> Faqja pare > Perëndi dytësorë > Plis apo lëvozhgë veze?

Plis apo lëvozhgë veze?

leda-kastor-polux.

Vëllezrit Dioskuri janë figura të mitologjisë greko-romake të njohur në gjuhën latine si Kastori dhe Poluksi. Emrat e tyre në mitologjinë greke janë Kastor dhe Polydeukes. Ata ishin vëllezrit e Helenës së Trojës prandaj paraqitën të tre shpesh me të njëjtën pamje, domethënë, me gjysëm-lëvozhgën e vezës në kokë. ‘Dioskuri’ rrjedh nga greqishtja e lashtë  që ka kuptimin “djemtë e Zeusit” (‘Dios’ = Zeusi, në formën gjinore dhe ‘kuroi’ = djalë, bir). Po ç’kuptim ka gjysëm-lëvozhga e vezës mbi kokën e tyre e cila ngjan si plis?

Sipas mitologjisë, Zeusi e shndërroi veten në një mjellmë dhe joshi bukuroshen me emrin Leda (e cila ishte njeri, jo hyjneshë). Nga bashkimi i tyre, Leda prodhoi dy vezë mjellme. Nga njëra vezë dolën një vëlla e motër hyjnorë, Poluksi dhe Helena, ndërsa nga tjetra një vëlla e motër njerëzorë, Kastori dhe Klitemnestra, të cilët paraqiten shpesh me gjysëm-lëvozhgën e vezës nga e cila dolën. Pra “kësula” e tyre nuk ka asgjë të bëjë me plisin shqiptar, apo ndonje plis tjetër, por veçse tregon origjinën e tyre nga të njëjtit prindër, në këtë rast, Zeusi i paraqitur si mjellmë dhe Leda e bukur.

Në mitologji, është e zakonshme që, për të joshur femra të ndryshme, Zeusi e shndërronte veten në kafshë apo shpend si: mjellmë, shqiponjë, dem, etj.

Vëllezrit gjysëm-hyjnorë Kastori dhe Poluksi, besoheshin si shpëtimtarët e atyre që ishin të rrezikuar në det dhe luftë, ata lidhen veçanërisht me kuajt dhe sportet. Zakonisht lidheshin më shumë me qytetin e Spartës ku thuhet se ata lindën, por kishin tempuj dhe në Athinë, Romë dhe Delos. Në Romë ata konsideroheshin si mbrojtësit e kalorësve (prandaj paraqiten me figurën e kalit).

Statuja e vëllezërve binjakë Dioskuri ndodhet në sheshin “Campidoglio” të Romës dhe është realizuar në shekullin IV.e.s. Ndërsa Busti i Helenës së Trojës është realizuar nga Antonio Canova (1757-1822), një skulptor neoklasik Italian, dhe sot ndodhet në muzeun britanik “Victoria and Albert”.

Përgatiti: N.Herceku (25 korrik 2017)

Tags: , , ,

  • Twitter
  • Facebook

Komento