> Faqja pare > Etimologji > Shpjegimi i emrave

Shpjegimi i emrave

EMËROLOGJIA

Fjala ZOT vjen nga fjala ‘Zeus’ (mbreti i perëndive në greke). Në shqip, kjo fjalë është transformuar nga Zeus-Zeut-Zot. Në mitologjinë romake Zeusi quhej Jove (Jupiter), dhe sot në greqisht Jupiterit i thonë DIAS. Edhe në maqedonishten e lashtë Zeusit i thonin Dios. Ne latinisht nga Zeus u be Deus. Sot vendet latine Zotit i thonë Dios (Dio, Dieu). Zeusi quhej gjithashtu “Ati qiellor” siç quajme ne Zotin sot. Ne gjuhen sanskrite Zeusi quhej Jeeva e ngjashme me emrin Jehova te Zotit ne gjuhen hebraike. Ndersa tek hititet Zeusi therritej Dzius dhe si fjale indoeuropiane ishte Dzeus.


Ekuivalenti i fjalës ‘ZOT/ZOTERI në gjuhën latine është DOM dhe në spanjisht DON. Në gjuhën turke ky titull përshtatet me fjalën BEJ. Per shembull: ISKENDER BEJ në gjuhën spanjolle del DON ALEHANDRO dhe ne shqip ZOTI ALEKSANDER. Nga fjala DOM (zot) rrjedh dhe fjala DOMINUS (Sundues, zot i një vendi), gjithashtu nga kjo fjalë vjen dhe dita e Diel në italisht DOMENICA që ka kuptimin ‘(dita) e Zotit” ose ne spanjisht DOMINGO.  Prifterinjve në Shqiperi u vihet titulli DOM, ashtu si në rastin e DOM NIKOLLË KAÇORRIT i cili ishte prift. Në greqisht “KIRIE” dmth ZOT/ZOTËRI dhe KIRIAKI dmth E DIEL (Dita e Zotit).

Shna PREMTJA (Prenda) tek shqipëtarët e krishterë i përgjigjet Afërditës te grekët e lashtë dhe Venerës te romakët. Pra ajo nuk ka ekzistuar por është thjesht një kopjim mitologjik pagan i konvertuar në kristian. Kjo dallohet qartë tek ditët e javës: Për nder të Shna Premtes kemi ditën e Premte. Në Greqi Shën Premtja quhet Agia Paraskevi dhe në Itali Santa Venera.
Po ashtu edhe te romaket, për nder te Venerës dita e premte quhet Venerdi.  Afërdita ekuivalente e saj kishte shumë statuja dhe tempuj në lashtësi. Grekët e lashtë e quanin të premten Hemera Afrodites (dita e Afërditës). Ne Veri ajo quhet Prena (dhe dita quhet e prene).
Për Shna Premten ka disa kisha në zonat kryesisht katolike. Madje edhe sot njerëzit betohen “per kishën e Shna Premtes”.

Planeti MARS mban emrin e zotit të luftës dhe për grekët quhet Ares. Nga kjo fjalë vjen dhe arti “marcial”. Për nder të Marsit u krijua dita e martë. Ne italisht ky planet quhet Marte dhe Martedi = e marte. Në kujtim të Marsit rrjedhin edhe emrat Marte, Marta, Martin, Mark, Markelian, Marsid, Marsida, Marsiana, Marsel, Marsela, Marselino etj. Kryesisht këta emra i vendosen fëmijes kur lindin ditën e marte ose në muajin mars.

Emri më i famshëm në botë është ALEKSANDER. Ky është një emër me origjinë greke dhe ka kuptimin ‘mbrojtës i burrave’ (alekso = mbroj; andros = burrë). Ky emër mori popullaritet falë Aleksandrit te Madh (shekulli IV. pr.e.s) dhe sot gjendet në të gjithë botën e krishterë. Në vendet myslimane përshtatet me emrin Iskander (Skënder), prandaj Sulltani i vendosi këtë emër (Iskanderbeu) Gjergj Kastriotit, për të përkujtuar Aleksadrin e Madh që e kishin idhull të gjithë udhëheqësit e botës. Prej emrit ‘Aleksandër’ rrjedhin dhe shkurtimet Sandër, Aleks, Leks, Lekë. Në shqip Aleksandri i Madh quhej shkurt Leka i Madh prandaj dhe monedha shqipëtare e ka emrin’lekë’. 10 qytete sot në botë mbajnë emrin “Aleksandria”. Kryesori është Aleksandria e Egjiptit ku është themeluar nga vet Aleksandri i Madh dhe aty ndodhej deri vonë biblioteka më e madhe e botës antike e shkatërruar më vonë nga luftrat.

Etimologjia e emrit NIKOLAS: 6 Dhjetori, për të krishterët katolik dhe ortodoksë, është festa e Shën-Nkollit (Shën Nikollës).
Pas Krishtlindjes dhe Pashkëve, Shën Nikolla, i njohur dhe si Shën-N’kolli (sidomos në zonat veriore shqiptare), është festa më e rëndësishme për të krishterët katolikë dhe ortodoksë. Kjo festë kremtohet në mbrëmje të datës 5 dhe në mesditën e datës 6 dhjetor, atëherë kur është shënuar në kalendarin fetar. Festa u bë kaq e përhapur nga Krishtërimi për shkak të një shenjtori grek me emrin Nikolaos, i cili jetoi në Mira të Anadollit (atëherë pjesë e perandorisë romake) në vitet 270-343. Ky shenjtor njihet për mrekullitë e tij dhe mbante epitetin Nikolaos Mrekulli-bërësi. Në shumë vende të krishtera ai njihet si mbrojtës apo kujdestar i ujrave, detarëve, lundërtarëve, harkëtarëve, tregtarëve, hajdutëve të penduar,ndërmjetësuesve të pengjeve, prodhuesve të birrës, fëmijëve dhe studentëve. Thuhet se Shën Nikola vdiq më 6 dhjetor të vitit 343 (datëlindja e tij mbahet si 15 mars 270). Pas vdekjes, kulti i tij u përhap me shpejtësi, në fillim në të gjithë Azinë e Vogël e më pas kudo ku sundonte Perandoria Romake. Mjafton të kujtojmë se vetëm në shek.VI, në Kostandinopoli, atij iu kushtuan 25 kisha, ku disa prej tyre kanë qënë dhe tempuj të Poseidonit grek, që ishte zot i detrave dhe ujrave (njësoj siç u bën Shën Nikolla më vonë, mbrojtës i ujrave e detarve). Te varri i tij filluan të organizoheshin pelegrinazhe. Shumë shkrime në greqisht e latinisht e bënë të njohur figurën e tij në mbarë botën bizantine-sllave dhe romano-perëndimore, duke filluar nga Azia e Vogël (Anadoll), Romë e deri në Britani. Kur Mira (vendlindja e tij) ra nën pushtimin e osmanëve, me 9 maj të vitit 1087 reliket e Shën Nikollës u transferuan ne qytetin italian të Barit, prej ku prehen edhe sot e kësaj dite (prandaj sot njihet si “San Nicola di Bari”).
Gjatë periudhës bizantine emri i tij Nikolaos, i njohur nga romakët si Nikolaus, u shkurtua në Nikolas (në vendet anglisht-folëse si Nicholas), e më pas kisha katolike-italiane e bëri Nikola, nga ku u fut dhe në Shqipëri me këtë shkurtim. Me pushtimin serb të Shqipërisë në shekullin 14, e më pas me pushtimin osman në shekullin 15, në Shqipëri u fut shumë në përdorim shkronja LL dhe emri Nikola u bë Nikolla (ashtu si shumë fjalë të tjera: Skola=shkolla, etj.). Nga Nikolla, në veri (sidomos në Mirditë) u shkurtua në Nikoll, Nkoll, Nikë dhe Kolë.
Shën Nikolla në periudhën dhe vendet komuniste e ateiste u shnderrua në Santa Klaus (shkurtim nga Niklaus) ose siç e thërrasim ne shqiptarët Plaku i Vitit të Ri apo Babadimri, prandaj pema e Vitit te ri vendoset që sot (me 5 apo 6 dhjetor) si rregull. Pra plaku që sjell dhurata për Krishtlindje apo Vit të Ri është në fshehtësi Shën Nikola i Mirës. 6 dhjetori nga festë fetare u shndërrua në ditë emri për të gjithë ata që lidhen me emrin Nikolaos: Nikolla, Nikolin, Kolin, Nikë, Nik, Nikolas, Niklaus, Klaus, Nikola, Kola, si dhe format femërore Niki, Nikoleta, Nikolina etj.
Emri Nikolaos vjen nga greqishtja e vjetër <Nike+Laos> që do të thotë ‘fitorja e popullit’. NIKE është fitorja apo perëndesha e fitores (në mitologji) dhe LAOS është populli në gjuhën greke.

Etimologjia e emrit GJERGJ: Gjergj, është emër mashkullor, një nga emrat personalë të moçëm në gjuhën shqipe, me prejardhje nga emri latin me përdorim ndërkombëtar ‘Georgius’. Ky vjen nga emri Georgos i greqishtes së vjetër, i cili ka kuptimin “bujk” apo “tokësor” (Gjea = toka). Georgina dhe Gjeorxhina (ose Xhorxhina) janë format femërore. Është emri i heroit të një prej krijimeve më të shquara të legjendave shqipëtare, Gjergj Elez Alisë, si dhe heroit kombëtar të shqipëtarëve, Gjergj Kastriotit (1405 – 1468), i mbiquajtur Skënderbe. Në vendet anglishtfolëse emri Gjergj thuhet Xhorxh (shkruhet George) dhe është shumë i përdorur falë Shën Gjergjit (Saint George) të famshëm, i cili thuhet se ishte një ushtar romak që u martirizua në Palestinë në vitin 303 para erës sonë. Shën Xhorxhi, qysh nga viti 1349, mbahet si shenjti mbrojtës i Anglisë. Shën Gjergji është dhe një nga shënjtorët më popullorë dhe të shqiptarëve. Në legjendat shqiptare ai përfytyrohet si një hero trim që mund kuçedrën. Dita e tij, 23 prilli, festohej si fillimi i stinës së verës, pra dita e Shën Gjergjit. Gjithashtu ka dhe një lule me emrin shëngjergj. Në italisht ky emër thuhet Xhorxho (Giorgio), në frengjisht Zhorzh (George), në greqisht Jorgo (Giorgo) etj. Nga ky emër vijnë dhe shkurtimet Gogo, Gegë, Jorgaq, Gaqo, Jorgji, Jurgen, etj.

Emri GJON ose JON ka prejardhje latine dhe përshtatet me emrin hebraik YOHANAN që ka kuptimin ‘Zoti ka mëshirë’. Në anglisht ky emër thuhet JOHN (XHON); në greqisht JANI; në spanjisht JUAN (HUAN); në italisht GIOVANI (XHOVANI); në frengjisht JEAN (ZHAN, ZHUAN). Nga ky emër vijnë dhe format Gjovalin, Xhoana, Joana, Janina, Xhina, Johan, Jovan, Ivan, Gjin, Xhina, Gjok, Gon, Xhani, Zhaneta, Jonida, etj.

Emri MIKEL ka origjinë hebraike dhe është emër mashkullor i përdorur shumë në botë. Rrjedh nga emri Mi-Kha-El dhe ka kuptimin “kush është si Zoti?”. Në bibël përmendet si një prej krye-ëngjëjve dhe si udhëheqësi i tyre në betejë, prandaj mbahej edhe si mbrojtësi i shenjtë i ushtarëve. Në shqip ky emër përkthehet Mëhill, ku dhe festohet dita e tij si “Shën Mëhilli” me 29 shtator në zonat katolike (në italisht quhet San Mikele). Në Greqi emri Mikel thuhet MIHALI; në vende anglisht-folëse thuhet MICHAEL (që lexohet Majkëll); në vende frengjisht-folëse thuhet MICHEL (që lexohet Mishel); Në spanjisht thuhet Miguel. Nga ky emër rrjedhin dhe format femërore si Mikela, Mikaela, Mishela, Migena, Mihalina, Migerta, etj, Nga shkurtimi i emrit Mhill vjen dhe emri Hilë. Gjithashtu dhe emri Mihallaq, Mikeljan, Milo vijnë nga ky emër.

Shumica e engjëjve në teologjinë kristiane apo mitologjinë hebraike mbarojnë me EL. Gjithashtu edhe fjala IZRAEL (vendi ku lindi Krishtërimi) ka kuptimin “Mbizotërues bashkë me Zotin”. Para ardhjes së Krishtërimit EL ishte perëndi hebraike e Diellit që ka kuptimin “ai që shndrit”, me ardhjen e Krishtërimit mori kuptimin “Zot/Perëndi”). Vete fjala engjëll (Angel) mbaron me -el dhe ka kuptimin “lajmëtar i Zotit”.Disa nga engjëjt kryesorë janë:Adriel – (grigja e Zotit)Ariel –  (Luani i Zotit)Azrael – (I ndihmuar nga Zoti)Daniel – (Zoti gjykon)Emanuel – (Zoti është me ne)Gabriel – (Zoti është forca ime)Haniel – (Hijeshia/ gëzimi i Zotit)Jofiel –  (Bukuria e Zotit/ bukuria hyjnore)

Kushiel – (I ashpri i Zotit)

Mikael – (kush është si Zoti?)

Nuriel – (Zjarri i Zotit)

Rafael – (Zoti shëron).

Ramiel – (Gjemimi i Zotit)

Raziel – (sekreti i Zotit)

Samael – (Helmi i Zotit)

Sariel –  (urdhri i Zotit)

Shamsiel – (Dielli i Zotit)

Uriel –  (Zoti është drita ime)

Uziel – (Zoti është forca ime)

Zadkiel –  (Drejtësia e Zotit)

Elizabeta – (Zoti është gjyqtari im)

Tags: , ,

  • Twitter
  • Facebook

Komentet jane te mbyllura.