> Faqja pare > Perëndi dytësorë > Miti i Narcisit

Miti i Narcisit

jehona-dhe-Narcisi

Narcisi dhe Jehona
Në mitologjinë greke, Narcisi (greqisht: Narkisos) ishte një gjahtar nga Thespia në Boetia (Greqia qendrore) i cili dallohej për bukurinë e tij. Ai ishte i biri i Kefisit (perëndisë së lumit) dhe i nimfës Liriopa. Ai ishte mendjemadh, dhe përbuzte ata që e donin (dashuronin). Ai i pëlqente shumë bredhjet e vetmuara nëpër pyje.

Disa versione të këtij miti kanë mbijetuar që nga burimet e hershme. Versioni klasik i Ovidit (autor romak, shek.I), gjetur në librin 3 të ‘Metamorfozës’ së tij tregon historine e Jehonës (greqisht: Ekho) dhe Narcisit: Jehona ishte një nimfë (zanë mali) e cila ishte mallkuar nga Hera (bashkëshortja e Zeusit) që të përsëriste fjalët e fundit të dikujt tjetër. Sipas veprës së Ovidit, të emës së Narcisit i ishte thënë nga profeti i verbuar Tiresias se ai do të kishte një jetë të gjatë, me kusht që ai të mos e shihte kurrë veten në pasqyrë. Një ditë Narcisi po ecte në pyll kur Jehona e pa atë dhe ra thellësisht në dashuri, dhe vendosi ta ndiqte. Narcisi e ndjeu që dikush po e ndjek dhe thërret “Kush është aty?” Zëri i tij u përsërit nga Jehona dhe identiteti i saj u zbulua. Ajo u përpoq ta bënte për vete, ta përqafonte, por ky u shmang dhe i tha ta linte të qetë. Jehona me zemër të thyer e kaloi pjesën tjetër të jetës në luginëzat e vetmuara derisa vdiq dhe asnjë nuk mbeti prej saj veçse një jehonë (zë përsëritës). Afërdita, perëndesha e bukurisë dhe dashurisë, e mori vesh për historinë dhe vendosi ta ndeshkonte Narcisin, për shkak se ai i kishte përbuzur dhuntitë e saj. Afërdita e kurdisi lojën në atë mënyrë që Narcisi të dashurohet me vetveten. Ajo e tërhoqi atë drejt një pellgu ku ai pa në ujë pasqyrimin e tij. Ai nuk e kuptoi që ishte thjesht një imazh dhe ra në dashuri me të. Aq shumë u dashurua Narcisi me imazhin në ujë saqë nuk mund të shkëputej prej tij.  Mbeti aty duke vështruar gjatë i përkulur mbi ujë dhe i mahnitur deri sa u rrëzua dhe u mbyt. (Një version tjetër tregon që ai vrau veten ngaqë nuk mund ta kishte objektin e tij të dëshirave erotike). Kur nimfat e tjera morën vesh për vdekjen e Narcisit u erdhi keq, u nisën për ta kërkuar me qëllim që ta varrosnin në mënyrë të denjë. Mirëpo, trupin e Narcisit nuk e gjetën kurrë. Ai ishte shndërruar në lulen me erë, me gjashtë petale dhe ngjyrë të verdhë-të bardhë. Lulja në të cilën u shndërrua Narcisi sot e kësaj dite mban emrin e tij.

Nga Narcisi ka ardhur termi ‘narcisizëm’, fiksim apo admirim që dikush ka për pamjen e tij të jashtme. Supersiticioni që ‘nuk duhet parë vetja në pasqyrë natën sepse të ikën bukuria’, vjen nga ky mit.

Miti i Narcisit ka frymëzuar artistët për të paktën dymijë vjet, edhe para kohës së poetit romak Ovidit. Në Spartën antike ornamentet që simbolizonin dashurinë përbëheshin prej luleve të narcisit, ndërsa në regjionet e tjera greke narcisi ka qenë lule e vdekjes. Ndërkaq, emri i tij jeton edhe si simbol tjetër: ka kaluar, madje, edhe në terminologjinë shkencore si shenjë e egoizmit patologjik (egoizmit të sëmurë), të dashuruarit me veten quhet “narcisizëm”. Nga antikiteti janë ruajtur disa piktura dhe skulptura me figurën e Narcisit. Më të njohura janë piktura murale nga shtëpia e M. L. Frontonit në Pompei dhe kopja e shtatores së tij helenistike që gjendet në Muzeun Popullor në Napoli. Në kohët moderne figura e Narcisit ka merakosur njërin prej nxënësve të Giovani Antonio Boltrafiut. Peisazhi i tij me Narcizin, në shek. XVI, gjendet në Galerinë Kombëtare në Londër. Narcisi pranë burimit të Tintoretos, nga mesi i shek. XVI, gjendet në Galerinë Colona në Romë. Pikturat e Pusinit, nga gjysma e parë e shek. XVII, ‘Narcisi dhe Jehona (Ekho)’ dhe ‘Shndërrimi i Narcisit në lule’ gjendet në Muzeun e Luvrit në Paris dhe në Galerinë Kombëtare në Londër. Këtyre pikturave të vlefshme në kohë më të re u është bashkangjitur Salvador Dali me Shndërrimin e Narcisit (1936, sot gjendet në Tate Galeri në Londër). Nga kompozimet muzikore me temën e Narcisit më e njohura është Opera e fundit ‘Jehonës dhe Narcisit’ e Christoph Wilibald Gluckut (Kristof Vilibald Gluk) e vitit 1779.

Në psikiatrinë dhe psikanalizën frojdiane, termi narcisizëm tregon një shkallë të tepruar vetë-vlerësimi, një gjendje që është zakonisht një formë e papjekurisë emocionale. Frojdi publikoi vetëm një shkrim kushtuar ekskluzivisht Narcisizmit në 1914, të titulluar “Në Narcisizëm: një parathënie”.

Në 1898 Havelock Ellis, një seksolog anglez, përdorte termin (si-narcis) për t’iu referuar masturbimit të tepruar, përmes së cilit personi bëhet objekt i vet seksit të tij.

Në 1899, Paul Näche ishte personi i parë që përdori termin “Narcisizëm” në një studim të çoroditjeve (perversioneve) seksuale.

Otto Rank, në 1911, publikoi shkrimin e parë psikoanalitik të lidhur specifikisht me narcisizmin, që e lidh atë me kreninë dhe vet-admirimin.

Një nga çrregullimet e personalitetit quhet ‘çrregullimin narcistik i personalitetit’.

 

Shenim: Ne mitologjine shqiptare nimfat apo oreadat e mitologjise greke njihen si zanat apo oret e malit.

zana-mali

Tags: , , ,

  • Twitter
  • Facebook

Komento