> Faqja pare > Apolloni > Tempulli i Apollonit – Orakulli i Delfit

Tempulli i Apollonit – Orakulli i Delfit

delfi
Delfi është një vend arkeologjik në Greqi, i cili shtrihet në jug-perëndim të Malit Parnas, në luginën e zonës së Focisë. Gjatë periudhës klasike, Delfi ishte vendi i orakullit më të rëndësishëm në botën helene, një vend i famshëm ku adhurohej Apolloni, perendia e Diellit, arteve dhe muzikës.
Emri Delfi vjen nga e njëjta rrënjë greke ‘Delfi’ që ka kuptimin “mitër” dhe mund të tregojë nderimin arkaik të nënës dhe njëkohësisht perëndeshës Tokë, të njohur nga grekët si Gjea (Gaia).
Para se Delfi të ishte vendi i Apollonit, ky vend i shenjtë i përkiste perëndeshës Gjea (Tokës) dhe birit të saj, gjarprit Piton. Thuhet se aty ishte qendra e Tokës, ose mitra e Gjeas nga e cila doli gjarpri Piton. Në shumë kultura gjarpri është simbol i kultit të Tokës dhe lidhet gjithashtu me pjellorinë, ashtu si vetë Toka.
Më përpara ky vend mbante emrin e Pitonit, i cili jetonte aty dhe mbronte qendrën e Tokës, apo nënën e tij. Gjarpri njihet si mbrojtës i shtëpisë gjithashtu, vet mali Parnas në gjuhën e vjetër luviane (një nga gjuhët e Anadollit) ka kuptimin e shtëpisë. Sipas mitit, më vonë Apolloni e vrau Pitonin dhe i mori vendin e shenjtë.
Çdo katër vjet, duke nisur që nga viti 776 pr.e.s, zhvilloheshin lojrat Pitiane (prej emrit Piton). Në këto gara sportive mund të merrnin pjesë vetëm atletë apo sportistë nga mbarë bota helene. Delfi ishte më i veçantë nga të gjithë vendet e tjera të lojrave sepse aty zhvilloheshin edhe gara muzikore. Lojrat zhvilloheshin në përkujtim të fitorës së Apollonit ndaj gjarprit Piton (i cili përfaqësonte errësirën). Fitimtari në Delfi paraqitej me një kurorë dafine (simbol i dashurisë së Apollonit) e cila këputej në mënyrë ceremoniale nga një djalë i cili ri-konfirmonte vrasjen e Pitonit nga Apolloni.
Në vatrën e brendshme të Tempullit të Apollonit, qëndronte gjithnjë ndezur një flakë e përhershme. Pas betejës së Plateas (lufta perso-greke në 479 pr.e.s) qytetet greke shuan zjarrin e tyre dhe sollën një zjarr të ri nga vatra e Greqisë, në Delfi; në historitë e themelimit të disa kolonive greke, kolonistët themelues ishin të parët që iu dedikuan Delfit.
Apolloni lidhet me vendin nga epiteti i tij Delfinos “Delfiniani”. Epiteti lidhet me delfinët në himnin Homerik për Apollonin (rreshti 400), që i referohet legjendës se si Apolloni erdhi i pari në Delfi në formën e një delfini, duke marrë me vete, mbi kurriz,edhe priftërinjtë paganë të Kretës.
Kështu, Delfi u bë vendi i tempullit të Apollonit dhe i orakullit të famshëm të tij. Delfi njihet kudo për orakullin në faltore që i është dedikuar Apollonit gjatë periudhës klasike.
Apolloni fliste përmes orakullit të tij: profetesha apo priftëresha njihej me emrin Pitia; ajo duhej te ishte një grua e vjetër, fisnike,dhe pa mëkate e zgjedhur midis vendasve, e cila duhej të hiqte dorë nga angazhimet familjare (ashtu si murgeshat sot) për t’iu kushtuar Apollonit. Ajo ulej në një stol me tri këmbë pranë një çarjeje tokësore dhe përmes ektazës u parashikonte fatin njerëzve. Sipas legjendës, kur Apolloni vrau Pitonin, trupi i gjarprit ra në këtë çarje të tokës dhe nga trupi i tij i dekompozuar dilte një avull (Pitein në greqisht ka kuptimin “dekompozoj”).E intoksinuar nga avulli, profetesha duhej të binte në ekstazë, duke lejuar Apollonin të posedonte shpirtin e saj. Në këtë gjendje ajo profetizonte.
Është vërtetuar se një gaz me përqindje të lartë etileni (me formulë C2H4), i njohur për prodhimin e ekstazës së fortë, rrjedh nga kjo çarje e tokës. Etileni është një gaz erë-mirë dhe në doza të vogla thuhet se ka aftësinë të shkaktojë gjendje transi (ekstaze).
Një nga dëshmitë më të vlefshme të gjendjes trans të orakullit vjen nga historiani i madh grek Plutarku (40-120), i cili, në 30 vitet e fundit të jetës së tij, shërbeu si kryeprift dhe predikues në tempullin e Delfit. Ai ka përshkruar se si gazet erëmira që dilnin nga e çara e tokës, do t’i shkaktonin profeteshës një ekstazë të çuditshme. Dukej se kishte diçka të vërtetë në dëshminë e Plutarkut, pasi kur arkeologët zbuluan rrënojat e tempullit zbuluan disa tipare karakteristike. Për shembull, streha e brendshme ku ulej Pitia (profetesha), gjendej 2-4 metra nën nivelin e katit përreth, dhe kishte një kanal aty pranë për ujin e burimit. Kjo strukturë ishte unike në krahasim me çdo tempull të lashtë grek. E gjitha kjo provonte një gjë – që kishte patjetër diçka të çuditshme që ndodhte në tempullin e Apollonit.
Njerëzit konsultoheshin me Orakullin e Delfit për çështje të rëndësishme, nga politikat publike deri tek problemet personale. Me Orakullin nuk mund të konsultoheshe gjatë muajve të dimrit. Ishte traditë që ata që vinin për konsultim duhej të mbanin një kurorë dafine mbi kokë. Të vije në dyshim orakullin, ishte si të kishe dyshime mbi perënditë. Nuk ishte vetëm populli grek, por kishte dhe udhëheqës të huaj që udhëtonin për në Delfi. Përveç Greqisë, Orakulli respektohej gjithashtu edhe nga vendet gjysëm greke si Lidia, Karia dhe Egjipti. Ai njihej gjithashtu edhe tek romakët e lashtë. Orakulli u sillte dobi edhe mbretërve të Maqedonisë së lashtë. Nën ndikimin e deklaratave të Orakullit, Delfi u bë një qytet-shtet i fuqishëm dhe i begatë.
Kur Neroni (perandori romak) erdhi në Greqi në vitin 66 e.s, mori me vete mbi 500 statujat më të mira të Delfit dhe i çoi në Romë. Perandorët pasues romakë të dinastisë Flaviane kontribuan shumë për ta restauruar atë. Perandori Adrian ofroi të gjithë autonominë e tij. Megjithatë, sulmet barabare gjatë mbretërisë së Mark Aurelit dhe Kostandinit I shkaktuan shkatërrimin dhe grabitjen e statujave dhe pasurive të tjera. Sundimi i shkurtër i perandorit Julian nuk mundi ta përmirësonte situatën. Sidoqoftë Orakulli vazhdoi derisa u mbyll nga perandori Theodosius I në vitin 395 e.s .Vendi ishte braktisur për pothuajse 100 vjet, derisa të krishterët u vendosën përgjithmonë në atë zonë. Ata themeluan aty pranë, rreth vitit 600 e.s. qytetin e vogël të Kastrit.
profetesha-delfit   Dafina
dafina

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Emision mbi Apollonine e Fierit

Tags: , ,

  • Twitter
  • Facebook

Komentet jane te mbyllura.