjigjej dashurisë së tij. Një ditë Apolloni e ndjek. Dafina vrapon për t’i shpetuar atij dhe mbërrin deri në grykën e Panormit (Palermos). Përballë shtrihej deti dhe lartësia ishte shumë e madhe. Për të mos rënë në duart e Apollonit, ajo iu lut perëndeshës-Tokë që ta shndërronte në dafinë. Pikërisht në këtë vend gjenden shumë dafina dhe po në këtë vend derdhet përroi i quajtur “Përroi i Dafinës”. Që prej asaj kohe Dafina lidhet me Apollonin e cila nga të krishterët njihet dhe me emrin Lari. Dafina rritej brenda faltores së Delfit, dhe gjethet e saj përdoreshin në profecitë e Orakullit. Kurorat me gjethe dafine u jepeshin fituesve në lojrat pitiane, si dhe poetëve. Që nga koha e Augustit shohim monedha me perandorë që mbajnë mbi kokë kurora me gjethe dafine, si simbol të Apollonit (mishërim i Diellit). Agripina e cila shfaqet duke kurorëzuar perandorin Neron me kurorë dafine, në shekullin e parë, paraqitet në një skulpturë në Muzeumin Afrodisias në Turqi. Mbretër dhe perandorë të ndryshëm kanë mbajtur dy lloje kurorash që lidheshin ne Apollonin i cili ishte personifikim i Diellit, simbol i pushtetit: kurora me maja dhe kurora të argjendta me gjethe dafine.

3) Pema e ullirit zakonisht është simbol i perëndeshës Athina, e cila i dha emrin kryeqytetit të Greqisë. Ishte kjo perëndeshë që kishte mbjellë ullirin e parë në Greqi, Akropol, dhe që prej asaj kohe u bë simbol i saj. Kurora me degë ulliri ishte çmimi që i jepej fituesit në lojrat e lashta olimpike. Ishte një degë nga pema e një ulliri të egër që rritej në Olimpia (Peloponez), e ndërthurur në formë rrethi. Degët e ullirit të shenjtë pranë tempullit të Zeusit këputeshin nga një fëmijë (i cili i kishte të dy prindërit gjallë) me një palë gërshërë të artë. Më pas ai i çonte në tempullin e Herës (gruas së Zeusit) dhe i vendoste ato në një tryezë të artë të fildishtë. Prej aty vlerësuesit e Lojrave Olimpike do t’i merrnin, për t’i bërë kurora e për t’ua vendosur në kokë fituesve të garave. Sipas Pausanias ky simbol është futur nga Herkuli si një çmim për fituesin e garave të vrapimit për nder të Zeusit. Në lojrat e hershme olimpike nuk kishte medalje ari, argjendi apo bronzi. Kishte vetëm një fitues i cili kurorëzohej me kurorën prej degëve të një ulliri të egër që merrej nga pema e shenjtë pranë tempullit të Zeusit në qytetin e Olimpias. Kurora ulliri janë shpërndarë dhe në vitin 2004, si pjesë e traditës, kur Lojrat Olimpike u mbajtën në Greqi.

4) Kurora me gjethe dredhke apo hardhie lidhet me Dionisin  i cili ishte perëndia e dëfrimit dhe ringjalljes së Natyrës. Dredhka është simbol i vdekjes, ringjalljes dhe jetëgjatësisë sepse gjelbërimi i saj i përhershëm simbolizon jetëgjatësinë dhe jetën e përjetshme. Kurorat me dredhka apo gjethe hardhie viheshin në festat e Dionist.  Vetë Dionisi paraqitet i kurorëzuar me dredhka apo gjethe hardhie.

5) Mërsina (Myrtale) simbolizon pavdekshmërinë dhe lidhet me perëndeshën Afrodita (Venus). Kurora me degë mërsine mbahej zakonisht nga sportistët grekë por kryesisht dhe nga femrat. Kurorat e argjendta me gjethe mersine mbaheshin zakonisht nga mbretëreshat, një kurorë e tillë është gjetur në varrin e gruas së dytë të Filipit II, mbretit të Maqedonisë antike. Para se të martohej, Olimpia, nëna e Aleksandrit të Madh, thuhet se quhej Myrtale që në shqip përkthehet mërsinë. Kurora aromatike me lule mersine përdoreshin gjithashtu në dasma (martesa) për shkak të lidhjes së saj me Afërditën, perëndeshën e dashurisë dhe martesave. Martesa me kurorë të tillë origjinale thuhej se merrte bekimin e vetë perëndeshës.

 

ULLIRI NË TRADITËN E LASHTË GREKE DHE NË MITOLOGJI (2)olive-tree-9

Pema e ullirit ishte simboli i tërë zonës së Mesdheut gjatë periudhave të lashta. Falë ullinjve ky rajon njihej për burim ushqimi dhe vaj ulliri. Gjithashtu, ulliri respektohet dhe nderohet si një nga dy pemët mitike më të rëndësishme greke, sëbashku me lisin.
Origjina e pemës së ullirit në qytetin e Athinës shpjegohet përmes ndërhyrjes së perëndeshës Athina. Kjo perëndeshë ishte e bija e Zeusit (perëndisë supreme në mitologjinë greke) dhe Metisës e cila simbolizonte maturinë dhe dinakërinë. Athina ishte një perëndeshë luftarake atributet e të cilës ishin shtiza, helmeta dhe mbrojtja (mburoja). Përveç kësaj, Athina ishte perëndesha e drejtësisë dhe e mençurisë dhe mbrojtës së arteve dhe letërsisë (literaturës). Kafsha e saj e shenjtë ishte bufi dhe pema e ullirit ishte një nga simbolet e saj më të njohura. Arsyeja se pse ulliri simbolizonte perëndeshën shpjegohet përmes fragmentit të mëposhtëm mitik:

Poseidoni, perëndia e detit dhe vëlla i Zeusit, lakmonte mbretëritë tokësore prandaj pretendonte të merrte nën zotërim Atikën (emrin e mëparshëm të qytetit), duke i drejtuar sfurkun e tij Akropolit athinian i cili u bë një pus me ujë të kripur. Më vonë, perëndesha Athinë erdhi në qytet dhe e mori atë në një mënyrë shumë paqësore duke thërritur Kekropsin, mbretin e parë të këtij qyteti, si dëshmitar. Perëndesha bëri të çelte një pemë ulliri pikërisht aty pranë pusit. Poseidoni, i zemëruar, doli kundër perëndeshës, por Zeusi ndërhyri dhe urdhëroi formimin e një gjyqi hyjnor për të vendosur se cili nga të dy hyjnitë duhej ta mbante qytetin. Kështu, gjykata e formuar nga perënditë e Olimpit, pasi dëgjoi dëshminë e Krekopsit vendosi në anën e Athinës. U vendos që ishte ajo e cila kishte të drejtë të zotëronte vendin sepse i kishte dhënë qytetit dhuratën më të bukur: ullirin e parë. Që prej asaj kohe, qyteti mori emrin e Athinës dhe pema e ullirit e mbjellë nga perëndesha u nderua për shekuj me radhë në Akropoli duke simbolizuar fitoren.
Në Greqi pema e ullirit simbolizon paqe dhe prosperitet, si edhe rilindje dhe shpresë. Kjo është dëshmuar nga ngjarjet e ndodhura pas djegies së qytetit nga mbreti persian Kserksi në shekullin V pr.e.s. Kserksi e dogji krejtësisht Akropolin, brenda të cilit ishte pema qindravjeçare e ullirit të Athinës, e cila u dogj edhe ajo. Mirëpo, kur athinasit hynë në qytetin e djegur, pema e ullirit kishte çelur tashmë një degë të re, duke simbolizuar rikuperimin e shpejtë dhe rilindjen e qytetit të Athinës.

Herkuli gjithashtu, një nga heronjtë më të njohur mitologjik, lidhet me pemën e ullirit. Edhe pse ishte shumë i ri në moshë ai arriti të vriste luanin e malit Kitheron, i cili po shfaroste fshatin, duke përdorur vetëm duart dhe një hu druri nga një pemë ulliri të egër. Ky akt e identifikoi pemën e ullirit me forcën dhe rezistencën. Herkuli njihet gjithashtu për 12 detyrat e ngarkuara nga mbreti Euristeus për të shlyrë fajet e tij. Gjatë detyrave të tij të rrezikshme ai përdorte armë të ndryshme, ndër të cilat edhe një shkop. Ky shkop ishte marrë nga pema e ullirit dhe nëse futej në dhé fillonte të zinte rrënjë derisa bëhej pemë.

Pema e ullirit, duke qënë e shenjtë, përdorej shpesh nga njerëzit si një dhuratë për perënditë. Kjo dëshmohet në historinë e Teseut, heroit kombëtar të Atikës, i cili gjithashtu ka të pranishme pemën e ullirit në historinë e jetës së tij. Teseu ishte djali i Egjeut, mbretit të Atikës, dhe gjatë gjithë jetës së tij kaloi shumë aventura. Një nga ato ishte përballja me Minotaurin në ishullin e Kretës. Para se të niste aventurën e tij iu lut Apollonit për mbrojtje ku si shpërblim do t’i jepte dhuratë një degë të shenjtë ulliri nga Akropoli i Athinës.

Një nga festat më të famshme në Athinë ishte festivali Panathiniak, kremtuar në nderim të perëndeshës Athina, mbrojtëses së qytetit. Zakonisht festa zhvillohej në korrik dhe zgjaste disa ditë, gjatë të cilës kishte kuaj garash, spektakle sportive, gara dhe shfaqje të ndryshme muzikore dhe letrare. Fituesve të garave u jepej një amfore (lloj qypi me vegjë) me vaj ulliri, e cila kultivohej në fushat me ullinj të Atikës, si dhe u viheshin në kokë kurora me degë ulliri.
Akti kryesor i këtij celebrimi ishte parada e cila përfshinte pjesën më të madhe të qytetit dhe kulminonte në Tempullin Parthenon në Akropoli. Të gjithë anëtarët e komunitetit merrnin pjesë në paradë, përfshirë gjykatësit, priftërinjtë, fituesit që mbanin kurora me degë ulliri, vajza të reja nga familjet më të rëndësishme që mbanin dhurata, pleq që mbanin degë ulliri, luftëtarë…

Lojrat sportive të celebruara në qytetin e Olimpias, në Peloponez, janë një tjetër festë shumë e rëndësishme fetare greke. Në këtë rast ato festoheshin me një interval katër vjeçar për nder të Zeusit. Lojrat e qytetit të Olimpias ishin pjesë e lojrave panhelenike (mbarë-Greqisë). Lojrat përfshinin jo vetëm aktivitete fizike por dhe mendore. Çmimi që u jepej fituesve ishte një kurorë me degë ulliri.

Herodoti na tregon një histori në lidhje me kurorën me degë ulliri. Kserksi, mbreti i Persisë, po pyeste disa nga arkadët pas betejës së Thermopileve. Ai kërkoi të dinte se pse kishin ardhur kaq pak grekë për të mbrojtur Thermopilet. Përgjigja ishte “Sepse shumica prej burrave po merrnin pjesë në lojrat olimpike”. Dhe ai pyeti përsëri “Po cili është çmimi për fituesin?”, “një kurorë me degë ulliri” iu dha përgjigja. Më pas Tigrani, një nga gjeneralët e tij shprehet: “Oh Perëndi! Çfarë lloj njerëzish janë ata, kundra kujt na ke sjellë të luftojmë? Njerëz që nuk konkurrojnë për pasuri por për virtyt”.

Perëndesha e pemës së ullirit tregohet gjithashtu në gojëdhënat që Higjinio paraqet në tekstet e tij duke rrëfyer se si grekët vendosnin në anët e hyrjes kryesore të shtëpive të tyre një degë të vogël ulliri si simbol mbrojtjeje nga shpirtrat e këqinj.

Pjelloria ishte një tjetër atribut i pemës së ullirit, dhe siç u përmend më parë, ulliri ishte një nga pemët më të kultivuara në Greqi dhe frutat e tij kanë ushqyer grekët për shekuj me radhë. Si përfundim, familjet që kërkonin pjellori në tokat e tyre, kërkonin këtë pemë. Dëshmia e identifikimit të pemës së ullirit me pjellorinë (prodhimin) janë paradat që zhvilloheshin për nder të Dionisit, perëndisë së pjellorisë dhe rilindjes, në të cilat njerëzit mbanin lule, fruta dhe degë ulliri. Lidhja ndërmjet shoqërisë greke dhe pemës së ullirit ishte shumë e fortë. Kjo pemë e veçantë për ta simbolizonte forcë, fitore, prodhim, rezistencë dhe ishte diçka e shenjtë kur iu dhurohej perëndive.

Përgatiti. N.Herceku

 

 

Për më tepër mbi kurorar lexoni te ky link:

http://www.academia.edu/3604218/WREATH_ITS_USE_AND_MEANING_IN_ANCIENT_VISUAL_CULTURE

Tags: , ,

  • Twitter
  • Facebook

Komento