> Faqja pare > HISTORIKU I KALENDARIT > Kalendarë të ndryshëm në botë

Kalendarë të ndryshëm në botë

Ndarja e kohës në muaj dhe javëuesc_02_img0103

Këto nocione që ritmojnë jetën tonë datojnë që nga epoka kur besohej që Toka ishte qendra e Universit. Le të vendosemi një çast në vendin e njerëzve primitivë që vrojtonin qiellin mbrëmje pas mbrëmjesh, pa e kuptuar mirë se çfarë ndodhte sipër kokës së tyre… Mund të imagjinojmë që ata janë magjepsur nga qielli. Ata janë informuar ndoshta mjaft shpejt nga prania e Hënës, trupi qiellor më i shndritshëm i natës. Ata vrojtonin pa dyshim me habi shfaqjen e rritjeje të vogël të Hënës. Pastaj, natë pas nate, shikonin që kjo rritje zmadhohej derisa formonte një rreth ndriçues drite. Ishte Hëna e Plotë. Pastaj, kjo Hënë e plotë zvogëlohej çdo ditë e më shumë derisa zhdukej totalisht. Fatmirësisht, pas disa netëve të errëta, shfaqej një Hënë e re në qiell dhe cikli rifillonte.  Ndërkohë, paraardhësit tanë kanë vënë re që ndryshimi i veçantë i Hënës përsëritet çdo 28 ose 29 ditë. Ja praktikisht zgjatja e një muaji. A është kjo një koinçidencë? Jo, meqënëse është pikërisht ndryshimi i fazave hënore që ka krijuar konceptin e muajit. Kështu e kemi marrë zakon të llogarisim kohën sipas fazave të Hënës dhe kemi shpikur kështu kalendarët e parë – kalendarët hënorë.

Duke ekzaminuar kupën qiellore, paraardhësit tanë të largët kanë vënë re që vetëm disa trupa qiellor dukeshin sikur lëviznin më shpesh. Përveç Diellit dhe Hënës, janë edhe pesë planetë veçanërisht të shndritshëm – një fjalë me origjinë greke që do të thotë pikërisht endacak. Këta planetë u pagëzuan nga romakët në nder të perëndive të tyre me emrin e Merkurit, Venusit, Marsit, Jupiterit dhe Saturnit. Kështu pra, Merkuri ishtë lajmëtari i perëndive, Venusi perëndesha e dashurisë, Marsi zot i luftës, Jupiteri perëndia më supreme dhe Saturni një zot romak i të korrave i lidhur më vonë me perëndinë grek të kohës Kronosin. Këta 7 trupa qiellor kanë krijuar javën tonë prej shtatë ditësh, ku në secilën ditë nderohej një prej këtyre perëndive. Siç duhet të jetë, dita e parë e javës (e diela) ishte rezervuar për perëndinë më të rëndësishme: Diellin. Ndërsa e hëna i ishte caktuar Hënës, e marta Marsit, e merkura Merkurit, e enjtja Jupiterit, e premtja Venusit dhe e shtuna Saturnit. Për fat të mirë, paraardhësit tanë nuk kishin dylbi as teleskop, sepse do të kishin zbuluar edhe tre planetët e tjerë (më të largët nga Dielli) dhe si pasojë do të kishim pasur javë me dhjetë ditë!

Kalendarë të vendeve të ndryshme të botës:

 

Kalendari Maja
Qytetërimet e lashta të Mesoamerikës kanë formuar kalendarë shumë të saktë dhe për këtë, kalendari i Majave është më i sofistikuari. Majatë përdornin dy kalendare: Tzolk’in  që përbëhet nga 260 ditë, dhe Haab’ që ka 365 ditë vjetore. Kalendari Haab’ prej 365 ditësh përbëhej nga 18 muaj prej 20 ditësh dhe një muaj më të shkurtër prej 5 ditësh të quajtur Uayeb, një muaj i pafat. Majatë kishin gjithashtu Kalendarin e Numrit të Gjatë i cili maste sasi të mëdha kohore. Ky kalendar bazohet në 360 ditë vjetore të quajtura Tun.

Njëzet Tun-e  formojnë një K’atun (7200 ditë) dhe njëzet K’atun-e  përbëjnë një B’ak’tun (144,000 ditë). 13 B’ak’tun-e formojnë një Cikël të Madh ose një Diell. Në përfundim të çdo Cikli të Madh, Majatë besonin se një katastrofë e stërmadhe do të shkatërrojë shumicën e njerëzimit dhe të qytetërimit i cili ka nevojë ta rikrijojë veten. Sot, ne sapo mbyllëm Diellin e Pestë i cili ka nisur me 11 gusht 3114 para erës sonë dhe mbaroi me 21 dhjetor 2012. Majatë e lidhin këtë datë me fillime të reja dhe ri-lindjen sesa me fundin e ashtuquajtur si “fundi i botës”.
Në disa vende të botës përdorej edhe kalendari hënor i cili ka 13 muaj me nga 28 ditë secili, duke filluar nga Hëna e Re e duke mbaruar pa nisur Hëna tjetër e Re. P.sh horoskopi Maja ka 13 shenja astrologjike sepse merr për bazë 13 muajt hënor.

Viti liturgjik kristian:
Që prej shekullit XVII, Kisha Katolike Romake e niste Vitin e Ri në ditën e parë të Ardhjes së Krishtit, të dielën më të afërt me ditën e Shën Andreas (30 nëntor). Sipas Ritit Latin të Kishës katolike, viti liturgjik nis në orën 16:00 të shtunën që i paraprin të dielës së katërt përpara 25 dhjetorit (ndërmjet 26 nëntorit dhe 2 dhjetorit).  I njëjti kalendar liturgjik ndiqet nga kisha të tjera pasardhëse, duke përfshirë Kishat Anglikane dhe Luterane.
Kalendari liturgjik i Kishës Ortodokse Lindore nis me 1 shtator duke vijuar vit për vit nga Lindja e Theotokos në festimin e lindjes së Jezusit në dimër (Krishtlindje), nga vdekja dhe ringjallja e tij për Pashkë në Ngritjen e tij në qiell në verë.

 

Datat e vitit të ri në historinë e krishterë:
Me sundimin e Krishtërimit, për fillimin e vitit të ri u miratuan data të ndryshme të rëndësishme për Kishën. Për shembull, 1 janari lidhej me mishërimin e birit të Perëndisë, Jezu Krishtit; 25 marsi ishte Dita e Zojës (nënës së Krishtit). Kjo ishte dita kur Maria do të njoftohej nga ëngjëlli Gabriel se ajo do të lindte birin e Perëndisë, Jezusin.
Kur William Pushtuesi mori frenat për të mbretëuar në Angli, ai urdhëroi që 1 janari të vendoset si Viti i Ri duke e kombinuar atë me ditën e kurorëzimit të tij dhe ditën kur Jezusi u bë synet (Ligji i asaj kohe në Izrael thoshte që çdo fëmijë duhet të bëhet synet 8 ditë pas lindjes, pra 25 dhjetor deri me 1 janar bëjnë 8 ditë).  Sidoqoftë, kjo datë u braktis më vonë meqë iu bashkuan pjesës tjetër të botës së krishterë për të festuar Vitin e Ri me 25 mars.
Në 1582, Papa Gregori XIII kur korrigjoi kalendarin Julian vendosi përfundimisht 1 janarin si fillimin e Vitit të Ri të kalendarit Gregorian.
Në Mesjetë, në Europë disa ditë festash të rëndësishme të kalendarit të krishterë të Kishës Katolike Romake u përdoren si fillimi i vitit Julian.
·         Në Stilin Modern 1 janari mbahet mend si data kur është bërë synet Jezusi.
·         Në Mesjetë, në shumë pjesë të Europës, Viti i Ri festohej në ditën e Zojës, me 25 mars. Ky kalendar vazhdoi të përdoret zyrtarisht në Mbretërinë e Britanisë së Madhe deri me 1 janar 1752, përveç Skocisë që e ndryshoi kalendarin në stilin modern me 1 janar 1600.
·         Nga shekulli i XI në shekullin XVI, viti i ri niste të Shtunën e Pashkëve, (ose nganjëherë të Premten e Madhe). Kjo u përdor në mbarë Europën, por në mënyrë të veçantë në Francë. Por e keqja e kësaj ishte se Pashkët e ndryshojnë datën e tyre vit për vit.
·         Deri në shekullin e XIII në Gjermani dhe Angli viti i ri niste me 25 dhjetor, datën që përkujton Lindjen e Krishtit.  Ndërsa në Spanjë kjo datë festohej si viti i ri nga shekulli i XIV deri në shekullin e XVI.

Viti i ri në janar:
·         1 Janar: dita e parë e vitit në kalendarin Gregorian i përdorur nga shumica e shteteve. Gjithashtu, tetë nga dymbëdhjetë Kishat Ortodokse Lindore të cilat kanë pranuar kalendarin julian të korrigjuar  – Bullgaria, Qipro, Egjipti, Greqia, Rumania, Siria, dhe Turqia – e festojnë vitin e ri me 1 janar.
·         Në Kishën Ortodokse Lindore, Viti i Ri bie me 14 janar të kalendarit Gregorian (1 janar të kalendarit Julian).  Disa vende ku sundon Ortodoksia Lindore festojnë gjithashtu të dy datat e Vitit të Ri të kalendarit Gregorian dhe Julian, të parën si datë zyrtare dhe të dytën si festë fetare.  Kishat ortodokse të Gjeorgjisë, Jeruzalemit, Rusisë, Maqedonisë, Serbisë dhe Ukrainës përdorin ende Kalendarin Julian.
·         Viti i Ri Kinez, i njohur gjithashtu si Viti i Ri Hënor nis gjithmonë Hënën e dytë të Re pas solsticit të dimrit. Data ekzakte mund të bie në secilën ditë ndërmjet 21 janarit dhe 21 shkurtit të kalendarit Gregorian. Për kinezët kjo është dita më e festuar dhe më e rëndësishme e vitit. Tradicionalisht, në kalendarin kinez, çdo vit përfaqësohet nga një shenjë astrologjike e horoskopit kinez, si dhe nga një nga pesë elementët (zjarri, toka, metali, ajri dhe uji).
·         Edhe në Vietnam Viti i Ri nis ashtu si në kalendarin kinez.
·         Në Tibet Viti i Ri quhet Losar dhe mund të bie nga janari në mars.

Viti i Ri në mars:
·         Në Shqipëri, “Dita e Verës” që festohet me kryesisht me 14 mars (me kalendarin e vjetër), por që me kalendarin e ri i bie me 21 mars, simbolizon ardhjen e Vitit të Ri për ilirët e lashtë, Diellin e Beharit.
·          Në Babiloninë e lashtë, Viti i Ri niste me Hënën e parë të Re pas ekuinoksit verior.  Festimet zgjasnin 11 ditë.
·         Në Romën e lashtë, përpara kalendarit Julian, viti i ri niste me 1 mars.
·         Në Indi Viti i Ri (Nava Varsha) festohet në krahina të ndryshme nga marsi në prill.
·         Në kalendarin Sikh Nanakshahi, dita e vitit të ri festohet me 14 mars.
·         Viti i Ri në Iran quhet Novruz dhe festohet pikërisht në ekuinoksin pranveror që zakonisht bie me 21 mars dhe përkon me fillimin e stinës së pranverës si dhe me gradën e parë të shenjës së parë zodiakale, Dashit. Viti i Ri Zoroastrian përkon me Vitin e Ri iranian të Novruzit dhe festohet në Parsis në Indi dhe nga zoroastrianët dhe persianët në mbarë botën. Në kalendarin Bahá’í, viti i ri nis me ekuinoksin pranveror me 21 mars, dhe quhet Naw-Rúz. Tradita iraniane ka kaluar gjithashtu në vendet e Azisë Qëndrore, duke përfshirë Kazakis-in, Uzbeks-in, dhe Uighurs-in, dhe viti i ri aty njihet si Nauryz. Zakonisht festohet me 22 mars ashtu si te Bektashinjtë e Shqipërisë.
·         Viti i Ri në Bali, i bazuar në kalendarin Saka (Kalendari Balinez-Javanez), quhet Nyepi, dhe bie në Vitin e Ri Hënor të Balit (26 mars 2009). Është dita e heshtjes, agjerimit dhe meditimit: që zgjat nga 6 e mëngjesit deri në 6 të mëngjesit të ditës tjetër. Kjo ditë e kalendarit Hindu është tepër e shenjtë dhe është pushim për çdo institucion.
·         Viti i Ri (Ugadi) në Telugu dhe Kannada (Indi), përgjithësisht bie në muajin mars ose prill. Njerëzit e shteteve Andhra Pradesh dhe Karnataka në Indinë Jugore e festojnë ardhjen e Vitit të Ri në këto muaj.
·         Në kalendarin e Kashmirit, Viti i Ri (Navreh) është festuar që nga lashtësia me 19 mars.
·         Gudi Padwa është festuar si dita e parë e Vitit Hindu nga populli i Maharashtras, në Indi. Kjo ditë bie në mars ose prill dhe përkon me Ugadin (kalendarin e mësipërm). Festivali i Sindhit të Cheti Chand festohet në të njëjtën ditë duke shënuar festimin e Vitit të Ri sindhian.
·         Viti i Ri Telemik festohet zakonisht me 21 mars, në ekuinoksin Pranverës. Kjo datë njihet gjithashtu si Festa e Ritualit Suprem, Festa e Horusit (perëndisë së Diellit) dhe përkon me ditën kur është themeluar Telema në 1904.

Viti i Ri në prill:
·         Viti i Ri asirian, i quajtur Rish Nissanu,  ndodh ditën e parë të prillit.
·         Viti i Ri në disa kalendarë të Azisë Jugore dhe Jug-lindore bie midis 13 dhe 15 prillit, duke shënuar stinën e pranverës. Në këto data festohet edhe në disa vende të Indisë Jugore, kryesisht në shtetin Tamil Nadu.
·         Viti i Ri në Nepal festohet në fillim të Baisakh-it (12–15 prill). Nepali ndjek Vikram Samvat-in si kalendar zyrtar.
·         Në shtetin e Assamit në Indi, Vitit i Ri festohet me 14-15 prill. Po në këto ditë festohet dhe Jude-Sheetal  i Maithilit në mbarë botën.
·         Në Bangladesh gjithashtu dhe në shtetet indiane të Keralas dhe Bengalit Perëndimor Viti i Ri festohet me 14-15 prill.
·         Në shtetet indiane si Odisha dhe Manipuri festimet e vitit të ri bëhen me 14 prill.
·         Viti i Ri Sinhalez festohet me festivalin e të Korrave (në muajin e Bakut) kur Dielli lëviz nga shtëpia e Peshqve tek ajo e Dashit. Ndryshe nga vendet e tjera ku viti i ri nis në mesnatë, Viti i Ri Kombëtar fillon në kohën kur e përcaktojnë astrologët. Në 2009 viti nisi me 13 prill.
·         Festivali i Ujit ngjason me vitin e ri dhe festohet në disa vende të Azisë Jug-lindore, në ditën kur Hëna është e plotë të muajit XI të kalendarit hëno-diellor çdo vit. Kjo datë e festivalit llogaritej nga astrologët, por tashmë është fiksuar me 13-15 prill. Tradicionalisht njerëzit spërkasnin njëri-tjetrin lehtë me ujë si shenjë respekti.

Në qershor:
·         Muaji i parë i kalendarit Hindu të Aashaadh-it zakonisht nis me 22 qershor dhe mbaron me 22 korrik.
·         Festivali i “Odunde’-s (vitit të ri në gjuhën Yorube nigeriane) festohet të shtunën e  dytë të muajit qershor.

Viti i Ri në vjeshtë:
·         Rosh Hashanah (fillimi i vitit në hebraisht) është një festë çifute dy-ditore që përkujton pikën kulmore të ditës së shtatë të Krijimit, dhe shënon rilindjen e përvitshme të botës së krijuar nga Perëndia. Në traditën çifute (izraelite), mjalti përdoret për të simbolizuar një vit të ri të ëmbël. Tradita thotë që një kokërr mollë duhet të pritet në feta e të zhytet në mjaltë dhe të hahet duke iu lutur Zotit për të pasur një vit të bekuar.
·         Në Kishën Ortodokse Koptike, Viti i Ri i quajtur Novruz, përkon me 11 shtatorin e kalendarit Gregorian ndërmjet 1900 dhe 2099. Viti Koptik 1723 fillon në shtator 2005. Viti i Ri Ortodoks etiopian, i quajtur Enkutatash, bie në të njëjtën datë me Novruzin; kështu pra Viti 1999 i kalendarit Etiopian nisi me 11 shtator 2006.
·         Viti i Ri i Gujarati-t festohet ditën pas festivalit të Diwali-t (që bie në mes të tetorit apo nëntorit, duke u varur nga kalendari hënor). Dita e parë e Shukla paksha e muajit Kartik është dita e parë e kalendarit hënor Gujarati. Shumë Hindu të tjerë e festojnë Vitin e Ri në fillim të pranverës.
·         Disa neo-paganë e festojnë Vitin e Ri me festivalin e Keltëve të lashtë (Samhain), me 1 nëntor, ditën që përfaqëson ciklin e ri.
·         Fisi Murador në Australinë Perëndimore e festonte vitin e  ri me 30 tetor të kalendarit të sotëm. Për ta kjo ishte një festë pajtimi dhe miqësie.
·         Kalendari i Revolucionit Francez, në fuqi në Francë nga 1793 deri me 1805 dhe për një kohë të shkurtër nën Komunën e Parisit në 1871, e fillonte ditën e parë të vitit kalendarik në ekuinoksin vjeshtor, 23 shtator.

Viti i ri për myslimanët:
Viti i Ri islamik ndodh me 1 Muharrem. Meqënëse Kalendari mysliman bazohet në 12 muajt hënor me një shumë prej 354 ditësh, Viti i Ri Mysliman fillon rreth 11 ditë më herët në krahasim me kalendarin Gregorian, me dy Vite të Reja myslimane që ranë në kalendarin Gregorian të vitit 2008.

 

KUR FILLON VITI 1 NË KALENDARË TË NDRYSHËM?

*Katolikët dhe bota sot llogarisin si vitin 1 të kalendarit Julian kohën kur mendohet se lindi Krishti. Kjo datë u përcaktua rreth 500 vjet pas lindjes së Krishtit.

*Perandoria Bizantine llogariste si vitin 1 datën kur mendohej se u krijua bota, 1 shtatorin e vitit 5509 pr.e.s.

*Në kalendarin hebraik viti 1 llogaritet koha kur mendohet të jetë krijuar Adami (njeriu i parë). Sipas tyre Adami u krijua në vitin 3760 pr.e.s. dhe viti i parë kalendarik nis me 8 tetor 3761 pr.e.s, ditë e hënë.

*Romakët e periudhës pagane llogarisnin si vitin 1 të kalendarit të tyre kohën e themelimit të Romës, 21 prillin e vitit 753 pr.e.s

*Grekët e lashtë llogarisnin si vitin 1 të kalendarit të tyre themelimin e lojrave olimpike, vitin 776 pr.e.s

*Myslimanët konsiderojnë si vitin 1 kohën kur Muhamedi shkoi në Medinë, Hënën e Re të 16 korrikut 622, ditë e premte.

*Egjiptianët e lashtë e nisën fillimin e kalendarit diellor me 19 korrik 4241 pr.e.s. bazuar në lindjen heliakale  të Siriusit që përkonte me përmbytjen e Nilit.

 

NË Ç’VIT JEMI SIPAS KALENDARËVE TË NDRYSHËM

Disa vende të botës i numërojnë vitet sipas mënyrës së tyre tradicionale pavarësisht që krahas kalendarëve të tyre, ata respektojnë dhe kalendarin gregorian për efekte harmonie me botën. Disa kalendarë bazohen në ngjarje të ndryshme si: krijimi i botës, themelimi i një qytet-shteti të rëndësishëm, lindja e një profeti, udhëheqësi të madh të vendit, etj.

Sipas kalendarit Gregorian jemi në vitin 2018;
Sipas kalendarit Julian jemi 13 ditë më pak se ai gregorian;
Sipas kalendarit islamik jemi në vitin 1439;
Sipas kalendarit Armenian jemi në vitin 1467;
Sipas kalendarit asirian jemi në vitin 6768;
Sipas kalendarit Baha’i jemi në vitin 175;
Sipas kalendarit Bizantin jemi në vitin 7526;
Sipas kalendarit kinez jemi në vitin 4714;
Sipas kalendarit koptik jemi në vitin 1734;
Sipas kalendarit hebraik jemi në vitin 5778;
Sipas kalendarit hindu jemi në vitin 2074;
Sipas kalendarit Iranian jemi në vitin 1397;
Sipas kalendarit japonez jemi në vitin 30;
Sipas kalendarit Budist jemi në vitin 2562;
Sipas kalendarit etiopian jemi në vitin 2010;
Sipas kalendarit koreano-verior (Juche) jemi në vitin 107;
Sipas kalendarit koreano-jugor jemi në vitin 4351;
Sipas kalendarit tibetian jemi në vitin 2144.

Tags: , ,

  • Twitter
  • Facebook

Komentet jane te mbyllura.