> Faqja pare > Histori e astrologjisë > ORIGJINA MESOPOTAMIANE E ASTROLOGJISË

ORIGJINA MESOPOTAMIANE E ASTROLOGJISË

Të dhënat që paraqiten këtu vijnë kryesisht nga burime kryesore akademike, ndonëse ka gjithashtu disa spekulime në tema ku nuk ka shumë qartësi. Këtu ka shumë për të mësuar për historinë e astrologjisë.

Bazuar në gjykimet e autorëve astrologjia perëndimore ka ardhur në ekzistencë vetëm njëherë në jetë dhe në një vend; vendi është (afërsisht Iraku i sotëm) dhe kohën do ta diskutojmë më poshtë. Duke thënë këtë, një tjetër çështje duhet të trajtohet; ajo çfarë nënkuptojmë me “astrologjinë siç e njohim sot”, është astrologjia horoskopike, d.m.th astrologjia qëllimi i së cilës është përgjigjia e pyetjeve, parashikimi i ngjarjeve botërore, dhe shqyrtimi i fatit individual, të gjitha të bazuara në një dokument të veçantë, tema apo harta e lindjes. Dhe ajo hartë ka një gradë të veçantë apo shenjë e cila shënohet si fillimi i thelbit të shqyrtimit. Është zakonisht grada apo shenja që po lind, ndonëse për qëllime të hollësishme Dielli, Hëna, apo Pjesa e Fatit mund të përdoren gjithashtu.  

Astrologjia është pothuajse universale ndër popujt e lashtë dhe nuk është e kufizuar as në kohë as në vendin si pikë origjine. Pothuajse çdo popull i lashtë ka sistemin e tij të ekzaminimit të qiellit për qëllime parashikimi: amerikanët indigjenë, grekët (para se të takoheshin me astrologjinë mesopotamiane), popujt e Indisë, kushdo që ndërtuan Stonehenge dhe ‘New Grange’ në Ishujt Britanik, dhe popujt e lashtë nordikë, etj. Shumë nga polemikat e lidhura me antikitetin e astrologjive të popujve të ndryshëm buron nga konfuzioni mbi këtë çështje. Studimi i shenjave qiellore nuk përbën astrologjinë siç e njohim atë.   

 chaldean-astrology-talisman10

Origjina mesopotamiane

Mesopotamia, “Toka ndërmjet dy lumenjve”, është një nga të ashtuquajturat “djep” i qytetërimit, sëbashku me Egjiptin, Kinën, dhe Luginën e Indusit. Me sa duket ajo është më e vjetra ndër to. Provat tregojnë një civilizim urban që prej 4000 pr.e.s. Njerëzit e parë në atë zonë ishin një popull i njohur si Ubaidianët. Pothuajse nuk dimë asgjë për këta njerëz përveç asaj që në një periudhë shumë të hershme një popull tjetër filloi të zhvendosej në këtë zonë dhe të lidhnin martesa ndërmjet tyre. Këta ishin Sumerët të cilët u bënë mbizotërues dhe gjuha e të cilëve zëvendësoi gjuhën e Ubaidianëve cilado ishte ajo. Gjithashtu Sumerët shpikën formën më të vjetër të shkrimit, kuneiform, të njohur deri tani, i cili bëhej duke përdorur kunjat në baltën e butë prej argjileje.

Pas njëfarë periudhe edhe kohe popujt semitikë nisën të zhvendoseshin në këtë territor. Të parët ishin Akadianët të qendërzuar rreth qytetit të tyre të Akadit. Rreth vitit 2330 pr.e.s. Sargoni i Akadit pushtoi Sumerianët dhe krijoi të parën e disa perandorive semitike e cila do të dominonte jo vetëm Mesopotaminë por edhe bregdetin e Mesdheut dhe përfundimisht edhe Egjiptin. Gjuha e Akadianëve rridhte drejtpërdrejtë nga gjuhët paraardhëse asiriane dhe babilonase, ku në fakt këto ishin dialekte të Akadianëve.

Perandoria Akadiane ra rreth vitit 2218 pr.e.s. Pas kësaj popuj të ndryshëm semitikë dhe të tjerë luftonin me njëri-tjetrin se cili të kontrollonte territorin. Kjo luftë e vazhdueshme ndërmjet popujve të ndryshëm në të vërtetë shënon dallimin kryesor ndërmjet qytetërimit Mesopotamian dhe atij të Egjiptit. Egjipti kishte shumë shekuj në paqe të vazhdueshme me periudha të rralla trazirash, por jo asnjëherë si kaosi i Mesopotamisë.

Pas njëfarë periudhe kohe në mijëvjeçarin e dytë pr.e.s. dy popuj filluan të pretendonin mbizotërim, Babilonasit të cilët kishin qënë dominues nga ana kulturore për shumë shekuj në jug, dhe Asirianët në veri. Siç duket, ndërsa të dy grupet ishin politikisht dominues, në përgjithësi mund të themi që Asirianët ishin më shpesh dominues nga ana politike ndërsa Babilonasit ishin dominues nga ana kulturore. Në fakt Asirianët përdornin madje dhe dialektin babilonas të Akadianëve për dokumentet e tyre zyrtare.

Këtu janë disa data të historisë mesopotamiane nga kjo kohë e në vazhdim.

1792-1750 pr.e.s.. Hamurabi (mbreti i gjashtë i Dinastisë së Parë Babilonase) bashkon territoret përreth Babilonisë.

1350 pr.e.s. Lindja e Perandorisë Asiriane.

730-650 pr.e.s. Perandoria Asiriane kontrollon të gjithë Mesopotaminë, pjesë të Persisë, Sirisë, Palestinës dhe Egjiptit. Kjo kujtohet edhe si hera e parë që Egjipti dhe Babilonia ishin nën të njëjtin regjim.

612 pr.e.s. Rënia e Asirisë dhe ngritja e Perandorisë së Dytë Babilonase. Populli babilonas që shkaktoi këtë njiheshin gjithashtu si Kaldeas, pra prej tyre vjen dhe Perandoria Kaldeane.

539 pr.e.s. Pushtimi i Babilonisë nga Persia. Për herë të dytë Egjipti dhe Babilonia ishin në të njëjtin regjim.

331 pr.e.s. Pushtimi i Mesopotamisë nga Aleksandri i Madh. I gjithë territori u zotërua nga gjuha dhe kultura greke. Dinastia Seleucide rridhte nga gjenerali i Aleksandrit të Madh Seleukos i cili kontrollonte zonën duke përfshirë dhe Mesopotaminë.

126 pr.e.s. Parthianët, një fis persian, pushtuan Mesopotaminë.

227 e.s. Sasanidët, një popull nga zona qendrore e Persisë, rrëzuan Parthianët dhe vendosen Perandorinë e Dytë Persiane. ose Perandorinë Sasanide.

635 e.s. Arabët myslimanë rrëzuan Perandorinë Sasanide dhe Mesopotamia vihet nën sundimin e Kalifateve të ndryshëm.

Para se të kalojmë në diskutimin se si dhe ku u zhvillua astrologjia, le të japim një kronologji të ngjashme dhe për Egjiptin.

3200 pr.e.s. Prova e parë e forcave të fuqishme politike në pellgun (gjirin) e Nilit. Gjithashtu shkrimet më të hershme hieroglife. Dëshmia (prova) e një kulture mjaft të lartë në këtë territor mbizotëronte për shumë shekuj.

rr.2755-2255 pr.e.s. Mbretëria e Vjetër. Piramidat datojnë që prej kësaj kohe. Atëherë u formua dhe kalendari i parë diellor.

rr.2255-2134 pr.e.s. Ndërprerje e mbretërive.

rr..2134-1668 pr.e.s Mbretëria e Mesme.

rr.1668-1570 pr.e.s. Ndërprerja e dytë e mbretërisë, periudha e Hykso-ve, një popull prej të cilëve ndoshta ishin Semitët dominonin Egjiptin gjatë kësaj periudhe.

1570-1070 pr.e.s. Mbretëria e Re. Kjo është periudha e mbretërve Amenhotep, Akhnaten, Tutankhamem, dhe mbretërve të ndryshëm të quajtur Rameses. Eksodi i Izraelitëve besohet gjerësisht të ketë ndodhur në këtë periudhë.

1070 – 671 pr.e.s. Ndërprerja e tretë e mbretërive. Dinasti të ndryshe rajonale kontrollonin vendin. Në 671 pr.e.s. Asirianët pushtuan Egjiptin për njëfarë kohe.

525 pr.e.s. Persianët rrëzuan sundimtarin e fundit autokton të Egjiptit.

332 pr.e.s. Aleksandri i Madh pushtoi Egjiptin. Më pas Egjipti sundohej nga Plolemetë që e kishin prejardhjen nga Ptolemeu I, një tjetër general i Aleksandrit.

30 pr.e.s. Kleopatra, trashëgimtarja e fundit e Ptolemeve, vdes dhe Romakët marrin pushtetin.

Më pas Egjipti ra në sundimin arab në pothuajse të njëjtën kohë kur u rrëzua Perandoria Sasanide.

 

Fazat e para të astrologjisë mesopotamiane

Në fillim astrologjia mesopotamiane ishte shumë e ngjashme me atë të kulturave të tjera, një ekzaminim i thjeshtë i qiellit për shenjat (ogurët) që mund të preknin mbretërinë. Shpesh këto vëzhgime shenjash do të përfshinin fenomenet e motit të përziera me ato astronomike. Ajo që i bënte mesopotamët të ndryshëm është që ata filluan shumë herët të kryenin vëzhgime sistematike të dukurive me synimin për të gjetur figura të rregullta në qiell që mund të lidheshin me ngjarjet e njerëzve.

Sipas Van der Waerden (Science Awakening, Vol. II, Oxford Univ.Press) shkrimet më të hershme astronomike të njohura në Mesopotami i përkasin periudhës së vjetër të Babilonisë, afërsisht në kohën e Hamurabit. Nuk dihet nëse Sumerët ishin të përfshirë në studime astronomike apo jo, por do të dukej e besueshme që ato ishin. Ka gjithashtu disa shkrime që i referohen periudhës akadiane dhe që mund të datojnë rreth 2300 pr.e.s. Këtu kemi një shembull të njërit prej këtyre shkrimeve të hershme.

“Nëse Venusi duket në Lindje në muajin Airu dhe Binjakët e Mëdhenj dhe të Vegjël e rrethojnë atë, të katërt, dhe nëse është i errët, atëherë Mbreti i Elamit do të sëmuret dhe nuk do të mbetet gjallë”.

Të dhënat më të përhapura të shenjave (ogurëve) mbaheshin në një përmbledhje të referuar si  Enuma Anu Enlil. Këto ishin përmbledhur diku nga mijëvjeçari i dytë pr.e.s. Një tjetër përmbledhje e shenjave është një vepër e rëndësishme, datimi i së cilës është jashtëzakonisht i diskutueshëm, Tabelat e Venusit të Amizaduga-s. Kjo përfshin vëzhgime sistematike të fazave të Venusit bashkë me domethëniet e tij paralajmëruese, ku kuptimet e tyre bazoheshin qartë në vrojtimet e mëparshme. Në përgjithësi besohet që këto tabela datojnë që nga mbretërimi i Amizadugas rreth146 vjet pas Hamurabit. Vetë babilonasit, ashtu si Hindutë e sotëm, e konsideronin veten dhe vrojtimet e tyre shumë të lashta që duket e çuditshme nga standartet e sotme perëndimore, qindra e mijëra, majde miliona vite. Kjo vjetërsi kohore nuk përputhet me provat e njohurive, por ne duhet të mbajmë diçka në mendje të hapur. Studiuesit (dijetarët) janë shpesh të kufizuar pikërisht nga specializimi me përfundimin që një disiplinë, siç është astronomia moderne për shembull, mund të ketë pasoja të fuqishme për një tjetër fushë siç është arkeologjia. Këtu na vjen ndërmend puna e Gerald Hawkins në Stonehenge. Por fillimisht dikush duhet të bashkojë të dy fushat. Deri tani kjo mund të ndodhë në studimet mesopotamiane në një mënyrë të tillë sa të ndryshojë rrënjësisht pranimet tona historike. Van der Waerden konkludon që tabelat e Venusit ishin përpiluar dhe ruajtur për arsye të besimit (religjonit) yjor, d.m.th Mesopotamianët besonin që yjet dhe planetët lidheshin me perënditë, apo në të vërtetë ishin vetë perëndi. Ishtar-Venus ishte një nga hyjnitë kryesore të popujve mesopotamë. Shumë popuj të tjerë të lashtë kishin nocione të ngjashme. Egjiptianët e identifikonin yllësinë e Orionit me Osirin. Por Osiri ishte një perëndi i vdekur që sundonte në botën e nëndheshme. Transportimi i tij në qiell ngjante shumë me transportime të tjera të përfshin mitologjia klasike. Mesopotamianët duken se kishin qënë të vetmit që u jepnin kaq rëndësi yjeve dhe planetëve si treguesit kryesorë të vullnetit hyjnor. Kjo është ndoshta arsyeja e studimit që të çon në astrologji. Gjatë shekujve të ardhshëm Mesopotamët, veçanërisht babilonasit, vazhdonin të vrojtonin qiellin dhe të përpilonin lista të fenomeneve që përfundimisht të çojnë aty ku, bazuar në ciklet e vrojtuara të përsëritura të planetëve, mund të llogaritnin me mjaft saktësi pozicionet e planetëve në çdo kohë në të ardhmen. Shënimet e Ptolemeut, dhe studiuesit e sotëm nuk e venë në diskutim që të dhëna eklipsesh të sakta dhe të rregullta janë mbajtur që nga 747 pr.e.s.e deri në periudhën heleniste pas pushtimeve të Aleksandrit të Madh.

Një çështje interesante është pyetja shumë e diskutuar se çfarë lloj zodiaku përdornin mesopotamët? Në të dhënat e hershme ata thjesht shënonin planetët se sa gradë larg ishin nga yjet.

“19 nga Hëna te Pleiadat;
17 nga Pleiadat te Orioni;
14 nga Orioni te Siriusi. . .”

Ky është në fakt një vrojtim sideral, por ky nuk është një zodiak! Një zodiak kërkon një bazë të fiksuar, një pikë në rrethin nga i cili bëhen matje. Gjithashtu normalisht një zodiak ka disa numra të fiksuar të një ndarjeje të rregullt siç janë dymbëdhjetë shenjat e zodiakut modern, njëzet e shtatë shtëpitë hënore të zodiakut hënor hindu dhe kështu me radhë.

Van der Waerden argumenton që evoluimi i astrologjisë ka kaluar në tre faza. Faza e parë konsiston në njohuritë paralajmëruese që tashmë kemi përshkruar. Faza e dytë  lidhet ngusht me këtë por ka një zodiak në sensin modern, ku 12 shenjat ndahen me nga 30 gradë secila. Nuk ka horoskop personal në këtë nivel të mesëm, por vëmendje e madhe i është kushtuar tranziteve të Jupiterit nëpër shenja në masën përafërsisht një shenjë për vit. Nga kjo rrjedh qartësisht praktika kineze e caktimit të çdo viti nga një shenjë, dhe ndoshta edhe sistemi i progresit vjetor në astrologjinë e mëvonshme të horoskopeve.  Sigurisht që nuk ka asnjë lloj ndarje të shtëpive zodiakale akoma. Van der Waerden e daton këtë fazë të mesit nga rreth 630 në 450 pr.e.s. Zodiaku në këtë pikë është qartësisht sideral (yjor).

Faza e tretë është astrologjia e horoskopit (me orë lindje). Burime të ndryshme të hershme përmendin “Kaldeasit” që formonin harta lindje për persona të ndryshëm, përfshirë këtu Diogenes Laertius i cili thoshte që sipas Aristotelit, një kaldeas parashikoi vdekjen e Sokratit nga harta e tij e lindjes, dhe që i ati i Euripidit kishte lexuar gjithashtu në hartën e të birit parashikimin e një karriere të shkëlqyer. Referimi te kaldeasit sigurisht bën fjalë për astrologë dhe e bën të qartë që arti i kësaj periudhe lidhet plotësisht me Babilonasit e mëvonshëm, d.m.th, kaldeasit.

Harta të shumta lindjeje janë gjetur të shkruara në kuneiform. Shumica prej tyre datojnë nga brenda epokës heleniste, por më të vjetrat janë datuar nga A. Sachs në 29 prill 410 pr.e.s. Ja ku është përkthimi që jepet nga Fagan.. 
1.Në atë kohë Hëna ishte poshtë “Cepit” të Akrepit.
2 Jupiteri në Peshq, Venusi në Dem, Saturni në Gaforre.
3. Marsi te Binjakët, Merkuri i cili kishte perënduar ishte ende i dukshëm, etj

 

Siç vihet re kjo është një hartë e përafërt me vetëm pozicionet planetare në shenja, pa përshkrime aspak. Hartat e tjera kuneiform, ndonëse shumë më vonë, janë më shumë të përmbledhura shkurt, ndonëse pozicionet e dhëna janë shumë të sakta.

Siç tregon me saktësi Cyril Fagan, pozicionet në harta korrespondojnë përafërsisht edhe me ato të zodiakut sideral që përdor më shumë pozicionet siderale (ayanamsha-n e Fagan-Allen) sesa ato tropikale.

Por a kemi në këtë pikë diçka si astrologjia e zhvilluar e horoskopit e epokës së mëvonshme heleniste? Jo nuk kemi! Edhe pse historianët akademikë nuk kanë zbuluar shumë informacione konkrete për evoluimin e astrologjisë pas hartave të hershme babilonase, ka prova të konsiderueshme të fshehta për vendin e origjinës në tekstet më të hershme. Shumë nga këto tekste të vjetra ekzistojnë në gjuhën greke. Sipas këtyre teksteve vendlindja e astrologjisë horoskopike (me orë lindje) është Egjipti.

Kjo nuk do të ketë qënë një surprisë për Cyril Fagan. Është  pothuajse i vetmi që pohon që Egjipti ka qënë vendlindja e astrologjisë horoskopike. Mirëpo, problemi me këtë teori është që ai beson se astrologjia horoskopike ekzistonte që në Egjiptin e faraonëve. Për këtë nuk ka prova të mjaftueshme përveç dëshmive të diskutueshme të vetë Fagan-it. Ishte Egjipti i mëvonshëm që lindi astrologjinë horoskopike, një Egjipt që kishte pasur kontakte të ngushta me idetë e Babilonasve.

Egjipti i kohës së faraonëve ka pasur një interes të madh në astronomi. Kjo duket në shumë mënyra. Por ishte ajo lloj astronomie që përfshinte më shumë yjet sesa planetet. Egjiptianët ishin mjeshtër në vendosjen e ndërtesave, tempujve dhe veçanërisht piramidave në një drejtim me yjet fikse, me sa duket në përpjekje për të krijuar harmoni ndërmjet strukturave tokësore dhe yjeve me të cilët ata ishin shumë të lidhur. Aftësia e tyre për të planifikuar dhe rreshtuar ndërtimet me yjet ishte jashtëzakonisht e saktë, shpesh brenda minutave të harkut të shtrirjes së përsosur. Por nuk duket të kenë pasur ndonjë teori planetare, as të kenë përdorur teknika matematikore.

Mesopotamianët trashëguan sistemin e gjashtëdhjetë të numrave nga sumerët, një sistem i cili përdorte shënime vendi në numra pak a shumë si sistemi ynë modern dhjetor (i  ndarjes me dhjetë), dhe i cili i kishte ndarjet shumë të ngjashme në ndarjet tona në dhjetëshe. Kjo u mundësonte mesopotamianëve të bënin llogaritje të ndërlikuara që duhet të kenë qënë të vështira në sisteme të tjera antike të ndarjeve numerike. Popujt e tjerë të lashtë i vlerësuan shumë këto shënime matematikore të mesopotamianëve. Ata e përdornin këtë sistem sa herë që kishin për të bërë vetë llogaritje të tilla. Egjiptianët nuk kishin asgjë të tillë. Por ata kishin një sens të fortë nevoje që çështjet tokësore të viheshin në sinkroni me qiellin.

Faktori vendimtar në shkrirjen e idesë egjiptiane me astronominë babilonase ishte njëra ose të dyja nga ngjarjet historike, pushtimi i Egjiptit nga Persia, dhe pushtimi i Persisë dhe Egjiptit nga Aleksandri i Madh. Në të dyja këto raste Egjipti ishte vendosur nën të njëjtin regjim si babilonasit. Në rastin e Perandorisë Perse, persianët u bënë përkrahës të zjarrtë të astrologjisë të cilët padyshim ndihmuan në zhvendosjen e ideve astrologjike në Egjipt.

Dhe nëse do të ekzaminonit tekstet që përfshihen në volumin e Dijeve, do të zbulonit që jo gjithçka është e qartë nga tekstet e historisë që kanë të bëjnë me astrologjinë. Njerëzit e lashtë e dinin qartë që astrologjia kishte të bënte pak a shumë me Babiloninë (mbi të gjitha ata i quanin astrologët kaldeas). por besueshmërinë kryesore ia atribuan egjiptianëve. Është e zakonshme që akademikët ta pranojnë këtë si diçka që ishte thjesht një mënyrë e shkrimtarëve të hershëm me baza jo të vërteta historike. Dhe në fakt shkrimtarët ia atribuonin shpesh astrologjinë personave që i përkisnin periudhës së faraonëve si    Nechepso dhe Petosiris. Megjithatë, nuk ka arsye të pretendojmë që njerëzit e lashtë nuk ishin të saktë në deklarimin që Egjipti është burimi kryesor i astrologjisë horoskopike; vetëm se ishte pak më vonë sesa ata mendonin.

Çfarë i shtuan egjiptianët astrologjisë babilonase? Këtë nuk mund ta themi me siguri, por provat e fshehta tregojnë të dhënat e mëposhtme. Përdorimi i një grade që po lind (Ashendentit) mund të ketë qënë ose jo gjetur në astrologjinë babilonase para-heleniste.Por shkrimtarët helenë ia atribuan përdorimin e shtëpive, apo shenjat e përdorura si shtëpi Hermesit. Për Hermesin ne duhej të kuptonim  një referencë të burimeve heleniste egjiptiane. Ka mundësi që aspektet janë gjithashtu egjiptiane por nuk mund ta themi me siguri. Shumica janë thuajse me siguri egjiptiane ashtu siç janë shumica prej sistemeve të sunduesve. Vetëm përforcimet (vlerësimi si ‘në ngritje’) kanë një origjinë të qartë mesopotamiane.

Sidoqoftë, ka shumë mundësi që i tërë mekanizmi i astrologjisë horoskopike të jetë vendosur rreth shekullit të parë të erës sonë, mundësisht disa shekuj më herët. Një nga gjërat që kemi gjetur në studimet tona të shkrimtarëve të mëvonshëm grekë është që ata kishin të bënin tashmë me një epokë të mëvonshme të astrologjisë. Ata kishin “të lashtit” e tyre dhe ata kishin filluar tashmë të keqkuptonin disa nga mësimet e hershme. Një nga këta shkrimtarë, Vettius Valens, në të vërtetë bëri një udhëtim në Egjipt për të kërkuar dijetarët e traditave të vjetra, ashtu si amerikanët e sotëm që kanë shkuar në Indi për të studiuar astrologjinë siderale dhe mësimet  të ndryshme të shenjta. Ndërsa shumë prej shkrimtarëve grekë dukej se kishin studiuar nga librat, Valens studioi të paktën nga disa mësues të gjallë të traditave të vjetra. Dhe është e qartë nga puna e tij që shumë nga gjërat që atij i mësuan nuk do ishin shënuar kurrë po të mos kishte qënë Valensi.

 

Çfarë ndodhi më pas

Cilado të ketë qënë gjuha fillestare e astrologjisë egjiptiane, rreth shekullit të parë të erës sonë, ajo ishte greke. Kjo nuk do të thotë që nuk kishte tekste astrologjike shkruar në gjuhën kopte, formën e fundit të egjiptianëve të lashtë, por nuk ka referenca të qarta që ndonjëri të ketë mbijetuar. Të gjithë tekstet egjiptiane që përmenden në literaturën e mëvonshme duket se janë shkruar në greqisht. Ndoshta disa ishin përkthime nga gjuha kopte.

Përdorimi i greqishtes kishte rëndësi të madhe. Edhe pse perandoria perse ishte një perandori e vërtetë kozmopolite me një nivel të lartë barazie ndërmjet racave që përbënin perandorinë, asnjëra gjuhë nuk do të dominonte. Padyshim persishtja përdorej për qëllime zyrtare, por gjuhët babilonase dhe egjiptiane vazhdonin gjithashtu të përdoreshin në zonat e tyre më shumë se persishtja. Por kur Aleksandri i Madh pushtoi të gjithë Persinë dhe Egjiptin, dhe përparoi në veriperëndim të Indisë, greqishtja u bë gjuha mbizotëruese jo vetëm për qëllime zyrtare, por edhe për çdo qëllim që përfshinte komunikimin nga një zonë etnike në tjetrën. Gjuhët e origjinës vazhdonin të përdoreshin për qëllime lokale, siç është gjuha aramaike (që zëvendësoi krejtësisht babilonishten) dhe ajo koptike.  Por një studiues apo përfaqësues tregtar mund të shkonte kudo nga Greqia në perëndim në Indi në lindje dhe Egjipt në jug dhe të kuptohej. Çdo mendim i shprehur në greqisht mund të kishte një linjë të ngjashme udhëtimi.   .

Edhe pasi persishtja u rivendos duke filluar së pari me Parthianët dhe më vonë me Sasanidët (shiko kronologjinë në fillim), popujt baktrianë të territorit që sot është Afganistan dhe Pakistan vazhdonin të kishin sundimtarë që flisnin greqisht deri në shekujt e parë të erës sonë. Si pasojë metodat babilonase u futen në astrologjinë egjiptiane si edhe vetë metodat egjiptiane mund të udhëtonin në Indi pa vështirësi. Kjo shpjegon faktin që të gjithë fjalët teknike në astrologjinë indiane origjina e të cilave mund të gjendet në një gjuhë tjetër janë greke, jo babilonase, as kopte, as egjiptiane të lashtë. Ajo që është tjetër interesante është që duket se ka pak, nëse ka, fjalë teknike në astrologjinë greke që e kanë origjinën e tyre në ndonjë gjuhë tjetër.

Më poshtë është një listë e disa prej termave në astrologjinë hindu që duket se kanë origjinë greke.

Shqip Sanskritisht Greqisht Shqip Sanskritisht Greqisht
Dashi Kriya Krios Dielli Heli Helios
Demi Tavura Taurus Merkuri Hermnan Hermes
Binjakët Jituma Dhidhimi Venusi Asphujit Afroditi
Gaforrja Kulira Karkinos Marsi Ara Ares
Luani Leya Leon Jupiteri Jeeva Zeus
Virgjëresha Pathona Parthenos Saturni Kona Kronos
Peshorja Juka Zigos
Akrepi Kaurpi Skorpios Ora Hora Hora
Shigjetari Taukshika Toksotis Minuti Liptaka Lepta
Bricjapi Akokera Aigokeres Dhjetëditësh Drekana Dekanos
Ujori Hridroga Hidrohoos Ndarje Anafara Anafora
Peshqit Chettha Ikthies Perëndim Dyuna Dunon

Të gjitha fjalët në tabelë kanë ekuivalentë sanskritisht që mundësisht paraprijnë hyrjen e fjalëve të mësipërme në Indi, dhe që përfundimisht edhe i zhvendosen këto fjalë me origjinë helene. Fjalët e fundit (me të pjerrët) janë terma për të cilat nuk ka rrënjë të mëparshme sanskrite dhe duket se kanë ardhur krejtësisht nga greqishtja. Këto fjalë kanë mbetur terma standarte astrologjike në Indi edhe sot.

Pas 126 pr.e.s. Parthianët, një popull Persian, u ngritën kundër Seleucidëve të cilët arriten suksese pas Aleksandrit të Madh. dhe ri-pushtuan shumicën e Perandorisë së vjetër Perse përveç një pjese afër Mesdheut, dhe pjesës në veriperëndim të Indisë. Parthianët ishin jashtëzakonisht armiq me grekët (dhe më vonë romakët) dhe në mënyrë efektive ndërprenë komunikimin (ose të paktën e minimizuan shumë) ndërmjet forcave kryesore (ushtarake) të popujve helenë ndaj Perëndimit dhe grekëve baktrianë në Afganistan dhe Pakistan. Grekët baktrianë përfundimisht u konvertuan në hinduizëm dhe gjuha e tyre u zhduk. Mirëpo që nga rreth 200 pr.e.s. ata ende ekzistonin si një grup i identifikueshëm. Këto janë Yavanas e Yavanajataka.

Akoma më vonë historiani Kay përmend të dhëna hindu nga shekujt 4 dhe 5 të një kulti të ri të Perëndisë Diell që vinte nga Perëndimi. Duke ditur që Krishtërimi zëvendësoi adhurimin e Diellit të Pamposhtur (Sol Invictus), na duket e përshtatshme të besojmë që  astrologjia hindu (indiane) pati një shpërthim të dytë nga një grup i ri i  Yavanas duke i shpëtuar persekutimit të krishterë në Perëndim. Në çdo rast është shumë e qartë që çfarëdoqë hindutë kanë marrë nga Perëndimi ata jo vetëm që e morën dhe e aplikuan në mënyrë pasive. Ata ndryshuan, modifikuan, dhe me shumë mundësi përmirësuan çfarëdoqë mund të kenë marrë nga Perëndimi dhe e bashkuan atë me traditat e tyre vendase.

Popujt persianë kanë qënë gjithmonë ndjekës të astrologjisë. Duket logjike të dalësh me përfundimin që ata duhet të kenë zhvilluar traditat e tyre nga astrologjia që kishin trashëguar nga mesopotamianët dhe grekët. Më pas në 227 e.s ata u mposhtën nga persianët Sasanidë që do të kishin vazhduar zhvillimin e traditave perse të astrologjisë. Fatkeqësisht erdhën arabët dhe pothuajse e gjithë literatura e Sasanidëve zoroastrianë u shkatërrua. Kjo përfshin veprat e tyre astrologjike. Shumica e astrologëve të mëdhenj të epokës arabe ishin persianët! Dhe astrologjia që ata mësonin (përhapnin) është krejt ndryshe nga ajo hindu dhe greke. Ajo kishte orbe dhe aspekte, ciklet e Jupiterit dhe Saturnit, të gjithë sistemet e zhvilluara të bashkëveprimeve planetare. Megjithëse astrologjia e epokës arabe i detyrohet shumë astrologjisë heleniste, është mjaft e qartë që në dy apo tre shekujt ndërmjet astrologëve të njohur të fundit helenë dhe atyre të epokës së parë të njohur arabe, diçka e re ka ardhur me rrymën. Kjo mund të ketë qënë, dhe ndoshta ishte rryma persiane e astrologjisë. Dhe epoka arabe është stërgjyshja direkte e astrologjisë perëndimore të sotme. Astrologjia jonë mund të jetë në fakt pasardhësja e asaj rryme të tretë të astrologjive të lashta.

Tags: ,

  • Twitter
  • Facebook

Komentet jane te mbyllura.