> Faqja pare > Aleksandri i Madh, Histori > Disa fakte që Maqedonia e lashtë ishte qytet-shtet grek

Disa fakte që Maqedonia e lashtë ishte qytet-shtet grek

  resize

A ISHTE MAQEDONIA E LASHTË  E ALEKSANDRIT TË  MADH NJË QYTET-SHTET GREK?  

Sipas versionit zyrtar (wikipedias britanike, etj,) Maqedonia e lashtë përshkruhet si një mbretëri e vjetër e Greqisë arkaike dhe klasike, ku pas sundimit të Aleksandrit të Madh ajo u bë qyteti dominues i Greqisë Helenistike. Periudha nga vdekja e Aleksandrit deri në pushtimin e Greqisë nga romakët u quajt Periudha Helenistike, për shkak se ish perandoria e Aleksandrit drejtohej nga gjeneralët e tij. Gjatë kësaj kohe nuk ishte Athina qytet-shteti (Polisi) kryesor helen por Aleksandria (e Egjiptit) e cila drejtohej nga dinastia e Ptolemeut (një prej gjeneralëve të Aleksandrit) deri me përfundimin e saj me Kleopatrën në shekullin I pr.e.s.

Herodoti (babai i historisë) dhe Tukididi (460-400 pr.e.s) na tregojnë se dinastia e Aleksandrit të Madh rrjedh nga Argosi i Greqisë (Peloponez). Mbreti i parë maqedonas i ardhur nga Argosi ishte Perdikas I i cili sundoi në vitet 700-678 pr.e.s. Ndësa sipas një version tjetër mitologjik, mbreti i parë maqedonas ishte Karanos, i biri i Temeneut, mbretit të Argosit i cili sundoi në vitet 808 -878 pr.e.s dhe sipas mitit ai ishte nip i dinastisë së vet Herkulit (birit të Zeusit) dhe si rrjedhojë familja e Aleksandrit të Madh e konsideronte veten ‘dera e Herkulit’ dhe adhuronte Zeusin njësoj si pjesa tjetër e Greqisë. Madje Aleksandri mbante shpesh gëzofin e një luani ashtu siç përshkruhet Herkuli në mitologji. Herkuli është një nga krye-heronjtë e mitologjisë greke i cili njihej me emrin Heraklios, prandaj qyteti kryesor në Kretë mban këtë emër (Iraklio). Argosi i hershëm, pra vendi nga ku kanë origjinën paraardhësit e Aleksandrit të Madh, si simbol mbretëror mbante Diellin në stemat dhe flamujt e vet, njësoj siç bëri Filipi II dhe Aleksandri (prandaj maqedonasit e sotëm ruajnë akoma këtë simbol në flamur si pretendentë pasardhës të tij). Deri këtu Aleksandri konsiderohet me prejardhje greke.

Një fakt tjetër që e bën Aleksandrin (apo maqedonasit e lashtë) grek është pjesëmarrja e tyre në Lojrat Olimpike. Herodoti na tregon se në këto lojra lejohej të merrnin pjesë vetëm grekët. Që maqedonasit ishin me prejardhje Argeade (nga Argosi) kjo u vërtetua nga gjykatësit e lojrave olimpike në shekullin 5 pr.e.s kur ato lejuan Aleksandrin e parë (498-454 pr.e.s) të merrte pjesë në garë, pra kjo ka ndodhur rreth 100 vjet para periudhës së Aleksandrit të Madh. Madje në vitin 408 pr.e.s mbretëria e Maqedonisë ishte një nga fitueset e këtyre lojrave. Në ditën kur lindi vet Aleksandri i Madh (në verën e vitit 356 pr.e.s) thuhet se Filipi po merrte pjesë në lojrat olimpike në Olimpia (Peloponez) kur i erdhi lajmi i gëzueshëm që ishte bërë me djalë. Pra deri këtu kemi një fakt tjetër që Maqedonia e lashtë ishte një nga qytet-shtetet greke.

Tjetër gjë që e bën Aleksandrin e Madh apo maqedonasit e lashtë grekë janë emrat dhe feja. Maqedonasit e lashtë besonin në të njëjtat perëndi si grekët. Zeusi, Dionisi, Apolloni, Artemisa etj, ishin pjesë e panteonit maqedonas. Madje muajt e kalendarit maqedonas kishin emrat e këtyre perëndive, duke nisur nga muaji i parë që niste në tetor dhe mbante emrin e krye-perëndisë (Dios = i Zeusit). Një ditë kur ai ishte fëmijë, e ëma i tha Aleksandrit se ai ishte bir i Zeusit, pra hyjnor njësoj si Herkuli (bir i Zeusit dhe ky). Prandaj ai kur pushtoi Egjiptin, atje u ripagëzua nga priftërinjtë egjiptianë si ‘bir i Amonit’ (Meri-amun) që ishte ekuivalent i Zeusit.

Emri Aleksandros nga greqishtja e vjetër ka kuptimin “mbrojtës i burrave”, grekët akoma dhe sot burrit i thonë ‘Andras’. Emri i të atit “Filipos” nga greqishtja ka kuptimin “mik/dashamirës i kalit”. Çdo fjalë që ka termin ‘filo’ ka kuptimin “mik/dashamirës’ (p.sh. filosofia – mik i dijes, etj.). E ëma, Olimpia, ka emrin e qytetit grek të Olimpias në Peloponez (pra aty ku zhvilloheshin lojrat olimpike). Në fëmijëri ajo mbante gjithashtu emrin grek Myrtale që përkthehet ‘lule mersinë’ (simbol i perëndeshës Afroditë). Një nga motrat e Aleksandrit quhej Thesalonike njësoj siç quhet sot Selaniku në greqisht. Thesalonike në greqisht ka kuptimin “Fitorja e Thesalisë”. Gjyshja e Aleksandrit (pra nëna e Filipit) quhej Euridike qe nga greqishtja e lashtë përkthehet “drejtësi e madhe”. Miku i tij më i ngushtë Hefestion kishte emrin e një perëndie greke, Hefestos, që ka kutimin vullkan. Grekët e sotëm akoma e përdorin këtë fjalë për vullkanin (Ifestos). Kali i Aleksandrit quhej Bucefalos (Bou+Cefalos) që ka kuptimin “kokë-dem” ngaqë ishte kokëfortë. Grekët e sotëm akoma i përdorin këto fjalë për kokën (cefalos) dhe për demin (buos). Pa vazhduar më tej me emrat këtu vërtetohet akoma më shumë origjina helene e Maqedonasve të lashtë dhe Aleksandrit të Madh.

Disa mendojnë që Aleksandri nuk ishte grek për faktin se ata grekët i quanin barbar apo anasjelltas. Por autorët antikë pohojnë se barbar nuk ka kuptimin domosdoshmërisht ‘ata që nuk flisnin greqisht’, por ka raste kur përdoret në kuptimin ‘ata që nuk e flasin mirë gjuhën e një vendi të caktuar’ (pra me kuptimin ‘i paqytetëruar’). Kjo fjalë zakonisht përdorej nga Athiniotët për të sulmuar popujt e tjerë grek me të cilët ishin në konflikt. Mos harrojmë që Filipi i Maqedonisë beri luftë me Tebën, Athinën duke i nënshtruar ato. Pas kësaj Filipi mori Aristotelin nga Athina për t’i mësuar të birit (Aleksandrit) dialektin atik të Athinës që më vonë u bë gjuha standarte e mbarë Greqisë e më gjerë. Greqia në atë kohë kishte katër dialekte kryesor dhe vetëm falë bashkimit të saj nga Aleksandri u krijua gjuha standarte atike (dialekti athiniot-jonik me të cilin u shkruan veprat e Homerit dhe Hesiodit).

Aleksandri kur hypi në pushtet bashkoi gjithë qytet-shtetet e tjera greke (helene) pa luftë sepse grekët e konsideronin si rracë të tyre. Më përpara janë zhvilluar luftra midis Maqedonasve dhe Dardanëve, Epirotëve dhe fiseve ilire, por dhe midis qytet-shteteve greke (si Athina me Spartën etj).. Vet Aleksandri i Madh shpartalloi ilirët në fillimet e pushtetit të tij ku më pas i nënshtroi dhe i bashkoi ata në ushtrinë greko-maqedone për të luftuar persët.

Pella, vendlindja e Aleksandrit, dhe njëkohësisht kryeqyteti i Maqedonisë antike ndodhet pranë Selanikut, prandaj në Selanik ndodhet një nga sheshet që mban emrin “Aleksandri i Madh i Maqedonisë” ku në mes ka statujën e Aleksandrit (kjo në foto). Kjo zonë (Selaniku me krahinat përreth) mban akoma emrin krahina e Maqedonisë në dokumentat greke dhe jo vetëm. Gjithsesi një pjesë e mirë e nënshtetasve të Maqedonisë së sotme kanë lidhje me Aleksandrin e Madh pasi një pjesë e Maqedonisë së sotme (FYROM) ishte pjesë e Maqedonisë së lashtë dhe sipas sondazheve gjenetike në bazë AND-je një përqindje e konsiderueshme e tyre kanë lidhje me Maqedonasit e lashtë, prandaj ky vend meriton të quhet të paktën Maqedonia Veriore për të bashkë-ndarë me grekët emrin antik të zonës dhe heroin e lavdishëm të saj, Aleksandrin e Madh të Maqedonisë (të quajtur Megas Aleksandros). Megjithatë statuja të Aleksandrit nuk ndodhen vetëm në Greqi apo Maqedoninë e sotme, por dhe në Aleksandri të Egjiptit, qytetin ku mban emrin e tij dhe që ai vet themeloi. Aleksandria ishte qyteti më i rëndësishëm helen pas vdekjes së Aleksandrit, aty ndodhej biblioteka më e madhe e botës që më vonë u shkatërrua nga romakët e më vonë nga arabët. Prej aty u përhap kultura greke (helene) në perandorinë romake e më gjerë. Ndonëse Aleksandri konsiderohet heroi më i madh grek ai u përket të gjithëve, ëndrra e tij ishte ta bashkonte botën nën një perandori të vetme, me një gjuhë të vetme (greke atike), dhe po të kishte jetuar gjatë mund t’ia kishte arritur. Mos të harrojmë që Perandoria e tij u shtri deri në Indi. Falë tij greqishtja atike u bë më pas gjuhë zyrtare e botës helenistike (vendet ku ai sundoi), falë tij Perandoria Bizantine përdori këtë gjuhë zyrtare ku dhe vet bibla u shkrua në këtë gjuhë në fillimet e saj. Duam apo s’duam ne e vërteta provohet me fakte e prova dhe jo me dëshira e emocione.
Pavarësisht këtyre Aleksandri mbetet njeriu më i madh në histori dhe e gjithë bota perëndimore duhet të krenohet me të.

Përgatiti: N.Herceku (astro-mitolog)

Tags: ,

  • Twitter
  • Facebook

Komento