> Faqja pare > Leximi i dorës > Kiromancia

Kiromancia

Për çfarë shërben Kiromancia?

Kiromancia është një art që lidhet me përftimin e të dhënave mbi personalitetin dhe të ardhmen e një individi nëpërmjet leximit të dorës. Këtu poshtë do paraqesim disa të dhëna mbi elementët bazë që përbëjnë dorën, nëpërmjet të cilëve do njiheni ose do rinjiheni me karakterin, personalitetin, përbërjen fizike, fatin, dashurinë, të kaluarën por edhe të ardhmen.

Por jo vetëm kaq! Mund të mësoheni të lexoni edhe duart e të tjerëve, ato të miqve, pjestarëve të familjes apo ndonjë njeriu të dashur. Mund të vlerësoni dijen, vullnetin, aftësinë e të dashuruarit, altruizmin, guximin, shkurt pra, përmes leximit të dorës mund të shqyrtoni dhe të përshkruani në mënyrë të përkryer personin që mund të ndodhet para jush.

Shkrimet e shenjta mbi Kiromancinë

Deri edhe në Shkrimet e Shenjta gjejmë të dhëna mbi vijat e dorës; në “Libri i Jobit” mund të lexojmë: “Zoti shënoi me vulën e tij dorën e të gjithë njerëzve, ashtuqë të gjithë të mund të shohin veprat e Tij dhe vizatimet e tij “. Ndërsa Moisiu thotë: “Ligji i Zotit është shkruar edhe në ballin edhe në duart e tua.”

Historia

Leximi i dorës ka filluar të praktikohet  qysh nga Mijëvjeçari  i Tretë para Krishtit, në qytetërimet e lashta të Kinës dhe Indisë. Qëllimi, siç e thamë, ishte njohja e karakterit të individit,  dhe fati i tij i mundshëm. Mendohet që kiromancia të jetë praktikuar qysh tek Asirasit, Babilonasit, Kaldeasit dhe Egjiptianët. Me kiromanci janë marrë Anaksagora, Artemidori, Demokriti, Galeni, Paracelsi dhe filozofë të tjerë të shkëlqyer të botës antike. Aristoteli, në veprën e tij “Coeli et Mundi Causa”, pohon se “vijat e dorës së njeriut nuk janë krijuar pa arsye, ato janë formësuar mbi të gjitha nga ndikimi i qiellit dhe nga individualiteti njerëzor.”.

Mesa dihet, i pari që u muar me kiromanci në Kinën e lashtë, ishte perandori Fu Hsi, por studiuesi më i famshëm ishte Duka Wen, themeluesi i dinastisë Chow, i cili mbretëroi rreth vitit 1122 Para Krishtit. Duket qartë se të gjitha qytetërimet kanë patur kultivuesit e këtij arti që ka arritur deri tek ne i kodifikuar nga shkolla të ndryshme si: hindu, anglosaksone, franceze, gjermane dhe çeke.  Megjithatë, vetëm falë kirozofit francez Desbarrolles e mandej studiuesit D’Arpentigny, aty nga viti 1900 kiromancia u vendos në një nivel dinjitoz dhe u studiua në mënyrën më të mundshme shkencore.

Përgjithësisht vërehet dallim me kirologjisë së dhe kiromancisë së vërtetë: Kirologjia vendos  marrëdhënie mes shenjave të dorës dhe karakteristikave psikologjike të personit e kushteve të përgjithshme që lidhen me shëndetin e tij, ndërsa kiromancia nëpërmjet shenjave të tilla arrin të parathotë fatin e individit. Pra, mund të themi se kirologu lexon karakterin, ndërsa kiromanti lexon të ardhmen.

KIROMANCIA – LEXIMI I DORËS

Dora e djathtë apo e majtë: cila nga këto të dyja? Shkolla të ndryshme kirologjike thonë se duhen analizuar të dyja duart. Për një person që përdor kryesisht të djathtën, thuhet se e majta i tregon atë që i është “dhënë” nga jeta për të përballuar, ndërsa e djatha tregon atë që individi do mund të arrijë përmes aftësive të veta. Tek një mëngjërash veprohet anasjelltas.
Dora e majtë:
Nëse je mëngjërash dora jote e majtë do tregojë ndikimin e familjes në jetën tënde. Disa kiromantë janë në gjendje të zbulojnë në këtë dorë deri edhe gjëndjen shëndetësore të prindërve.
Dora e djathtë :
Nëse je djathtor, dora jote e djathtë do tregojë ngjarjet që të kanë ndodhur, si sëmundje serioze, ose traumën e shkaktuar nga prishja e një marrëdhënieje. Tregon edhe se ç’je duke bërë me jetën tënde.

POZICIONI DHE NGJYRA

Një kiromant i mirë, përpara se të vëzhgojë vijat e dorës, formon një përshtypje mbi personalitetin e objektit nëpërmjet shqyrtimit të pozicionit në të cilën njeriu mban duart, morfologjisë, formës dhe ngjyrës.

Pozicioni
Thuajse gjithmonë kontakti i parë me një të panjohur ndodh nëpërmjet shtërngimit të duarve.Një gjest i tillë zbulon shumë gjëra. Shtërngimi është i ashpër apo i butë, dora është e fortë ose e flashkët, pëllëmba është e lagësht apo e thatë? Të gjitha këto janë karakteristika domethënëse për kiromantët. Dora e mbyllur dëshmon karakter të mbyllur, të ndrydhur dhe një njeri që vuan nga stresi. Epshmëria e dorës tregon një njeri të shoqërueshëm; nëse është e ashpër, tregon individin kokëngjeshur. Duart që paraqiten të hapura zbulojnë një njeri me personalitet të ekuilibruar, të ndershëm dhe bujar,një person që di t’i përballojë pa shumë tensione jetën dhe marrëdhëniet e saj në përgjithësi. Edhe struktura e lëkurës është e rëndësishme. Një lëkurë e ashpër mund të tregojë një person praktik, ndërsa një lëkurë e butë mund të tregojë një person të ndjeshëm.

Ngjyra
Nëpërmjet ngjyrës eksperti kirolog përfton kuadrin e parë brënda të cilit përvijohet personaliteti i objektit. Kur duart janë nga natyra të bardha, e jo për shkak të sëmundjes, ndodhemi përballë një personi egocentrik,i cili nëpërmjet lajkave mundohet të përfitojë prej të tjerëve; ky njeri ka nevojë të mirëkuptohet, inkurajohet dhe t’i jepet një mbështetje e fortë dhe e sigurtë. Një pëllëmbë ngjyrëtrëndafili tregon ngrohtësi të madhe njerëzore dhe lirshmëri; është fjala për një person tek i cili mund të besosh gjithnjë. Nëse ngjyra e pëllëmbës është blu, mund të konstatojmë se më shumë sesa vullnet i dobët dhe i paqëndrueshëm, mund të jetë fjala për qarkullim të keq të gjakut. Kur ngjyra është e bardhë, jemi përballë një shpirti të ftohtë dhe të mënjanuar. Një dorë me ngjyrë të verdhë na kujton një njeri të lidhur tej mase mbas parasë dhe pasurisë së vet. Nëse pulpat e dorës janë të kuqe në mënyrë natyrore, kemi të bëjmë me një njeri tek i cili prirjet idealiste dhe kënaqësitë materiale rrijnë në ekuilibër. Por nëse krejt dora është e kuqe, bëhet fjalë për një personalitet kolerik që i mbetet qejfi shpejt. Ngjyra gri-e bardhë i përket shpesh një individi të hidhëruar dhe të dekurajuar. Së fundi, nëse zona e malit të Afërditës është veçanërisht e bardhë, flitet për një njeri që ka varfëri hormonale.

FORMA
Duke gjykuar nga forma, e cila është themelore për interpretimin e personalitetit, kiromancia i ndan duart në gjashtë kategori. Duart vlerësohen simbas figurës gjeometrike që krijojnë.

Katrore
Dorë e dobishme dhe praktike. Njerëz realistë, të ekuilibruar, me bosht të fortë moral, me ndjenjë të fortë detyre, të palodhur në punë. Këta njerëz pasqyrohen në vlerat shoqërore, janë të përkushtuar ndaj familjes, të ndershëm dhe bujarë. Janë të pathyeshëm ndaj të këqijave aq sa mund të thuhet se ringjallen prej hirit të tyre. Njerëz të gatshëm për t’i pranuar mangësitë e jetës dhe sakrificat.

Drejtkëndësh
Person harmonik në mënyrën e tij të qënit dhe të vepruarit, optimist, dinamik, krijues dhe jo rrallëherë i rafinuar. Shpesh shkaktojnë tek të tjerët zili dhe xhelozi për dhuntitë e tyre të dukshme që janë gojëtaria dhe simpatia. Kur është e thatë dhe e nyjshme, kjo dorë mund t’i përkasë një tipi tjetër, të shkëputur nga ankthi i të jetuarit dhe që i është kushtuar reflektimit, ose veprimtarisë intelektuale.Në këto fusha shkëlqejnë jo vetëm për fuqinë e mendjes, por dhe për aftësinë e gjykimit dhe arsyetimit.

Shpatull
Dorë aktive ose e nevojshme. I përket një personi me karakter shumëformësh, më shpesh i këndshëm, i ëmbël dhe ngushëllues. Nganjëherë, zakonisht kur merret me politikë, ky njeri ka karakter të pakapshëm,sepse ia del të përfitojë në çdo situatë. Nëse pëllëmba ka prirje të jetë më e gjerë se baza e gishtave, tregon një natyrë të trazuar, të dhënë mbas lëvizjes dhe veprimit, me ide moderne, futuriste dhe antikonformiste.

Konike
Kjo dorë, gishtat e së cilës janë të gjatë dhe në majë mbyllen në një hapësirë të ngushtë, quhet dorë konike ose artistike. Kjo dorë s’është e thënë t’u përkasë detyrimisht artistëve, por të dhënat e saj priren kah arti dhe kah e bukura. Individët të cilëve u përket kjo dorë, përgjithësisht janë simpatikë, emocionalë, kureshtarë, optimistë dhe dinamikë. Entusiazmohen kollaj, por dëshpërohen me të njejtën lehtësi. Kërkojnë të papriturën, të renë e të bujshmen. Shpesh dinë t’i çmojnë plotësisht kënaqësitë e jetës, përfshirë edhe seksin,etj.

E nyjshme
Quhet edhe “dorë filozofike”, është zakonisht e gjatë dhe me kënde, me gishta gjithashtu të gjatë dhe elastikë, thonj po të gjatë e të rrumbullt. Kush zotëron një dorë si kjo ka një personalitet të fortë dhe të kthjellët, një koherencë të mahnitshme mes idesë dhe veprimit. Është i tërhequr nga kultura, ka zë të këndshëm dhe di ta bëjë të këndshme bisedën. Urren banalitetin dhe rëndomësinë. Pëlqen të dallohet nga turma dhe është i kënaqur vetëm nëse e përkufizojnë si “tip të veçantë”. Shpesh është i dhënë mbas misterit dhe shkencave okulte, prej të cilave përfton nxitjet e nevojshme për evolucionin e brendshëm, aq të nevojshëm për të. Kjo lloj dore u përket zakonisht filozofëve, shkrimtarëve, profesorëve, priftërinjve, dhe atyre që kanë prirje intelektuale.

Hollake
E quajtur edhe “dorë me majë ose psikike”, duket shumë proporcionale dhe harmonike. Estetikisht është dora më e bukur dhe më pak e zakonshme, por dhe më e vështira për t’u interpretuar. Pëllëmba është e ngjeshur dhe ovale, gishtat të gjatë, pa nyje e të lëmuar, dhe thonjtë të përpunuar. Karakteri i atij që ka këtë lloj dore është në përgjithësi i vështirë, i çuditshëm dhe i shmanget të kuptuarit të zakonshëm. Këta njerëz janë të shkëputur nga interesat materiale, tërhiqen nga misticizmi e poezia, priren kah një jetë kontemplative dhe altruizmi. Ata ndihen me të vërtetë të realizuar vetëm në aktivitete ku mund të shprehin dhuntitë e tyre natyrale. Jo rrallëherë piktorët, poetët dhe skulptorët zotërojnë një dorë të tillë.

GISHTAT
Historikisht pjesa më e madhe e shkollave të kirologjisë u atribuojnë gishtave cilësi të ndryshme shpirtërore. Forma e gishtave ofron një sërë elementesh shumë të rëndësishëm për interpretimin e personalitetit

Të gjatë: Durim, pedantizëm, mëndjemprehtësi, sedërli.
Të shkurtër: Padurim, intuitë, aftësi për të bërë sinteza.
Të trashë: Sensualitet, sipërfaqësi, prirje ndaj kënaqësive.
Të hollë: Idealizëm, kreativitet, misticizëm, çiltërsi.
Të nyjshëm: Racionalizëm, metodizëm, intelektualizëm, qëndrueshmëri.
Me majë: Ndjeshmëri, i përpunuar, i përkushtuar ndaj mirësjelljes.

THONJTË SIPAS FORMËS

Bajame: Sqimë, emocionalitet i fortë, romantizëm, nervozizëm.
Të rrumbull: Njeri që preket lehtë, sedërli, polemik, krenari dhe realizëm.
Kuadrat: Zemërak, iniciator, instinktiv,veprues.

GJYSMËHËNA

Gjysmëhënë e pakët : Probleme që lidhen me presionin dhe qarkullimin e gjakut, paqëndrueshmëri.
Gjysmëhënë e gjerë: Takikardi, nervozizëm, superndjeshmëri, irritim.
Gjysmëhënë e mesme: Ekuilibër shumë i mirë fiziologjik, mirëkuptim.

VIJAT KRYESORE
Vijat e dorës zbulojnë forcën jetësore, intelektuale dhe sentimentale të qënies njerëzore. Të mësosh leximin e tyre, do të thotë të vlerësosh potencialin e fshehtë për të cilin shpesh nuk jemi të vetëdijshëm.

Vija e jetës:
Vija e jetës vërehet në prerjen e dorës që dallohet nën malin e Jupiterit dhe shkon në drejtim të kyçit duke formuar një hark rreth malit të Afërditës. Një vijë e gjatë dhe e përvijuar mirë tregon fuqi vitale, ekuilibër dhe qëndrueshmëri ndaj vështirësive fizike e psikologjike. Tregon gjithashtu një karakter të qetë dhe të aftë për të marrë mësime nga jeta. Nëse është e shkëputur aty-këtu dhe e parregullt, tregon paqëndrueshmëri dhe prirje për të shpenzuar energji në njëmijë drejtime, shpesh pa i realizuar synimet. Pasqyron rënie të shpeshta të humorit dhe lehtësi për t’u pushtuar nga stresi i fortë psikofizik. Kur vija është e zbehtë dhe e gjerë tregon paaftësi për të patur ekuilibër me veten dhe karakter jo mjaftueshmërisht të fortë. Nëse vija është e trashë tregon harlisje të tepruar, që nganjëherë mund të shkaktojë impulsivitet pasioni të pakontrolluar. Një vijë shumë e gjatë flet për prirje ndaj teprimeve, nëse është e këputur por vazhdon, ajo tregon kapërcimin e një periudhe krize. Kur vija është e dobët dhe e zbardhylët, tregon nervozizëm dhe shëndetligësi. E bukur është vija dyfishe, sepse shpreh potencë seksuale dhe mashkullitet të fortë.

Vija e Zemrës:
Vija e Zemrës fillon nga gishti tregues duke përshkuar një hark nën malet e Saturnit, Diellit dhe Mërkurit. Kjo vijë jep të dhëna mbi aftësinë për afeksion, pra për dashuri, miqësi dhe altruizëm. Një vijë e rregullt dhe e shënuar mirë tregon begati shpirtërore, ndjeshmëri, dhe kësisoj një prirje për marrëdhënie jashtëvetiake. Gjithashtu njëfarë lehtësie për të gjetur lumturinë në dashuri. Kur vija nuk është e rregullt tregon dashuri të mbetura përgjysmë dhe mungesë ekuilibri afektiv; nëse është e këputur tregon mungesë besnikërie. Një vijë shumë e gjatë që përshkon dorën në mënyrë horizontale, tregon thatësi shpirtërore dhe gjaknxehtësi.Nëse është shumë e gjatë dhe e kapërcen hapësirën e pëllëmbës, tregon një temperament shumë pasional dhe që bie shpejt pre e xhelozisë. Në të kundërt, nëse është shumë e shkurtër, flet për një mendje racionale dhe të përllogaritur. Kur është e drejtë tregon ftohtësi dhe hapje të pakët ndaj ndjenjave. Nëse është e harkuar në mënyre të tepruar, tregon ndjeshmëri dhe sentimetalizëm të tepruar.

Vija e kokës:
Vija e kokës fillon ose bashkë me atë të Jetës, ose drejtohet kah hapsira e dorës. Në të lexohen shenja që lidhen me inteligjencën, vëmendjen, kujtesën dhe karakteristikat mendore në përgjithësi. Në vijën e kokës janë themelore si ecuria ashtu dhe gjurma e saj. Kur vija është horizontale, shpreh një prirje ndaj arsyetimit, ndaj prakticitetit, ndaj aftësisë analitike, por tregon edhe kujtesë të mirë;e drejtuar lart, vija padit për një mendje të ftohtë dhe përllogaritëse; nëse priret poshtë, tregon fantazi dhe kreativitet, pasuri krijuese dhe fantazi. Në raste të rralla kur ajo dredhon, tregon mëndjemadhësi, hipokrizi dhe sipërfaqësi. Gjurma: përveç ecurisë, edhe gjurma e vijës së Kokës është e mbushur me domethënie. Një linjë e rregullt dhe e përvijuar mirë që priret kah mali i Marsit, tregon inteligjencë, ekuilibër mendor dhe një aftësi të mirë për t’i përqëndruar energjitë drejt projektesh që mund të realizohen prej tyre. Një vijë e gjatë dhe e rregullt, zbulon edhe ajo aftësi të mira intelektuale, elasticitet mendor, emocionalizëm, dhe kujtesë të mirë. Tregon gjithashtu edhe saktësi dhe racionalizëm. Një vijë e parregullt dhe e shkëputur tregon prirje të kollajshme për të rënë në depresion. Një vijë me gjurmë të lehtë dhe të hollë tregon aftësi të kufizuar përqëndrimi; kur është tepër e gjatë paraqitet si shenjë e mungesës së vullnetit dhe dëshirës; kur është tepër e thellë tregon prirje ndaj përsosmërisë, që mund të shndërrohet lehtësisht në pedantizëm.

Tags: ,

  • Twitter
  • Facebook

Komentet jane te mbyllura.