> Faqja pare > Perëndi dytësorë > Miti i Fanit

Miti i Fanit

fani.

Fani me zodiakun perreth dhe veza kozmike

FANI – ai qe lindi i pari – dhe VEZA KOZMIKE

Fani ose Protogonos (Ai që lindi i pari), ishte hyjnia më i hershëm mistik i lindjes së jetës, i cili u fut në mitologjinë greke nga tradita orfike; Ai njihet gjithashtu me emrin Erikapeus (dhënës i jetës) në konceptin klasik orfik grek. Në këto mite Fani shpesh barazvlerësohet me Erosin dhe Mitran (perëndinë persiane të Diellit) dhe përshkuhej si perëndi që del nga një vezë kozmike, e cila rrethohet nga një gjarpër (i cili përfaqëson errësirën).
Ai kishte një helmetë dhe flatra të gjera të arta. Kozmogonia orfike është e çuditshme, dhe krejt ndryshe nga sagat (baladat) që kanë shkruar Homeri dhe Hesiodi. Studiuesit kanë dhënë mendimin që Orfizmi është një koncept “jo-grek” madje “aziatik”, për shkak të dualizmit të tij të qenësishëm. Fani quhet ndryshe dhe “Dielli i Madh” dhe krijuesi i dritës (ditës). Me urdhër të tij u krijuan yjet.
Koha, e cila quhej gjithashtu Aion, krijoi vezën e argjendtë të universit, dhe nga kjo vezë doli Fani, ai që lindi i pari nga të gjithë qëniet e botës. Fani ishte një hyjni hermafrodit (edhe mashkull edhe femër), emri i të cilit ka kuptimin “sjellës i dritës” apo “ai që shkëlqen”, prandaj dhe fjala “fanar” e greqishtes dhe shqipes rrjedh nga Fani; perëndia i parë i dritës që del nga një humnerë boshe ose prej uji dhe i jep jetë universit.
Në një mit tjetër na tregon që Fani doli nga veza kozmike e Kronosit (kohës) dhe Ananke-s (Nevojës apo Fatit). Ai u bë sunduesi i hyjnive dhe më vonë ia kaloi skeptrin vajzës së tij Niksit (natës). Tradita e re orfike na tregon që Niksi më vonë ia dha skeptrin djalit të saj Uranit (perëndisë së qiellit) para se ai t’ia kalonte Kronusit dhe më pas Zeusit, i cili e ruajti atë. Thuhet që shpirti i Fanit ishte transferuar në trupin e Zeusit.
Sipas Aristofanit, në mitin kur Fani quhet Eros, ai u lind nga një vezë e krijuar nga Niks (Nata) dhe u vendos në prehrin e pafund të Erebusit (errësirës së thellë). Më pas ai u çiftua me Kaosin dhe krijoi zogjtë. Ky fragment na bën të mendojmë që zogjtë u krijuan para të gjithë qënieve të gjalla, madje dhe para perëndive të tjera.
Edhe Dionisi i traditës orfike lidhet ngusht me Protogonin (Fanin). Në himnin 30 orfik, jepet një listë e epiteteve të tij që na bëjnë të mendojmë për Fanin.
Në traditat orfike Dionisi-Protogoni-Fani është një perëndi që vdes dhe lind. Historiani grek, Eusebi, na tregon historinë e tij të vdekjes dhe rikrijimit. Titanët ziejnë gjymtyrët e shpërbëra të Dionisit në një kazan, e pjekin në një hell dhe e hanë, më pas Athina shpëton zemrën e tij (e cila rrihte akoma) nga e cila Zeusi ishte në gjendje të krijonte perëndinë dhe ta rikthente në jetë. Kessler argumenton që ky kult dhe ringjallja e Dionisit u zhvillua në shekullin IV të erës sonë; dhe sëbashku me Mitraizmin dhe sekte të tjera që formoi ky kult, ishin në konkurencë të drejtëpërdrejtë me Krishtërimin e hershëm gjatë Antikitetit të Vonë.

Tags: ,

  • Twitter
  • Facebook

Komento