> Faqja pare > Histori e astrologjisë > Historia e astrologjisë në epoka të ndryshme

Historia e astrologjisë në epoka të ndryshme

Historia e astrologjisë mesopotame
Astrologjia është një praktikë e lashtë që civilizime të ndryshme me sa duket kanë zhvilluar në mënyrë të pavarur. Kaldeasit që jetonin në Babiloni konsultoheshin me të që prej 3000 vjet pr.e.s. (ndërsa kinezët e praktikonin që rreth 2000 vjet pr.e.s).
Duke vëzhguar Siriusin që ngrihej, egjiptianët parashikonin fryrjen e lumit Nil. Kur Siriusi ngrihej në qiell , ata e dinin që cikli vjetor rifillonte.

Nga Egjipti, Siriusi nuk është i dukshëm në qiell veçse në një pjesë të vitit. Ata e dinin që shfaqja e Siriusit në qiell përkonte me stinën e fryrjeve të Nilit. Edhe pse i vëzhgonin ngjarjet qiellore, egjiptianët nuk ishin astrologë të theksuar, siç mendohet. Astrologjia perëndimore, ajo që njohim ne sot, ka nisur në Mesopotami rreth 2000 vjet pr.e.s., në Irakun e sotëm. Ka mundësi që të ketë nisur edhe më përpara, por dokumentat e para që përmendin astrologjinë, të gjetura përmes kërkimeve astrologjike, datojnë nga kjo epokë. Në Babiloni, dijetarët mesopotamë vëzhgonin qiellin. Në çdo aspekt planetar, ata shikonin një ndeshje (dyluftim) ndërmjet zotave. Dhe meqë ajo që është lart ndodh edhe poshtë, ata kërkonin gjithmonë një incidencë sinkronizmi. Në këtë epokë, mitologjia dhe astrologjia përziheshin plotësisht. Planetët ishin zota (perëndi). Astrologjia ishte në shërbim të shtetit. Dëshmitë e shkrimeve më të vjetra të gjetura që flasin për astrologjinë datojnë që nga viti 1700 pr.e.s. Astrologët i bënin raporte mbretit. Qendrat astrologjike formonin një rrjet perandorak. Raportet e shkruar ishin mbi të gjitha një punë kolektive. Biblioteka në Ninivë ishte veçanërisht e orientuar drejt nevojave të astrologëve të mbretit. Sot, na mungojnë shumë dokumenta për të treguar këto histori. Nuk kishte asnjë formë të astrologjisë popullore që të jetë identifikuar (rregjistruar). Tabletat prej argjili kuneiformë janë vetëm dokumenta zyrtarë, që mund t’i përdorte vetëm mbreti. Këto informacione qarkullonin edhe mbi tableta prej dylli ose me letra papirusi, por këto materiale janë delikate, që i rezistojnë shumë pak kohës. Shumë dokumenta qenë shkatërruar nga pushtimi persian në vitin 538 pr.e.s. Për më tepër, edhe niveli i ujrave është ngjitur përgjatë shekujve deri në atë zonë, duke shkatërruar informacionet. Na mbeten praktikisht vetëm dokumenta që janë caktuar për astrologjinë mbretërore. Astrologjia ishte një besim (fe); zotat e mitologjisë ishin planetët. Priftërinjtë mesopotamë i ruanin me fanatizëm privilegjet e tyre dhe nuk i linin dijet e tyre të dilnin nga tempujt.
Forma të ndryshme astrologjie ekzistonin gjithashtu në Indinë antike dhe tek Majatë e Amerikës qëndrore. Rreth vitit 500 pr.e.s, astrologjia u përhap në Greqi, ku filozofët si Pitagora i referoheshin asaj në studimet e tyre fetare dhe astronomike.

Historia e astrologjisë greke
Pitagora u formua në astrologji në shekullin VI pr.e.s. Ai qëndroi 8 vjet në Mesopotami. Astrologjia mesopotame u shfaq në Greqi. Megjithatë Pitagora ndryshoi mënyrën themelore të trajtimit të astrologjisë. Ai donte që njerëzit të mos i nënshtroheshin fatit, ndërkohë që në Babiloni njeriu nuk ishte asgjë tjetër veçse një lodër në duart e perëndive.
Kasta (klasa sociale) e priftërinjve mesopotamë u shkri nga persianët në shekullin VI pr.e.s. Astrologjia nuk ishte më një shkencë e mbyllur dhe mundi të përhapej kudo në botë. Grekët shkuan të mësojnë në Mesopotami.
Një zodiak që tregon gradët është shfaqur rreth vitit 400 pr.e.s. Tema e parë individuale astrologjike daton në të njëjën epokë. Më përpara hartat astrologjike formoheshin vetëm për mbretin dhe shtetin.
Grekët punonin, duke ndjekur punimet e Pitagoras, mbi racionalizimin (shpjegimin e arsyeshëm) e astrologjisë. Një cikël kalendarik prej 19 vitesh i eklipseve u krijua nga Metoni në vitin 432 pr.e.s. Euktemoni formon zodiakun e parë tropik të rregullt, të bazuar në stinët. Zodiaku i epokës, që bazohej mbi yjësitë, po përdorej më pak. Temat e para individuale që janë gjetur datojnë pak a shumë prej kësaj periudhe.
Grekët u ndikuan nga mesopotamët. Platoni kishte vizionin e tij për astrologjinë. Kontaktet e tij me astrologët e Babilonisë i dhanë mundësinë të përziejë mendimet ndërmjet një astrologjie të bërë për të zhvilluar njeriun dhe një astrologjie ku njeriu është në shërbim të perëndive që nënshtrojnë individin ndaj fatit.
Në 331 pr.e.s. Aleksandri i Madh pushton Lindjen e Mesme. Ai mbledh në Aleksandri dijet (njohuritë) e asaj periudhe. Kërkuesit tashmë mund të punonin në mënyrë më shkencore. Zodiaku me gradët e tij daton paksa pas kësaj periudhe. Llogaritja e ashendentit daton më vonë, në fillim të epokës së krishterë. Shumë astrologë grekë e kanë zhvilluar astrologjinë ndërmjet vitit 300 pr.e.s deri në lindjen e Krishtit. Kidinu dhe Beroza qenë nderuar për punët e tyre. Beroza ishte ndër të parët që ndërtoi teorinë mbi fazat e Hënës. Efemeridet e para qiellore datojnë prej vitit 308 pr.e.s. Tabletat e zbuluara shënojnë jo vetëm pozicionet planetare, por edhe fakte politike, nivelin e ujrave, etj.
Interpretimet e gjykuara si të vlefshme (disa janë të vlefshme edhe sot) u ndanë nga ato që u quajtën të pavlefshme. Shumë grekë punonin në bibliotekën mbresëlënëse të Aleksandrisë, si Euklidi, Timokaris, Aristarku (i cili tashmë kishte një teori heliocentrike për universin), Apollinio dhe Hiparku (i cili zbuloi lëvizjen e ekuinokseve).

Historia e astrologjisë në epokën e krishterë
Në shekullin IV, të krishterët mendonin që praktika e astrologjisë ishte në kufirin e një akti përdhosës (sakrilegj). Perëndimi e hidhte poshtë atë. Nuk kishte më mendimtarë të mëdhenj në Perëndim. Persianët (arabët e sotëm) ishin të vetmit që e zhvilluan këtë ‘art’. Ishte në Lindje që grekët vazhduan ta përmirësojnë astrologjinë. Në shekullin III, mbreti Shapur I ishte një mbrojtës i filozofëve, ai përkrahte kërkimet. Shumë përkthime tekstesh astrologjike ndodhen në atë epokë. Arabët ishin më tolerantë sesa të krishterët apo romakët. Mësimdhënia astrologjike arriti kulmin rreth vitit 750. Në vitin 777, u themelua shkolla e parë astrologjike në Bagdad. Albunasar e drejtoi këtë shkollë në mesin e shekullit IX. Ky njihej shumë për përkthimet e tij të teksteve të vjetra. Është përmes Spanjës që puna e astrologëve arabë u përhap në Europë. Njerëzit e Galisë (Francës së sotme), dhe të Italisë shkuan në Kordu (Kordova) për t’u mësuar nga arabët. Arabët nga ana intelektuale ishin më të përparuar se europianët fund-mijëvjeçarit të parë. Puna e astrologëve arabë ishte e rëndësishme. Megjithatë, pak vepra të astrologjisë arabe janë përkthyer në kohët e sotme.
Në Europë, disa dokumenta u ruajtën në manastire. Në shekullin IX, astrologjia u shfaq përsëri në Europë. Shumë dijetarë i kanë konsideruar astrologjinë dhe astronominë si shkenca plotësuese të njëra-tjetrës deri në fillim të shekullit XVI.

Historia e astrologjisë në Mesjetë
Në shekullin IX, Alkuini ishte astrologu i Karlit të Madh. Astrologjia ishte sidomos botërore dhe astrologët interesoheshin shumë pak për individët. Astrologjia ndihmonte mbretërit në luftrat e tyre. Pellitus dhe Bede i Nderuari (le Vénérable) janë astrologët më të famshëm të kësaj periudhe të historisë. Kleri i përkrahte studimet astrologjike. Kishte jashtëzakonisht shumë astrologë në fundin e shekullit IX. Zotërinjtë (feudalët) ishin të vetmit që i punësonin astrologët, gjë që nxiti kryesisht studimin e astrologjisë botërore. Astrologët duhej të ndihmonin në vendimet politike. Në shekullin XI, u prodhuan tekstet e para europiane. Një konflikt u krijua ndërmjet astrologëve dhe njerëzve të Kishës. Kjo mospërputhje ideologjike, midis ndikimit të Zotit dhe atij të trupave qiellorë, e shtyu astrologjinë të orientohej më shumë drejt një aspekti kolektiv sesa individual. Shumë astrologë pasonin njëri-tjetrin, si Thomas d’Aquin (1225-1274), Francis Bacon, Guillaume de Conches, etj. Astrologjia përhapej kudo në Europë. Disa astrologë ishin këshilltarë ushtarakë. Në Itali, Guido Bonatti ishte drejtues formal i astrologjisë italiane. Astrologjia mësohej në universitet. Kardinali Pierre d’Ailly kishte parashikuar në 1414 që viti 1789 do të ishte një vit ndryshimesh tronditëse!… Astrologjia u bë një tregti fitimprurëse, me gjithë tejkalimet e saj, në shekullin XIV. Astrologët kërkonin punë në oborret mbretërore të Europës. Disa u bënë diplomatë. Ngjarjet madhore astronomike – kometat, eklipset dhe bashkimet planetare – ishin referimi bazë i parashikimeve të astrologjisë botërore. Shtypshkronja favorizoi zgjerimin e astrologjisë. U shtypën kalendarët (almanakët) e parë astrologjikë në vitin 1469. Arriti epoka e Rilindjes.

Historia e astrologjisë në periudhën e Rilindjes
Gjatë Rilindjes, astrologët ishin të pranishëm në politikë. Për shembull, në vitin 1500, Regiomontanus vendosi datën se kur duhet të ndërtohet Universiteti i Presburgut (Hungari), sipas studimeve të tij astrologjike. Henri VII ishte përkrahës i astrologjisë. Në Angli, Thomas Cromwell punësoi astrologët si ambasadorë. Elizabeta I u përpoq të kufizonte parashikimet e merzitshme që qarkullonin në atë periudhë, sepse kjo kishte një ndikim negativ mbi popullin. Prandaj u ndaluan edhe parashikimet e Nostradamusit në 1558 në Angli. Ndryshimet sociale të këtij vendi, me vdekjen e kësaj të fundit, konfirmonin pjesëmarrjen në politikë të astrologëve të asaj kohe. Në të gjithë Europën, astrologët mbizotëronin në oborrët mbretërore. Luc Gauric pati sukses kur parashikoi që Aleksandër Farnes do të ishte papë. Nostradamusi ishte akoma edhe më i famshëm. Papati i përkrahte astrologët. Mjekët ishin astrologë. Tycho Brae dhe Kepler kanë sjellë saktësinë shkencore në llogaritje, duke lënë mënjanë tendencat parashikuese më të errëta, më mistike, të kolegëve të tjerë si Nostradamus apo John Dee. Morin de Villefranche merrej me punë politike, nën mbrojtjen e Anës së Austrisë. Luther dhe Calvin forcuan qëndrimin e tyre kundër rëndësisë që merrnin astrologët. Qëndrimet kundër astrologjisë u shtuan në fundin e shekullit XVII. Volteri e dënoi astrologjinë. Disa amerikanë, si Washington, Jefferson dhe Franklin ishin astrologë. Data e nënshkrimit të traktatit të deklarimit të pavarësisë u vendos sipas astrologjisë.
Në këtë periudhë, zbulimet astronomike të realizuara nga Koperniku dhe Galileu tronditen disa baza të kësaj fushe.

Historia e astrologjisë në epokën bashkëkohore
Që prej zbulimit të Uranit, në 1783, astrologjia doli jashtë përdorimit në arenën politike. Sistemi astrologjik i përqëndruar mbi shtatë ‘planetët’ e dukshëm deri te Saturni nuk mund të ishte i saktë, sipas kritikëve. Urani (që simbolizon revolucionet, ndryshimet tronditëse), detyroi që gjithçka të rishikohej. Në atë kohë nuk merrej fare parasysh thellimi psikologjik. Planetët përtej Saturnit kanë një ndikim shumë të rëndësishëm mbi të pavetëdijshmen. Jungu dhe Frojdi kanë ndihmuar në zbulimin e shumë zonave të reja, kësaj here të brendshme. Jungu ishte gjithashtu astrolog, megjithëse i përmbajtur mbi këtë pikë. Në shekullin XX, ndonëse duket e çuditshme, nazistët e përdornin astrologjinë për qëllime enigmatike. Nazistët ishin fillimisht një sekt, gjë që shpjegon anën e tyre të ndriçuar nga një doktrinë negative. Holokausti ishte arritja më e errët e këtij fenomeni. Kërkonte ardhjen e rracës ariane, pikë që arrin kulmin me dogmën e tyre perverse. Nga mesi i Luftës II Botërore, pati arrestime masive të astrologëve, pas humbjes së udhëheqësve nazistë, që ndikoheshin nga astrologët. Roli i astrologëve është nganjëherë kontradiktor gjatë perandorisë naziste. Që Hitleri ishte mistik, kjo nuk ka asnjë dyshim, por roli i astrologjisë veçanerisht i errët në këtë periudhë të historisë është sidoqoftë inkoherent tek nazistët. Këta, të shtyrë ndërmjet një sistemi totalitar dhe një kompleksi veçanërisht të fuqishëm, e përshtaten ideologjinë sipas interesave të tyre. Edhe anglezët punësonin një astrolog, kryesisht për të ditur atë që një astrolog tjetër mund t’i thoshte Hitlerit.
Që prej asaj kohe, edhe pse ajo nxit gjithmonë një admirim të madh popullor të caktuar, pak shkencëtarë i kanë kushtuar vëmendje serioze astrologjisë. Sot vihet re një pranim i zbehtë i astrologjisë në gjirin e komunitetit shkencor, kryesisht për shkak të shoqatave si FDAF që ka kurajon t’i kthejë letrat e Fisnikërisë Astrologjisë, dhe ndonjë shkencëtari të famshëm ( Suzel Fuzeau-Bresch), por debati vazhdon akoma ndërmjet shkencëtarëve, historianëve dhe astrologëve.

astromail.fr

  • Twitter
  • Facebook

Komentet jane te mbyllura.