> Faqja pare > Tempujt > Gurët e Karnakut

Gurët e Karnakut

MISTERI I GURËVE TË KARNAKUT

<Gurët e Karnakut> janë një koleksion jashtëzakonisht i dendur i siteve (vendeve) megalitike përreth fshatit francez të Karnakut, në Bretanjë (Veri-perëndim të Francës), që përbëhet nga më shumë se 3000 gurë megalitikë (gjigantë) parahistorikë të ngritur në këmbë nga një popull para-kelt i kësaj zone. Ata janë koleksioni më i madh në botë, megjithatë qëllimi i tyre nuk është zbuluar kurrë.

Ky vend i lashtë përbëhet nga gurë të veçuar (menhirs) dhe grupe prej shumë gurësh (dolmens). Grupi kryesor i radhitjes së gurëve përfshin 12 rreshta gurësh të bashkuar që qëndrojnë më shumë se një kilometër me mbetjet e një rrethi guri në të dyja anët. Gurët më të mëdhenj, rreth 4 metra të lartë, janë në pjesën perëndimore dhe ato bëhen gjithnjë e më të vegjël përgjatë gjatësisë së rreshtit duke zbritur në lartësi rreth 0.6 m.

Mendohet se gurët janë ndërtuar gjatë periudhës së neolitit, që zgjat nga 4500 pr.e.s deri në vitin 2000 pr.e.s, por në në të vërtetë arkeologët kanë pasur vështirësi të mëdha në përcaktimin ekzakt të datave, pasi pak material është gjetur nën to që mund të përdoret për përcaktimin e vjetërisisë së radiokarbonit.

Një legjendë vendase tregon se një ushtri apo legjion romak ishte në marshim kur magjistari Merlin i ktheu ato në gur. Mirëpo kjo teori nuk qendron pasi gurët janë shumë më të hershëm se periudha romake.

Poeti i lashtë grek Pindari na rrëfen një tjetër legjendë, ai përmend një vend mistik të quajtur Hiperborea, larg në veri, ku Dielli ndriçonte 24 orë në ditë. Sipas legjendës, Apolloni (perëndia e Diellit) e vizitonte Hiperborean çdo 20 vjet, duke fluturuar me karrocën e tij të zjarrtë. Apolloni iu thoshte grekëve: “tani do të largohem për të takuar njerëz të tjerë. Duhet të shkoj të mësoj dhe ata”. Dhe ata e pyetën: “ku është ky vend?”. Dhe ai u thotë: “po shkoj në një vend që është përtej veriut, është toka e Hiperboreas”.

Gjatë historisë ka pasur shumë teori që janë përpjekur për të shpjeguar qëllimin e këtyre gurëve misterioze. Një nga studiuesit që ka studiuar gurët supozonte se ata mund të kenë qenë një detektor (zbulues) i ndërlikuar tërmetesh. Një interpretim tjetër thotë se gurët janë ngritur nga njerëzit e lashtë për të nderuar paraardhësit e tyre, ende të tjerë mendojnë se ato kishin qëllime astronomike në natyrë. Ka gjithashtu mendime se ato i kanë ndërtuar gjigantët dhe se kishin qëllime për të kontaktuar me jashtëtokësorët pasi rreshtat e tyre mund të shiheshin lehtësisht që nga hapësira. Shumica e gurëve peshojnë nga 50 deri 100 ton, por ka ndonjë që shkon deri në 300 ton.

Nëse gurët në të vërtetë ishin të lidhur me astronominë, është e mundur që ata të vepronin si kalendarë dhe observatorë, në mënyrë që fermerët e lashtë të dinin stinët dhe se kur të mbillnin dhe korrnin prodhimet e tyre dhe priftërinjtë mund të parashikonin fenomene të tilla si eklipset e diellit dhe hënës. Alexander Thom, i cili ka analizuar shumë megalite në Britani dhe Francë, beson se Karnaku ishte një observator i madh hënor.

Hulumtimet vazhdojnë ende për të provuar nëse këto shenja guri shërbejnë si vende për astronomi ose nëse ato ishin në linjë me Diellin apo Hënën në një mënyrë të veçantë. Por tani për tani, qëllimi i tyre i vërtetë mbetet i paqartë.

Tags:

  • Twitter
  • Facebook

Komento