> Faqja pare > HISTORIKU I KALENDARIT > Viti i Ri në Romën antike

Viti i Ri në Romën antike

janusNë Romën e lashtë Viti i Ri, i cili në fillim festohej në mars, u fiksua me 1 janar në vitin 191 pr.e.s nga Pontifex Maximus – autoriteti më i lartë fetar i Romës antike –Ligji i ndërhyrjes i referohet traditës së vendosur nga mbreti i dytë i Romës, Numa Pompilio. Janari iu përkushtua Janit (Janus), perëndisë me dy koka që vështronin në drejtime të kundërta: e para shikonte mbrapa, domethënë nga viti i kaluar, dhe e dyta para, domethënë nga viti i ri. Perëndia festa e të cilit
kremtohej në mbyllje të vitit ishte Saturni: gjatë festimeve të Saturnalive të dhjetorit padronët gatuanin për skllevërit dhe u shërbenin atyre bankete të kushtueshme. Ishte periudha e të kundërtave, me shërbëtorët në rolin e padronëve, gratë në rolin e burrave, fëmijët në vend të të rriturve. Semel in anno licet insanire “një herë në vit lejohet të çmendemi”: ishte parrulla e rregullit.
Festa të shfrenuara, valle e shpërthime ‘fishekzjarresh’ karakterizonin festimet. Zhurma me këmbana e zile, pishtare drite, hedhja e rrobave të vjetra nga dritarja, shërbenin për të dëbuar demonët dhe fatin e keq. Pastaj, edhe të ashtuquajturat “fishekzjarre” të fundvitit janë caktuar për të larguar nga jeta familjare shpirtrat e këqinj që nuk duronin dot zhurmat: prandaj shpërtheheshin ‘fishekzjarre’, që zëvendësonin zhurmën e mjeteve buçitëse, që binin dikur për të njëjtin qëllim, duke kryer kështu ritualin e dëbimit të hijeve, vampirëve, të vdekurve të rrezikshëm që deri në festën e madhe mund të pushtonin shoqërinë e të gjallëve. Në të gjitha kulturat besohet se zhurmat e larta dhe kërcitëse mund të dëbojnë demonët.
Vallet janë të pranishme në të gjitha shoqëritë njerëzore ashtu si edhe ritet që i japin nismë një stine të re, sjellin prodhimtarinë e tokës dhe pjellorinë e njerëzve.
Vallëzimi të sjell ndërmend vallen ‘e kërcyer’ që bëhej nga priftërinjtë e lartë në Romën e lashtë: sa më të larta të ishin kërcimet me tingujet e muzikës, aq më i lartë dhe i fortë do të rritej gruri në verë.
Sot për vit të ri në Itali hahen thjerrëza sepse thuhet se favorizojnë simbolikisht pasurinë: çdo thjerrëz do të jetë një monedhë ari! Një traditë fshati kërkon që të vishet diçka e vjetër, diçka e re dhe diçka e kuqe: veshja e vjetër simbolizon vitin që po ikën, e reja fillimin e vitit të ri, dhe e kuqja prodhimtarinë dhe pjellorinë.
Në Romën antike, ditën e parë të muajit (në latinisht kalenda, nga ku rrjedh dhe fjala kalendar) janar prifti i ofronte Janusit një lloji gruri të vjetër me kripë dhe një ëmbëlsirë të bërë me djathë të grirë, miell, vezë dhe ullinj për ta marrë me të mirë perëndinë për ndikimin e favorshëm mbi natyrën dhe korrjet e ardhshme. Ajo ditë nuk ishte pushim, madje aktet e punës kishin vlerë ritualesh, sipas porosive të Janusit që thotë, siç na e kujton Ovidi: “do t’i dedikosh punës vitin që sapo fillon që të mos jetë i tërë cikli i papunë”.
Romakët ftonin miqtë për drekë për të shkëmbyer një vazo të bardhë mjalti me hurma dhe fiq të thatë: “Që viti që fillon të jetë i ëmbël”, shton poeti. Fiqtë, të quajtur strenae, shoqëroheshin me gjethe dafine, si shenjë fati dhe lumturie. Gjethet dhe degët e holla mblidheshin në pyllin e shenjtë të perëndeshës Strenia, dhe zbukuronin edhe dyert e ndërtesave më të rëndësishme, si tempulli i Vestës, sallat e mbledhjeve, dhe shtëpitë e priftërinjve të lartë romakë.
Në Italinë jugore ka mbetur ky zakon: për vit të ri dhurohen fiq të thatë mbështjellë me gjethe dafine.

Tags: ,

  • Twitter
  • Facebook

Komentet jane te mbyllura.